‘Check up’ i arsimit parauniversitar: 25 arsye pse shkuam në fund të klasifikimit

‘Check up’ i arsimit parauniversitar: 25 arsye pse shkuam në fund të klasifikimit

11:26, 09/12/2023
A+ Aa A-

"Me GDP për arsimin 2.8%, cili është më poshtë se ne nga vendet e përfshira në PISA?! - Asnjë! E po, këtë vend ska se kush të na e zërë tjetër!"

Nga Msc. Ilir Bodini, specialist për çështje ligjore  në edukim.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve PISA, është vërtetë një check up, që mat njohuritë në disa fusha të edukimit, identifikon problematikat dhe shtetet pjesëmarrëse orientojnë politikat e tyre në sistemet arsimore.

Si profesionist edukimi ndërthurur me ekspertizën ligjore sidomos në fushën e arsimit si jurist, avokat, dhe matës i herëpashershëm i klimës së marrëdhënieve të punës në arsim në të tria niveleve, vërtetë kam qenë kritik për shumë problematika në çdo qeverisje, poor sot bashkohem me mendimin e disa intelektualëve që kur diskutojmë, dalim në konkluzionin: Ishim mirë kur ishim keq.

Shoh që ka dy ditë nëpër studio tv dalin manekinë për të nxjerrë lloj-lloj justifikimesh për të mbrojtur paaftësinë e tyre, saqë vërtetë më ka marrë malli për Frrok Çupin e Skënder Minxhozin.

Janë gati të thonë se fajin e ka konflikti brenda PD,  vetëm e vetëm të mos  kenë përgjegjësi për vete. I bien edhe shumë larg nga Kina. Thonë pandemia, tërmeti e ça nuk thonë.

Ju garantoj që më shumë impakt ka shpërthimi i Gërdecit mars 2008  në rajonin ku u ndje vala e shpërthimit se tërmeti e pandemia. Ju kujtoj që marsi 2007 ishte afërsisht viti i lindjes së atyre që u testuan në vitin 2022.

1. 15 vjeçarët e testuar në 2022 në gjysmën e dytë të 2019 ishin në klasë  të 6-të që do të thotë se dy nivele 3+3 i kishin mbaruar.

2. Tensioni që u krijua në 2014 me largimin nga puna të 4 mijë “jomësuesve”, dhe stresi që u krijua për të futur mësuesit në testim bëri që ata të ishin krejt të pasigurtë për çfarë mund të ndodhte me të ardhmen e tyre. Edhe domatet në verën e 2022, u tha nga specialistët e fushës që nuk ishin cilësore për shkak të “stresit” të klimës..

3. Ajo që ndodhi me mësuesit duke i mbingarkuar me shkresa të panevojshme dhe duke marrë nga koha e punës së mirëfilltë në procesin mësimor, përveç të tjerash ishte stresante.

4. Në kualifikimin e mësuesve 2020 u fut udhëzimi që kush nuk merr kualifikimin del nga sistemi për një vit… Dhe ngelën jo pak por 2 mijë, por jo ata që duhej të ngelnin. Pas një viti u hoq ky kriter absurd.

5. U hoq edhe dokumentacioni i fryrë i panevojshëm që u trumbetua si sukses por edhe kur u hoq si i tillë u trumbetua.

6. Në vitin 2015 u bë reforma territoriale e pakonsultuar, e pastudjuar ku dhe arsimi e pagoi shtrenjtë me ndarjen e re territoriale dhe organizimet e rajoneve e të asaj të përgjithshme DPAP. Ku Zyrat Arsimore pathuajse u zhbënë duke i kthyer në një “apendix” pa asnjë rol, dhe të demotivuar në pagë dhe kushte pune.

7. Reforma e ndarjes në rajone i la mësuesit rrugëve sa në një ZA në tjetrën, duke krijuar një pasiguri dhe vështirësi në punën e tyre të përditshme. Ata duhej të sistemoheshin brend ZA administrative.

8. Të gjithë e thonë nën zë që ndarja e APU në rajone është dështim total, por askush nuk guxon ta thotë publikisht. Pasi të vjen mesazhi “ suksese në jetë”.

9. Hapja e “shkollës së drejtorëve”, përfshirja në ligjin 69/2012 në nenin 27/1 ishte një diskriminim dhe injorim për mijëra profesionistë edukimi të cilët kishin kualifikimet  dhe aftësitë drejtuese e menaxhuese, të organizuar politikisht apo jo. Ky kriter përjashtues vendoste ndëshkim dhe përjashtim për ata që nuk plotësonin kriterin e nenit 27/1. Habitemi pse opozita nuk e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë nen. Shkolla e drejtorëve mund të jetë alternativë por jo  kriter diskriminues për të tjerët. Kurse trajnimi për drejtues shkollash janë zhvilluar dhe më parë nga ISP, ku ka nga ata që u bënë edhe ministre arsimi. Fakultete edukimi kanë  programe MSC për drejtim e menaxhim arsimi, por këto nuk vlejnë përballë kursit  “shkollës së drejtorëve”, duke fyer rëndë edhe stafet akademike apo fakultetet e edukimit.

10. Koncepti i standardeve bashkëkohore kërkon një rol të rëndësishëm të prindërve në vendosjen e drejtuesve të IA. Kush e do një arsimim e edukim më të mirë, prindi, familja, komuniteti apo politikani i papërgjegjshëm që ndan copa nga torta e pushtetit si shpërblim??

11. Në asnjë IA parauniversitar nuk kemi  të prezantuar qëllimin e drejtuesit  të tij. Pse është aty? Cili është vizioni i tij/saj për drejtimin e IA? CV e tij? Apo vlen parulla : “ ndalohet hyrja e prindërve në shkollë”.

12. Prindërit, IA, qeverisja vendore dhe ajo qëndrore duhet që të bashkëpunojnë përtej politikës primitive të çastit. Mua më dhëmb shpirti për procesin e edukimit por jo për politikën pa rregulla e norma!!! Ky qëndrim është i shprehur nga qindra, e mijëra profesionistë edukimi.

13. Në IA dhe në mjediset e punës kudo dëgjohen nga drejtuesit shprehjet: E di unë! Do bëni si them unë! Sa të jem unë!! Është tjetri pas dere!!! U bëre ti!!! Etiketime politike, bullizuese, raciste etj.

14. Ne matim vazhdimisht klimën e marrëdhënieve të punës si palë interesi në këto marrëdhënie në respekt të KODIT TË PUNËS, Kontratës Kolektive, në nivel lokal dhe kombëtar. Mësuesit shprehin shqetësimet e tyre në përditshmërinë e punës, por ka nga ata që shprehen me frikë të madhe.(nuk përjashtojmë rastet e paaftësisë së mësuesve, por janë të papërfillshëm)

15. Në vendet e OECD dhe të rajonit GDP për APU është nga 5% e lart.  Edhe Kosova e ka rreth 4%, Shqipëria e ka mbi 2.8%, shifër e cila përputhet me rezultatet e PISA.

16. Jemi i vetmi vend ku mësuesit vishen me bluzë të bardhë, duke krijuar barriera, pengesa dhe dyshime në marrëdhënie mes shkollës, familjes e komunitetit. Bluza e bardhë është “ një mur Berlini”, që përcjell mesazhet e një “ lufte mikro të ftohtë” në këtë proces edukimi të shenjtë.

17. Në Kushtetutën e RSH, arsimi 9-vjeçar është falas dhe i detyrueshëm, çka do të thotë që politikat shtetërore të përkujdesjes, shpërblimit, detyrimeve, pagave dhe qasjes duhet të jenë specifikisht të përcaktuara.

18. Pjesës  më të madhe të fëmijëve të APU, në më të shumtën e kohës që rriten dhe shkojnë në shkollë, iu mungon të paktën njëri prind i cili është në emigrim ose edhe kur e ka në shtëpi është inekzistent apo dhunues. Politikat sociale në këtë rast dhe në rastet e tjera ekstreme kërkojnë mbështetje, investime e shërbime.    

19. Me GDP për arsimin 2.8%, kush është më poshtë se ne nga vendet e përfshira në PISA? Asnjë! E po këtë vend ska se kush të na e zërë tjetër!

20. Kurrikula duhet të jetë në përputhje me rrethanat social-ekonomike të lindjes, dhe rritjes së fëmijëve shqiptarë dhe jo fotokopje të Kembrixh e Oxford! Logjistika arsimore duhet të jetë e pasur dhe ora e mësimit të mos fillojë e mbarojë me “hapni librat, mbyllni librat@, apo “kopjo te shoku”, “ndiq shokun”.

21. Ligji për APU 69/2012 i miratuar me 126 vota në Parlament u masakrua disa herë duke tjetërsuar si kollonat dhe strukturën e një ndërtese pa ekspertizë.

22. Modeli i Altertekstit që u ndërtua sipas standarteve të BE, u masakrua pas vitit 2013 duke krijuar “xhepa” e  mekanizma monopoli e përfitimi në kurriz të arsimit. Një tekst shkollor i Kembrixhit apo Oxfordit për klasën e parë nuk funksionon për këta fëmijë që 90% e tyre arsimin parashkollor e kanë të cunguar apo pjesërisht.

23. Shprehjes “ çfarë të mbjellësh do korrësh” nuk  i humbet asnjëherë vlera e kuptimi.  Me 2.8 euro në xhep, kur të tjerët kanë nga 5-7 euro, kuptohet mirë se çfarë mund të blesh. Demi duhet kapur nga brirët! Kolltukofagët e burokratët që nuk e dinë se çdo të thotë arsim, edukim, që nuk e dinë fare se çfarë bëhet në përditshmërinë e arsimit, të fëmijës, familjes e komunitetit, dinë të hanë vetëm gurabija të pamerituara të pushtetit dhe të parasë publike të shqiptarëve🇦🇱 

24. Jam i sigurtë që pas gjithë këtyre gabimeve do të ndërmerren veprime arbitrare ndaj mësuesve, drejtuesve të IA, të ZA-ve e deri në DRAP E DPAP për të “shëruar” arsimin, por do të bëjnë operacionin e gabuar

25. “Ti Selim, që s’di këndim/ je i mirë për asim” -Fan Noli.                   

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco