Berisha: Çdo akuzë e opozitës, çdo denoncim i juaji në këto dy vite është faktuar

Berisha: Çdo akuzë e opozitës, çdo denoncim i juaji në këto dy vite është faktuar

19:21, 19/02/2024
A+ Aa A-

Gjatë fjalës në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, deklaroi se çdo akuzë e opozitës dhe çdo denoncim i juaji në këto dy vite është faktuar.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Të dashur miq, nuk ishte një betejë e thjeshtë kjo e jona. Shqipëria vitet e fundit ka qenë e sulmuar, një agresion i mirëfilltë kundër popullit shqiptar nga aleanca e krimit, drogës dhe korrupsionit. Aleanca, siç u pëlqejnë vetë atyre të quajnë veten, e qelbësirave.

Kjo aleancë, mblodhi kundër shqiptarëve në çatinë e saj, krimin e organizuar, korrupsionin gjigant, korrupsionin transnacional, mediat e korruptuara, antishqiptarë të të gjitha llojeve, mafien ndërkombëtare të Xhorxh Sorosit dhe mafie të tjera.

Të gjitha këto u bashkuan nën emrin Rilindje, dhe të drejtuara nga tradhtari më i ndyrë në historinë e kombit shqiptar, Edvin Kristaq Rama.

Kjo aleancë ka para të pashtershme droge dhe korrupsioni.

Kjo aleancë ka media të fuqishme.

Kjo aleancë ka korruptuar kokë e këmbë drejtësinë e re, drejtësinë e tyre.

Kjo aleancë ka korruptuar ambasadorë, diplomatë, gjer dhe shefin e kundërzbulimit të partnerit kryesor strategjik të Shqipërisë.

Të gjitha këto ishin investuar për të mbyllur sytë shqiptarëve ndaj të vërtetës, ndaj vjedhjeve të tmerrshme që po u bënin.

Propagandë e pafundme, mashtrime mediatike të llahtarshme, dezinformime të liga, të gjitha me qëllim që të mbulohej e vërteta se kombi shqiptar është një komb i agresuar, është një kombi i sulmuar.

Dy vite më parë, pasi ne si opozitë u ngritëm, ne folëm të vërtetën. Me të madhe theksuam se Shqipëria është në rrezik.

Shqipëria në rrezik ishte slogani ynë, por për hir të vërtetës jo të gjithë na besuan.

Vjedhjet e Edi Ramës ishin aq monstruoze sa ngjanin me trillime.

Shkatërrimet e Edi Ramës ishin aq katastrofike, sa Shqipëria ngjante një vend i mallkuar dhe jo i keqqeverisur.

Por tani, dy vite më vonë, e vërteta ka dalë në dritë.

Çdo akuzë e opozitës, çdo denoncim i juaji në këto dy vite është faktuar. E vërteta ka dalë në dritën e diellit.

Prandaj çdo demokrat, më datën 20 shkurt në njërin krah ka këtë të vërtetë që ecën bashkë me të. Kjo e vërtetë do bëjë çdo protestues të pandalshëm, do bëjë çdo protestues fitimtar.

Sepse Edi Rama, ky hajdut i pangopur është rrezik për xhepat e shqiptarëve. Këtë e ka denoncuar opozita, por e ka provuar edhe Eurostat, i cili gjen se shqiptarët, të cilët 10 vite më parë kishin rrogat më të larta në rajon, tani kanë rrogat më të ulëta. Sot shqiptarët kanë rroga afrikane, kurse çmimet i kanë të kripura evropiane.

Prandaj dhe sot në emër tuaj u bëj thirrje solemne çdo shqiptari që nuk e shtyn dot muajin, që ankthi e kaplon kur hyn në merkato nga çmimet e shportës, që i qan zemra që nuk siguron dot një ditëlindje dinjitoze për fëmijën e tij, që nuk mbulon dot në shpenzim të papritur, ka shansin më 20 shkurt të eci në krahë të vërtetës dhe të gjunjëzojë shkaktarin e fatkeqësisë së tij.

O sot, o kurrë, me 20 shkurt të gjithë në shesh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco