VIDEO/ Berisha: Beteja jonë pa kthim është shpresa e vetme e shqiptarëve

09:23, 11/03/2024
A+ Aa A-

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen e thellë.

Të dashur miq!

Sonte do ta nis fjalën time, duke uruar besimtarët myslimanë shqiptarë për agjërimin në Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit. Nga zemra uroj që i madhi Zot të pranojë sakrificën e tyre, për veten, familjen dhe vendin.

Të dashur miq!

Sakrifica është mjeti që afron njeriun me Zotin, që afron njeriun me të vërtetën. Është mjeti me të cilin çdo njeri ka realizuar qëllimet e tij fisnike, ka realizuar ëndrrat e bukura, ndaj dhe ky muaj frymëzon opozitarët kudo që janë për sakrifica të mëdha për përmbysjen e këtij regjimi, për shpëtimin nga kjo e keqe e madhe.

Këto sakrifica do t’i afrojnë ata gjithnjë e më shumë me Zotin, me të vërtetën, do të bëjë të mundur realizimin e ëndrrave tona.

Demokrate e demokratë, qytetare edhe qytetarë!

Kthesa e madhe që kërkohet nga ne është jetike për përmbysjen e diktaturës së dytë, diktaturës që bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, bandat e tij, që bazohet në vjedhjen e qytetarëve shqiptarë dhe drogën. Kjo betejë është jetike, është vendimtare dhe kërkon nga ne sakrifica për të cilat ne, kam bindjen se do të jemi të gatshëm t’i bëjmë.

Ne nuk mund të pranojmë që një e keqe e madhe të rritet para syve tanë, të nxijë të ardhmen tonë, të shkretojë këtë vend sa asnjë luftë, sa asnjë pushtim në historinë e saj.

Edi Rama ishte në Shkodër. Shkoi në Shkodër pasi poshtëroi qytetin më keq se një pushtues, apo pasi e pushtoi atë me banda, pasi i grabiti votën me vrasësit serialë Bajrit, me Pëllumb Gjokën dhe banditë të tjerë.

Shkoi në Shkodër njëlloj si një pushtues i lig, kapardisej.

E vërteta është se Shkodrën dhe jo vetëm Shkodrën, por kurrë ndonjëherë veriun e Shqipërisë nga Fushë-Kruja gjer në Vermosh nuk e ka diskriminuar një sundimtar tjetër sa e ka diskriminuar Edi Rama. Nuk e ka shkretuar një njeri tjetër, sa e ka shkretuar Edi Rama.

Miqtë e mi!

Investimet 10-vjeçare të Shkodrës, epiqendra e veriut janë disa herë më të ulëta se ato të bashkisë Divjakë. Në të gjithë veriun nuk ekziston absolutisht asnjë projekt i ri i nisur, përveç se zvarritjes dhe mospërfundimit të një serie projektesh në vazhdim.

Vendosi taksën në Rrugën e Kombit.

Gjeni kund 100 metër rrugë nga Miloti në Rrëshen që të jetë zgjeruar.

Ka 1 muaj që jep një lajm se po përfundon ura e Kukësit, ura që ka filluar të paktën 6 vite më parë. Shkodrës dhe veriut Edi Rama i bëri gjëmën. Ju duhet ta dini se Shkodra është qyteti më i braktisur nga qytetet e mëdha të Shqipërisë.

Ndërkohë potencialet e Shkodrës nuk i ka asnjë qytet tjetër në Shqipëri, në Europë dhe më gjerë. Në qoftë se ka  një qytet me një mrekulli natyrore, me një mrekulli historike dhe çdo gjë, është qyteti i Shkodrës të cilin e batërdisin bandat e Edi Ramës, Bajrat, Gjokajt, e bandat e tjera.

Kështu është po të marrësh rrethet me radhë.

Në 11 vite mezi përfundoi së asfaltuari 10 kilometra në rrugën Bajram Curri-Valbonë dhe dërgoi atje për tu nderuar të korruptuarin McGonigal dhe e çoi atje për ti dhënë atij titullin ‘Qytetar Nderi’ si anëtar i grupit kriminal të Edi Ramës.

Kur e dërgoi Damianin për t’i dhënë ‘Qytetarinë e Nderit’ e dinte mirë se çfarë përfaqësonte McGonigali, një turp, një krim si vetja e tij. Por ky është Edi Rama, ky është morali i tij, kjo është urrejtja e tij atërore, diskriminimi, përçarja e tij kombëtare.

Edi Rama, askush të mos mendojë se ka investuar në jug, sepse ndihet më jugor. Jo, ka investuar në jug për interesa të veta dhe të klanit të tij.

Ju garantoj se investimet në jug janë investime kryekëput fitim prurëse për Edi Ramën dhe bandën e tij. Se prapa çdo investimi qendron përqindja e tmerrshme që ka vjedhur për veten e vet.

Miqtë e mi!

Merrni pak tunelin e Llogarasë.

Tuneli i Llogarasë i cili në mënyrë absolute gjatë gjithë muajve të vonë të vjeshtës, dimrit, mbetet vetëm për tu strehuar berre dhe shpendë, sepse makinat janë aq të rralla, sepse kalimet janë aq të pakta.

Po pse e bëri tunelin që kushtoi gjer tani 160 mln euro u bënë se u ndanë fitimet, u bë se u nda 30% me kompaninë e cila nuk doli dot as në aksin e duhur.

Dhe tani shpenzo e shpenzo nga paratë e taksapaguesve për t’i ndarë me Edi Ramën. Mund të numëroj një seri projektesh të tjera.

Pra, Edi Rama është një armik i qenies shqiptare, një antishqiptar më i egër që ka patur Shqipëria ndonjëherë. Një albanofob i verbër që ka si qëllim vetëm të zhbëjë këtë komb dhe këtë vend.

Të dashur miq!

Beteja jonë pa kthim, është shpresa e vetme e shqiptarëve. Sakrificat tona janë shpresa e vetme e shqiptarëve. Kauza jonë e drejtë meriton çdo sakrificë. Kauza e drejtë nuk humbet kurrë në rast se ajo nuk tradhtohet, në rast se ajo nuk dorëzohet.

Unë kam bindjen më të thellë se demokratet e demokratët do të mbrojnë me çdo çmim kauzën e tyre e cila do të fitojë si kauzë e drejtë. Qeveria teknike është zgjidhja e vetme. Vota e lirë e shqiptarëve është rruga e vetme për rikthimin në pushtet të shqiptarëve, për rikthimin në pushtet të PD.

Thirrja ime për çdo qytetar është të ngrihemi, të mos pajtohemi me pushtetin e krimit.

Pushteti në Shkodër i Bajrëve nuk është i qytetarëve. Pushteti në Lezhë është i Ndokëve, trafikantëve dhe vrasësve, nuk ka asgjë të lidhur me qytetarët. Pushteti në Vlorë është i bandave. Në Elbasan është i Taulant Ballave dhe bandave të tjera. Në Korçë po kështu. Në Tiranë i qeveritarëve hajdutë. Ky pushtet duhet përmbysur me guxim dhe vendosmëri.

Kam bindjen se demokratët, misionarë të vërtetë të lirisë, të dinjitetit njerëzor, do të mbrojnë gjer në fund kauzën e tyre të drejtë. Do të luftojnë për dinjitetin e tyre dhe të Shqipërisë.

Në një vend ku vota e lirë është varrosur me kohë. Në një vend ku drejtësia kontrollohet në çdo qelizë të saj. Në një vend ku të ardhurat plaçkiten dhe grabiten nga nomenklatura e qeveritarëve dhe oligarkët e saj, qytetarët kanë vetëm një rrugë: betejë, betejë, betejë pa kthim gjer në fitore.

Edhe njëherë ju falënderoj me mirënjohje të thellë. Le të vazhdojmë ne marshimin tonë, të vazhdojmë ne betejën tonë. Kauza jonë nuk mposhtet kurrë, nuk humbet kurrë, ajo do të triumfojë.

Rrofshi ju, rroftë Partia Demokratike, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco