VOA/ Gazetarët në Shqipëri, të frikësuar dhe shantazhuar nga qeveria! Nuk lejohen në aktivitetet e institucioneve

VOA/ Gazetarët në Shqipëri, të frikësuar dhe shantazhuar nga qeveria! Nuk lejohen në aktivitetet e institucioneve

19:47, 13/12/2023
A+ Aa A-

Organizata të gazetarëve dhe shoqërisë civile diskutuan me shqetësim sot mbi gjendjen e vështirë të medias në Shqipëri, e cila pasqyrohet edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Krahas frikësimit dhe censurimit të gazetarëve, pjesëmarrësit theksuan në konferencën e Qendrës “Faktoje” se qeveria po përgatit një udhërrëfyes, ku nuk shprehet qartë për dekriminalizimin e shpifjes sipas standarteve europiane, dhe nuk po zhvillon me shoqërinë civile një dialog gjithëpërfshirës dhe transparent.

Në raportin e Progresit të hartuar nga Komisioni Europian për këtë vit theksohet se ka bërë një përparim të kufizuar në harmonizimin e ligjit për mediat audiovizuale me Direktivën Europiane për mediat audivizuale, por nuk ka përmirësim për sa u takon sulmeve verbale dhe fizike, fushatat denigruese dhe paditë kundër gazetarëve.

Pengesat kryesore të pavarësisë së mediave, pluralizmit dhe gazetarisë cilësore janë, sipas raportit ndërlidhja e bizneseve me interesat politike, mungesa e transparencës mbi burimet e financimit të medias, përqëndrimi i pronësisë së mediave, frikësimi i gazetarëve si dhe kushtet e vështira të punës së tyre.

“Sa herë që vij në Shqipëri shqetësohem me gjendjen e mediave, me degradimin që u bëhet gazetarëve nga pronarët dhe nga njerëzit në pushtet dhe në opozitë. Shqetësohem po ashtu për faktin që Shqipëria është një vend ku shumë vështirë që publiku të informohet se si informohet pushteti. Shoqëria civile dhe organizatat duhet të flasim dhe të monitorojmë situatën”, thotë për Zërin e Amerikës Flutura Kusari, përfaqësuese e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.

Pjesëmarrësit në tryezë theksuan nga raporti i Komisionit Europian, se zyrtarët e lartë dhe politikanët kanë vazhduar të shprehin një gjuhë denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave, ndërkohë që sulmet ndaj gazetarëve nuk monitorihen sa duhet në ecurinë e tyre gjyqësore.

Ndërkohë është vërejtur se mediat po financohen nga nga pronarë me agjenda politike, madje ka dyshime që persona të akuzuar për krime dhe pastrim parash, mund të jenë duke financuar për t’iu fshehur drejtësisë.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që kemi një demokraci të brishtë. Shoqëria jonë po vuan nga një tranzicion i stërgjatur, ndërsa kemi një opozitë jo të fortë dhe me shumë probleme. Ndaj media ka një rol shumë të fortë për të gjithë grupimet; për qytetarët, për politikën, për zhvillimin dhe forcimin e shoqërisë civile dhe shoqërisë shqiptare në tërësi”, thotë Klodiana Kapo, drejtuese e Qendrës Faktoje.

Qeveria është duke përgatitur një udhërrëfyes për trajtimin e cështjeve në kapitujt 23 dhe 24 të për negociatat me BE-në, me rëndësi të madhe për median, ligjet dhe të drejtat themelore dhe fusha të tjera, ndërsa projekti përfundimtar nuk është ende publik.

Veprimtarët pohuan se për këtë dokument nevojitet gjithëpërfshirje dhe transparencë e plotë, një dialog i strukturuar i qeverisë me shoqërinë civile, e cila ka propozuar dekriminalizimin eplotë të shpifjes sipas standrteve të BE-së dhe po pret që kjo pasqyrohet qartë në udhërrëfyes dhe në ndryshimet kodit penal.

Gazetarët sërish shprehën shqetësimin për qasjen e kufizuar në informacionin zyrtar, në dokumente me rëndësi për shkrimet e tyre, si dhe për moslejimin për të ndjekur nga afër veprimtaritë e institucioneve, të cilët nisin më pas materiale video e tekste të përgatitura në zyrat e tyre.

“A duhet që ne problemet që ka media ne t’i përdorim për të mbuluar ligjet korruptive, sjelljet arrogante, mungesën e transparencës, hapësirën e munguar për mediat në Kuvend?! Sot ne kemi kaluar nga bllokimi pothuajse i plotë i aksesit në institucione, te pengimi i aksesit të medias në informacion”, tha deputetja Jorida Tabaku, kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Problemet e medias në Shqipëri, sipas veprimtarëve në konferencë nisin me kushtet e vështira të punës së gazetarëve, të cilët nuk kanë as qasje fizike në kontratën e punës, dhe nuk kanë ditë pushimi, sulmohen nga politikanë të pushtetit dhe opozitës, censurohen dhe vetëcënsurohen, si dhe keqtrajtohen nga administrata publike dhe nga pronarët e vet.

Pas mungesës së forumeve vetërregulluese të medias, pjesëmarrësit shpresojnë se zëri i ngritur i tyre do të rritë trsyninë e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë shqiptare për t’iu kthyer dialogut dhe bashkëpunimit për të përmirsuar situatën e vështirë, ku gjenden sot mediat shqiptare dhe sidomos gazetarët e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco