Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

Rrapi Minot e drejtësisë së re

Rrapi Minot e drejtësisë së re

12:46, 28/03/2024
A+ Aa A-

Nga Klodian Tomorri

Para tre apo katër vitesh, ish prokurori famëkeq i regjimit komunist, Rrapi Mino, u rrëfye në një intervistë të gjatë për jetën dhe karrierën e tij. Njeriu i cili çoi para togës së pushkatimit me dhjetra apo qindra njerëz të pafajshëm nuk e ndiente veten fajtor, por viktimë. “Të them të vërtetën, ndihem i keqardhur për gjithë ato fatkeqësi njerëzore, por rezervohem të them më fal, sepse, në fund të fundit, kam zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, bile me korrektësinë më të madhe, atë që parashikonte Kodi Penal germë për germë e nen për nen,” tha ai.

Në historinë e njerëzimit krimet më të egra janë bërë pikërisht në emër të ligjit. Edhe “Zgjidhja Përfundimtare” e Hitlerit për shfarosjen e hebrenjve në Holokaust u bë me ligj. Sepse në kohët e marrëzisë ligji është një copë letër, që kthehet edhe në çekan në duart e atyre që e kanë kapur atë.

Dy ditë më parë, SPAK mbylli një tjetër fraksion të dosjes së copëtuar të inceneratorit të Elbasanit duke komunikuar akuzat e reja për personat që dyshohen si të përfshirë. Sipas dosjes së paraqitur në gjykatë, rezulton se organizata e rrezikshme mafioze që paska ideuar, realizuar dhe pastruar paratë e krimit të inceneratorëve është familja e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Ky i fundit në rolin e pushtetarit pa asnjë firmë në procedurë ka bërë të mundur mashtrimin e qeverisë dhe veçanërisht kryeministrit të pafajshëm në mirëbesim për të miratuar koncesionin. Ndërsa paratë e vjedhura më pas janë pastruar nga ish bashkëshortja dhe partnerja aktuale e Ahmetajt.

Në historinë e Shqipërisë, nuk ka ndonjë rast të dytë kur një familje e tërë merret e pandehur. Edhe drejtësia popullore e Enver Hoxhës ka patur politikë penale dhe zakonisht në familjet që persekutoheshin lihej ndonjë anëtar si shembull i zemergjerësisë së Partisë. Dhe këtu Rrapi Mino ka gjithë të drejtën të jetë xheloz, e madje të ndihet amator sepse as çekani i tij nuk ka qenë dot aq i madh sa ky që vuri dhe Albina Mançkën nën akuzë. Jo me prova direkte, por me akuza indirekte.

Zonja Mançka, ish bashkëshortja e Arben Ahmetajt, akuzohet se ka blerë një vilë në Palasë, edhe pse pronare e vilës dhe njeriu që ka paguar paratë më bankë nga Zvicra rezulton një person tjetër, shoqe e zonjës Mançka. E njëjta akuzë është pak a shumë edhe për partneren aktuale të Ahmetajt Erjola Hoxha për vilën e saj në Gjirin e Lalzit. në këtë rast, vila është porositur dikur nga Klodian Zoto, edhe pse ky nuk ka paguar asnjëherë para për të. Më pas është blerë nga një biznesmen tjetër, i cili ja ka shitur zonjës Hoxha. Por SPAK i lidh indirekt të dy vilat me inceneratorët.

Megjithatë nëse akuzat indirekte qëndrojnë apo jo, kjo ka pak rëndësi. Prokurorët skrupulozë të SPAK duhet të sqarojnë së pari se pse në një rast tjetër, për të njëjtën dosje, ndoqën standard të ndryshëm. Familjarët e një ish zyrtari të lartë, sipas vet SPAK kanë qenë të përfshirë direkt në marrjen e parave të inceneratorëve. Direkt, jo indirekt dhe me pretendime si në rastin e bashkëshorteve të Ahmetajt. Por ndaj tyre nuk u ngrit asnjëherë akuzë, përveçse ndaj ish zyrtarit që sot po vuan dënimin.

Të paktën Rrapi Mino në këtë pikë ishte më i ndershëm. Drejtësia politike apo ajo me mllef nuk i duhet askujt. Mbi të gjitha vet SPAK-ut. Dhe vënia e zonjës Mançka nën akuzë nuk është zbatim skrupuloz ligji, por njollë turpi. Tani shikoni se Ahmetaj ka dhe një nënë të moshuar. Ndoshta ka patur edhe ajo ndonjë rol në organizatën e rrezikshme mafioze. Gjejini ndonjë gjë dhe asaj. Me ligj si Rrapi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco