Berisha: Mosbindjen Civile në parlament, mbarë bota e ka përcjellë si refuzim të Edi Ramës!

Berisha: Mosbindjen Civile në parlament, mbarë bota e ka përcjellë si refuzim të Edi Ramës!

13:00, 16/12/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në takimin që mbajti sot me degën e PD në Gjirokastër, tha se mosbindja civile në parlament ka pasur efekt të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare." 

"Tom Doshi, pa bërë një ditë fushatë elektorale, por vetëm duke shpërndarë para, e rriti me 240 % votat e tij, - tha ai. - Pra a mundet ne njerëz politikë, që në fund të fundit nuk mund të mohohet, idealet tona janë ideale të të vërtetës. Idealet, sakrificat, përpjekjet tona janë për të vërtetën.

A mundet ne të pranojmë një situatë të tillë, të shkojmë nga zgjedhje në zgjedhje, të themi se ky i vjedh, por i fiton. Apo të angazhohemi në një betejë me gjithë fuqinë tonë që qytetarët tanë të votojnë të lirë.

Unë mendoj se këtë detyrim kemi. Ne jemi parti që sollëm pluralizmin, që e morëm Shqipërinë nga e morëm dhe e nxorëm anëtare të NATO-s e me radhë. Por këto janë histori.

Tani nga ne kërkohet që shqiptarët të votojnë të lirë. Të çlirojmë shqiptarët, të shpëtojmë shqiptarët nga një armik më i egri që ata kanë patur ndaj votës së tyre të lirë. Më i egër se Ramiz Alia që ishte diktatori i fundit. 

Pse ne duhet të shënojmë një kthesë rrënjësore në qëndrimin tonë. 

Pasi të garantojmë zgjedhjet, tani këta deputetë që janë aty të opozitës ti shumëzojë me zero. Dy vite ka Tritan Shehu që ka dorëzuar në parlament një rezolutë për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve. Dy vite, e ka ngritur në parlament 20 herë të paktën.

Ligji thotë se ajo rezolutë kalon nga sekretaria në komisione, nga komisionet në sallën e Kuvendit dhe hidhet poshtë apo miratohet. 

Këtë e thotë kushtetuta, kushtetuta që garanton të drejtën e çdo deputeti për iniciativën ligjvënëse.
31 amendamente dhe ligje tona, bllokohen nuk ekzistojnë. Sikur ne nuk jemi deputetët aty, por jemi figurantë që shkojmë sa për të thënë se parlamenti ka opozitë.

Çfarë opozite jemi ne aty? Nuk jemi opozitë faktikisht, por ne jemi falsitet. Duhet të themi realitetin. Në mënyrën më të përsëritur i kisha thënë kryetares se po e shkatërron parlamentin, se nuk pajtohemi me ato që bëni ju, duke i dhënë mundësi që të ndryshonte. 

Kjo solli fillimin e mosbindjes civile në parlament.

Mosbindja civile është një kthesë për PD, shënon një kthesë shumë të madhe.

Nëse përpara PD në situata të tilla bojkotonte parlamentin, kësaj here ajo vendosi të mos e bojkotojë, të mos e lëshojë parlamentin. 

Faktikisht kjo mosbindje civile në parlament ka patur efekt të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare. 

Është fituar në opinionin publik botëror një betejë jashtëzakonisht e rëndësishme. Mbarë bota e ka përcjellë së pari, si refuzim të Edi Ramës për tu kontrolluar. Por kjo kudo, për çdo njeri që ka abc e demokracisë dhe pluralizmit është e qartë se kjo është mohim i të drejtave themelore, kushtetuese të vendit. Është grusht shteti.

Nëse sovraniteti i jashtëm ka të bëjë me mbrojtjen e territorit të tij dhe vendimet e pavarura në raport me arenën ndërkombëtare, sovraniteti i brendshëm nuk është asgjë tjetër veç se e drejta e qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre. Ky është ligji.

Mbi këtë bazë krijohen komisione në mënyrë të pandërprerë, të vazhdueshme. 

Thirren në komisione presidentë, familjarëve të presidentëve, ministra e me radhë. Ky e bllokoi këtë në mënyrë kategorike, 8 komisione për të mos u hetuar vetë.
Kjo betejë është frymëzuese për PD. Ajo mosbindje civile solli një sensibilizim të opinionit botëror ndër më të mëdhatë në memorien time 32 vjeçare. "

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco