SYRI TV/ Qeveria fsheh raportin e koncesioneve, nuk ka asnjë kontroll prej më shumë se një viti

12:44, 22/01/2024
A+ Aa A-

Raporti për ecurinë e koncesioneve është fshehur nga qeveria prej më shumë se një viti. Gjatë kësaj periudhe kohore, kontratat më problematike dhe më të shtrenjta në historinë e Shqipërisë nuk janë publikuar nga Ministria e Financave. “Syri Televizion” konstatoi se Raporti i fundit për koncesionet i përket vitit 2021, e që prej asaj kohe është zbuluar se disa prej kontratave kryesore të nënshkruara nga qeveria e Edi Ramës janë korruptive dhe abuzive.

SYRI TV

Qeveria ka vendosur të fshehë raportin për ecurinë e koncesioneve. Prej më shumë se një viti, Ministria e Financave nuk publikon raportin e monitorimit të kontratëve të Partneritetit Publik Privat. Bëhet fjalë për kontratat më problematike dhe më të shtrenjta në historinë e Shqipërisë.

“Syri Televizion” konstatoi se Raporti i fundit për koncesionet i përket vitit 2021. Prej asaj periudhe, është zbuluar se disa prej kontratave kryesore të nënshkruara nga qeveria e Edi Ramës janë korruptive dhe abuzive. Disa hetime të Prokurorisë së Posaçme SPAK, megjithëse të ngadalta, kanë provuar se të tre kontratat koncesionare të depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve, janë shoqëruar me kryerjen e një serie veprash penale, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave, falsifikimin e dokumentave dhe shpërdorimin e detyrës.

Po ashtu, edhe kontratat koncesionare në sektorin e Shëndetësisë gjithashtu janë shoqëruar me dyshime të forta për abuzim. Deri më tani, hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar shkelje të rënda në koncesionin e Sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar probleme të theksuara buxhetore edhe në tre kontratat e tjera koncesionare në sektorin e Shëndetësisë, të firmosura të gjitha në kohën kur Ilir Beqja ishte Ministër i Shëndetësisë.

Problematikat e këtyre koncesioneve, por jo vetëm, duket se e kanë detyruar Ministrinë e Financave dhe qeverinë e Edi Ramës që të mos publikojnë raportin mbi ecurinë e koncesioneve për vitin 2022, por edhe për vitin 2023.

Në raportin e fundit të publikuar, që i përket vitit 2021, Ministria e Financave pranonte se ka pasur vështirësi në monitorimin e të gjithë kontratave koncesionare. Megjithatë, siç pohonte Ministria, “po punohej në mënyrë të vazhdueshme e këmbëngulëse për të realizuar një proces transparent raportimi mbi ecurinë e koncesioneve”. Duket se puna këmbëngulëse ka qenë fshehja totale e transparencës, të paktën për dy vitet e fundit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco