Komandanti i KFOR-it kërkon përgjegjësi për sulmin në Banjskë

Komandanti i KFOR-it kërkon përgjegjësi për sulmin në Banjskë

09:45, 21/02/2024
A+ Aa A-

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutash , e ka cilësuar sulmin ndaj KFOR-it në veri më 29 maj dhe sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, të papranueshëm.

Ai tha në TV Dukagjini se sulme të tilla nuk duhet përsëritur më, teksa shtoi se autorët e tyre duhet të mbahen përgjegjës e të sillen para drejtësisë.

I pyetur se a mund të diskutohet rasti i Banjskës me komandën ushtarake serbe, e cila u akuzua se i liroi asetet ushtarake për trajnimin e grupit terrorist, Ulutash tha se “KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe vendorë. Po i diskutojmë të gjitha zhvillimet relevante të sigurisë në rajon”.

Komandanti i KFOR-it theksoi se kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i kryejnë hetimet e nevojshme në mënyrë që të konstatohen të gjitha faktet.

“Pikë së pari, sulmi i 29 majit ndaj trupave të KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës ishin të papranueshme dhe nuk duhet të përsëriten. Autorët e kësaj dhune duhet të mbahen përgjegjës. U kemi bërë thirrje autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që t’i kryejnë hetimet ligjore të nevojshme për t’i konstatuar faktet dhe për t’i sjellë personat përgjegjës para drejtësisë. Të gjitha këto pika u bënë shumë të qarta edhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në rajon në nëntorin e kaluar. Në vazhdën e dhunës, NATO zbarkoi rreth 1,000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh kontingjentit tonë në Kosovë gjatë një dekade. Kjo tregon se NATO është e gatshme që ta ruajë paqen”, tha ai.

Ulutash u shpreh se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë janë të gatshëm të përballen me çdo situatë.

“KFOR-i ka një prani të shpejtë, fleksibile dhe të dukshme në të gjithë Kosovën. Ne mbetemi vigjilentë dhe të përqendruar në zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të misionit tonë me mandat të OKB-së. Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm që të përballemi me çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë që të operojmë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in”, tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco