Sot shënohet Dita Kombëtare e Rinisë/ 33 vjet nga Lëvizja Studentore që solli demokracinë

Sot shënohet Dita Kombëtare e Rinisë/ 33 vjet nga Lëvizja Studentore që solli demokracinë

07:27, 08/12/2023
A+ Aa A-

Shënohet sot Dita Kombëtare e Rinisë. Me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë nga vitit 2009, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Të organizuar ata marshuan nga 'Qyteti Studenti' drejt qendrës së Tiranës. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike. 

Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramzi Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.

Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke rrëzuar përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.

Akti i tyre publik i dha fund epokës së gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.

Sot pritet të zhvillohen një serë aktivitetesh në nderim të kësaj dite të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco