Lajmi i fundit

LIVE/ Punimet e Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë

Rama-Veliaj e zhveshën Tiranën nga kultura: As Teatër, as Bibliotekë, as Kukullat, as filma të njerëzve të talentuar!

Rama-Veliaj e zhveshën Tiranën nga kultura: As Teatër, as Bibliotekë, as Kukullat, as filma të njerëzve të talentuar!

07:59, 28/03/2024
A+ Aa A-

Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, mbrëmjen e djeshme, në ditën e 86-të të tubimit qytetar:

"Përshëndetjet më të përzemërta, nderimin më të madh për ju, qëndrestarë të pamposhtur, luftëtarë të kauzave të drejta, misionarë të vërtetë të dinjitetit dhe shpresës së shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të mrekullueshëm, të cilët kanë shndërruar këtë platformë, në burim të pashterrshëm drite për mendjet dhe zemrat e shqiptarëve. Një burim të pashterrshëm të të vërtetave të mbulohen me terrin e propagandës së regjimit monist.

Sot kjo protestë nuk mund të ketë simbol, shenjë më të shenjtë se sa qëndresën e pashembullt në historinë e Europës të një grupi artistësh për teatrin e kombit. Beteja e tyre për teatrin e kombit në të vërtetë është betejë e çdo shqiptari që e ndjen veten shqiptar.

Është betejë e çdo qytetari që e ndjen veten qytetar. Është betejë e të gjithë atyre që besojnë se kultura dhe identiteti janë shpirti i kombit, janë shpirti i shoqërisë dhe i vendit. Qëndresa e tyre më e jashtëzakonshmja e regjistruar ndonjëherë është një betejë të cilën ne kurrë nuk mund dhe nuk duhet ta humbasim.

Teatri dhe kultura janë flamujtë për të cilët luftohet, sakrifikohet çdo gjë për fitoren e tyre.

Tirana është sot kryeqyteti i vetëm dhe Shqipëria është sot shteti i vetëm pa një teatër kombëtar, sepse një shpirtrrënuar, pseudoartist, duke parë veten e tij të pakrahasueshëm me artistët e vërtetë, bëri një betejë të egër çnjerëzore se si e si t’i shfaroste ata.

Beteja kundër teatrit është beteja e pseudoartistit kundër artistëve të vërtetë. Por beteja kundër teatrit nuk është vetëm kaq. Është beteja e korrupsionit, e drogës kundër kulturës dhe teatrit tonë.

Në qoftë se e shohim me gjakftohtësi, droga, korrupsioni rrafshoi teatrin, gjë të cilën nuk e bënë as pushtimet më barbare. Beteja për teatrin është betejë mes mosqenies dhe qenies shqiptare. Betejë që zhvillohet në mes të Tiranës, në zemër të saj.

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës, çfarë na rikujton sot kjo betejë?

Personalisht më rikujton 2 korrikun e vitit 1990 kur të rinjtë shqiptarë, dhe në tërësi qenë punëtorë miqtë e mi, të themi të vërtetën, qenë njerëz që merrnin 3-4 mijë lekë rrogë, nuk blinin dot një këmishë, iu përveshën si luanë Perdes së Hekurt dhe e përmbysën. Kurse qyteti, kryeqyteti qendroi i mpirë.

Të mos harrojmë se beteja për teatrin është betejë për dinjitet kombëtar.

Është betejë për identitet kombëtar. Është betejë kundër të ligës së qenies sonë, armiqësisë së qenies sonë.

Teatri ka përsëri një grup qëndrestarësh të pamposhtur, heronj të vërtetë, të cilët po i kushtojnë jetën mbrojtjes së kauzës së tij. Por ajo nuk është vetëm kauzë e tyre, ajo është kauzë e çdo shqiptari. Ajo është kauzë e Shqipërisë. Ajo është kauzë e trashëgimisë sonë. Është kauzë e të ardhmes sonë.

Miqtë e mi!

Mos harroni se Edi Rama, Erion Veliaj, nuk kanë lënë kryeqytetin vetëm pa teatër. Jo, jo. Sot nuk kemi bibliotekë kombëtare. Shkoni pak në bibliotekë. Aty nuk shërbehet më.

Aty dikush, një dorë e zezë, i futi zjarrin bibliotekës. Donte të digjte bibliotekën e kombit. Dhe sot e kësaj dite nuk ka një inventar se sa mijëra vëllime, dokumente jetike kombëtare u dogjën nën flakët e zjarrvënësit barbar.

Por nuk mjaftoi zjarri kundër saj. U mbyt biblioteka, që nuk kishte ndodhur kurrë në histori. E mbyti korrupsioni i Erion Veliajt. Biblioteka ka punonjës të mrekullueshëm, ju them unë ju.

Kam kaluar shumë vite të jetës sime në atë bibliotekë pasditeve duke studiuar. Ka njerëz të përkushtuar, të apasionuar, shërbëtorë të vërtetë të librit dhe lexuesit. Ajo nuk funksionon më dhe askush nuk flet. I vetmi moment ishte dyllosja, politizimi i saj. Edhe ajo nga qendër e fuqishme e librit dhe kulturës, është shndërruar në një shtëpi harresë, që nuk flitet më për të. Që nuk shërbehet më.

Nga qendër e fuqishme e zhvillimit intelektual, ajo sot numëron rrënimet, pasojat e tmerrshme të zjarrit, të përmbytjes. Për muaj e muaj me radhë, me tharëse flokësh, thanin faqet e librave që i përmbysi Erion Veliaj. Askush nuk flet!

Të dashur miq!

Ishte diktaturë, në kohën më të zezë, por prapë Tirana kishte një teatër kukullash, një teatër për fëmijë. Dhe fëmijët prisnin të shtunën dhe të dielën të ndiqnin aty shfaqjen. Edhe teatrin e kukullave e ka marrë korrupsioni.

Sot pra Tirana është qytet pa institucione kulturore. Është qytet i zhveshur nga qendrat e mëdha që rrezatonin dritë dhe kulturë.

Çfarë ndodh me shqiptarët?

Kjo është një fushë, por është një fushë shumë sensitive, është një fushë shumë e rëndësishme, nga më të rëndësishmet.

Prodhoheshin filma, artistët tanë grupoheshin, bashkoheshin në skenarë filmash, interpretonin, dëshmonin talentin e tyre. Sot nuk ka më një film të këtyre njerëzve të talentuar sepse gjithçka është zëvendësuar me zhgarravinat e një hajduti të shpifur, e një hajduti të neveritshëm, që me Ismailin e tij qarkon zhgarravinat, të cilat me shumë të drejtë kritikët i artit i vlerësuan si krijesa të adoleshentit të droguar.

Ne jemi njerëz të kauzave të drejta dhe kauza e drejtë nuk mund të humbasë kurrë. Çdo kauzë e drejtë e humbur është humbje e tmerrshme për luftëtarët e të vërtetave dhe ata nuk mund të jenë kurrë luftëtarë të kauzave të humbura.

Prandaj dhe sot, më shumë se kurrë, duhet të zotohemi të vazhdojmë betejën me mosbindje civile.

Dje ne nderuam së bashku një ngjarje të madhe, betejën e guximtarëve, trimave të Kavajës në stadiumin e tyre 34 vite më parë. Por ju rikujtoj këtu sot se ata guximtarë të vërtetë, 34 vite më parë, u ngritën në stadiumin e tyre me thirrjet: o sot, o kurrë!

Ndaj dhe ne, le t’i përsërisim vetes sonë, le t’i përsërisim çdo shqiptari, çdo miku, çdo qytetari, çdo fermeri, çdo të riu, çdo studenti, çdo pensionisti: o sot, o kurrë për shpëtimin e Shqipërisë. Rroftë Shqipëria, rrofshi ju! Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco