15 vjet Shqipëria në NATO/ Mustafaj: Gjithçka përmblidhet te fjalia e Berishës ‘kjo është mrekullia e lirisë’

15 vjet Shqipëria në NATO/ Mustafaj: Gjithçka përmblidhet te fjalia e Berishës ‘kjo është mrekullia e lirisë’

12:18, 28/03/2024
A+ Aa A-

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, duke folur në konferencën e organizuar me rastin e 15-vjetorit të Shqipërisë në NATO, tha se demokratët duhet të ndjehen krenarë.

“Ky përvjetor është i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët, por ne demokratëve na jep veçanërisht të drejtë të ndjehemi krenarë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO filloi në fakt më 22 mars 1992, edhe pse kërkesa zyrtare u paraqit në vitin 1994, në qeverisjen e parë të PD, dhe u përmbyll në vitin 2009 si një mrekulli e lirisë nën qeverisjen e dytë të PD.

Kjo nuk është një rastësi e fatit, por një vepër madhore e vizionit euroatlantik të demokratëve në shërbim të Shqipërisë.

Unë sot përkulem me nderim të madh përpara të gjithë shërbestarëve të këtij rrugëtimi shumë të vështirë, por po aq të mrekullueshëm.

Por një homazh të veçantë e kam sot vetëm për njërin, ai është Safet Zhulali, një nga themeluesit e PD dhe ministri i Mbrojtjes në qeverinë tonë të parë. Ai do mbetet në historinë e Shqipërisë si burri i parë i shtetit që u bë shembull i zbatimit me rreptësi të parimit kushtetues të kontrollit civil mbi ushtrinë, pa të cilin nuk mund të mendohej një afrim me NATO-n,” tha Mustafaj.

Ai shtoi se reformimi i ushtrisë dhe i shtetit ishte i vështirë dhe kjo u pa edhe te obstruksionizmi i opozitës marksiste dhe te revolucioni i oficerëve stalinistë në vitin 1997.

“Të gjithë e pamë se çfarë bënë në vitin 1997 me komitetet famëkeqe të shpëtimit kombëtar, pikërisht oficerët stalinistë të liruar nga shërbimi gjatë dy viteve të para të demokracisë.

Në vlerësimin tim, për nga sfidat me të cilat u përball qeverisja e PD, plotësimi i kushteve për të paraqitur zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në NATO, përbënte gjysmën e rrugës gjersa anëtarësimi të bëhej realitet,” tha Mustafaj.

“PD ishte themeluar dhe po provohej në qeverisje si një forcë politike thellësisht pro-perëndimore. Si e tillë, PD do mbetet në histori jo vetëm si faktori përcaktues për ringjalljen e miqësisë shqiptaro-amerikane, por edhe si ndërtuesja e urës s bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik mes dy vendeve tona.

Edhe sot e kësaj dite, bashkëpunimi shqiptaro-amerikan zhvillohet përmes urave që u ndërtuan në qeverisjen e parë të PD. Kjo tregon se që në fillim, PD dhe qeverisja e saj, bashkëpunimin me SHBA e panë si lidhje afatgjatë strategjike që do vinte vetëm duke u forcuar,” tha ish-ministri.

“Përfundimi i këtij udhëtimi përmblidhet në fjalimin më të shkurtër që ka mbajtur Sali Berisha në jetën e tij politike. Është vetë, nj fjali me katër fjalë, thënë në praninë e presidentit amerikan në çastin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO: This is a miracle of freedom!” deklaroi Mustafaj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco