‘Veliaj ushtroi presion për bonusin’/ Berisha publikon shkresën e skandalit: Rama firmosi sërish vendim të personalizuar

‘Veliaj ushtroi presion për bonusin’/ Berisha publikon shkresën e skandalit: Rama firmosi sërish vendim të personalizuar

13:11, 11/12/2023
A+ Aa A-

"Erion Veliaj ka përgjegjësi të plotë dhe është kryesor në skandalin apo krimin e dhënies së bonusit prej tetë pikësh", deklaroi sot Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë një konference shtypi për aferën e inceneratorit të Tiranës, për të cilën SPAK ka nisur hetimet dhe arrestimet.

Berisha tha: "Arben Ahmetaj, i cili ka pasur vetëm një përfaqësues në KVO, është akuzuar se ka ushtruar presion për bonusin në KVO. Erion Veliaj ka pasur dy përfaqësues, ai dhe jo vetëm ai, kanë ushtruar presion të madh mbi anëtarët, mbi kokat e turkut, punonjësit e bashkisë, që të firmosin në KVO, ndonëse atyre u njohu meritën se kanë deklaruar që kjo nuk mund të bëhet me financimin e bashkisë. Që kanë kërkuar që çështja t’i kalojë për kompetencë Këshillit Bashkiak. Por presioni ka qenë i rëndë mbi ta.

Tani, meqë jemi këtu, ndaluni për një moment.

Në rastin e klubit Partizani, kryetari i bashkisë, Edi Rama firmos me vulë dhe firmë, ndryshimin e destinacionit. Dhe ai nuk thirret njëherë të vetme në prokurori për t’u pyetur, në një kohë kur këta kanë bërë një propozim, arrestohen. Pra, Rama që bën ndryshimin e destinacionit, amnistohet paçka se shkel në mënyrë flagrante ligjin, kursë këta fakirët që propozojnë, nuk janë këta që vendosin, këta bëhen kurbanë për të shpëtuar Veliajn dhe jo vetëm Veliajn.

Së fundmi, lidhur me rolin direkt të Erion Veliajt në procedurën e djegësit të Tiranës, provon qartë edhe korrespondenca zyrtare mes ministrit Koka dhe ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.

Siç do ju bëjmë me dije sot, Edi Rama së bashku me Engjëll Agaçin, me vendimin numër 855, datë 7 dhjetor, kanë miratuar dhënien e bonusit 8 përqind ndaj kompanisë Integrated Energy, e cila nuk ekzistonte dhe do krijohej 9 muaj më vonë.

Po në lidhje me këtë çështje, do sjell para jush një shkresë dërguar ministrit Lefter Koka me datën 15 nëntor 2016 nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili shprehet se: nisur nga interpretimi literal i kësaj dispozite si dhe nga analiza në tërësi e nenit 25 të ligjit 125/213 që trajton propozimet e pakërkuara, konstatojmë se në asnjë pikë të tij nuk përmendet apo autorizohet shprehimisht Këshilli i Ministrave për miratimin e dhënies së bonusit.

E kuptoni pra si u investua Edi Rama me Agaçin dhe Metanin në vjedhjen e shekullit për xhepat e tyre, për diçka që nuk ua kërkonte ligji.
Dhe këta këtu, bënë propozimin, janë brenda këta se propozuan, kurse këta që vendosën në kundërshtim me ligjin, këta vazhdojnë të mbrojtur në mënyrën më kriminale pa asnjë lloj akuze, të pamarrë në hetim.

Edhe njëherë, në 110 faqe, apo sa ka dosja e fundit, emri i Erion Veliajt nuk përmendet asnjëherë.

Nuk guxojnë të përmendin asnjëherë, ose ua kanë mbyllur gojën me qindra e mijëra euro, zyrtarëve të shitur të sistemit të drejtësisë.

Pika 7 e këtij neni, vazhdon Manjanin, përcakton se Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për vlerësimin e pranueshmërisë për mbajtjen dhe trajtimin e propozimeve të pakërkuara, pa individualizuar.

Por manjaku i individualizimeve për të mbushur xhepat e tij, Edi Rama, njëlloj si në rastin e Bolinos, që firmosi për të plaçkitur 5 mijë metër katrorë të lënë për shkollë, i individualizon gjërat në mënyrë që të mos e diskutojë më kush pronësinë për sipërmarrjen.

Manjani i thotë se nuk mund të miratohet me personalizim. Kjo është katastrofë, ti e merr përsipër, e bën ndërmarrjen tënde pastaj."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco