Ish-ministri serb paralajmëron në BILD: Putini po rrëmben Ballkanin!

Ish-ministri serb paralajmëron në BILD: Putini po rrëmben Ballkanin!

20:31, 18/12/2023
A+ Aa A-

Nga Peter Tiede, BILD

Ai konsiderohet si autokrati i plotfuqishëm i Ballkanit, lavdëron gjakderdhësit si Vladimir Putin dhe diktatorët brutalë si Xi Jinping i Kinës- dhe Berlini dhe Brukseli po mendojnë seriozisht që ta anëtarësojnë atë në BE: udhëheqësi serb, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti ka thirrur 6.8 milionë serbët e tij në kutitë e votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Një lëvizje tipike për thatanikun e gjatë, i cili ka shërbyer si ministër nën kasapin e kombeve dhe kriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviç dhe konsiderohet si guvernator i Rusisë në Ballkan.

Tani flet dikush që shërbeu si ministër i Ekonomisë nën Vuçiçin, por që për shkak të Rusisë ra nga posti: Rade Basta, ish-oficer policie dhe menaxher energjie.

Në intervistën e tij për BILD, Basta paralajmëron në mënyrë eksplicite për Vuçiçin. Gjermania dh BE duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se edhe Moska është ulur në tryezën e bisedimeve me Vuçiçin. Vuçic po mashtron BE-në. Udhëheqja ruse dhe mafia e saj e kan Ballkanin nën kontroll, po rrezikojnë stabilitetin në fuçinë e barutit të Ballkanit- dhe synojnë në mënyrë të qartë të destabilizojnë Bashkimin Europian.

BILD e takoi Rade bastën në Berlin për një intervistë.

Lideri serb Vuçiç dhe BE

Basta: “Thjesht nuk ka vullnet në Beograd për të ecur në përputhje me politikat dhe standardet evropiane kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. As që bëhet fjalë”.

-“Brukseli dhe Berlini më në fund duhet të pyesin veten seriozisht me kë kanë negociuar në Beograd prej vitesh, kryesisht pa rezultate: Aleksandër Vuçiçin dhe, mbi të gjitha, njerëzit përreth tij i kanë sytë nga Moska”.

-“Qeveria serbe është një rrezik për Ballkanin dhe një rrezik për Europën”.

Dështimi i Gjermanisë

Basta: “Në fund të fundit, për ne në Serbi, por edhe për fqinjët tanë në Ballkan, gjithçka varet nga ajo që duan dhe janë të përgatitur të zbatojnë Berlini dhe Brukseli. Dëshironi një Ballkan demokratike apo dëshironi të vazhdoni të shikoni të gjithë rajonin të kthehet në një koloni mafioze ruse?”.

-“Për momentin, politika e tyre e verbër në Ballkan po siguron që Moska të fitojë: njerëzit e Moskës po veprojnë në Serbi, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi”.

-“BE duhet të marrë në konsideratë pranimin e shpejtë të Ballkanit në BE, për të kundërshtuar ndikimin keqdashës të Rusisë. Gjermania në veçanti, si fuqia më e fortë në BE, duhet ta ketë pranuar prej kohësh se ka të bëjë me një forcë mafioze nga Moska”.

Ndikimi i Putinit

Basta: “Moska nuk dëshiron as një Ballkan demokratik dhe as një Serbi të orientuar nga Perëndimi”.

-“Ndikimi i Moskës në Serbi është i madh. Moska e ka Beogradin në duart e saj, veçanërisht në sektorin e energjisë, shumica e të cilit është në duart e kompanive ruse”.

-“Kur erdha në detyrë, një nga deklaratat e mia të para ishte se doja të mbyllja bazën ruse pranë qytetit të Nishit. Më në fund u pushova nga qeveria pasi fola pro sanksioneve kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës”.

-“Partia ime ‘Rruga Europiane’ u përjashtua nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare- u pranua një parti e Moskës me të njëjtën madhësi, ‘Partia Ruse’. Kjo thotë shumë për Serbinë sot: një parti evropiane nuk lejohet të kandidojë, por një parti ruse po”.

Beogradi si fole kontrabandistësh

Basta: “Serbia është një nga pikat më të rëndësishme të transportit të kontrabandës në Rusi. Nën sytë dhe me dijeninë e autoriteteve, komponentët për industrinë ruse të mbrojtjes po sillen gjithashtu në Serbi nga Europa Perëndimore dhe më pas rideklarohen dhe dërgohen duke anashkaluar sanksionet”.

Përfundimi i Bastës

Sipas Bastës, pa një politikë vërtet të ashpër dhe të qëndrueshme nga Brukseli dhe veçanërisht nga Berlini, Serbia dhe bashkë me të, pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, do të humbasin për Europën: Ato do jenë nën kontrollin e Putinit dhe njerëzve të tij nga mafia dhe politika ballkanike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco