SYRI TV/ PS i hedh më shumë benzinë zjarrit, propozon masat më të rrepta për deputetët

13:59, 07/12/2023
A+ Aa A-

Partia Socialiste ka futur me urgjencë në kalendar, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, duke kërkuar përjashtim nga 30 - 60 ditë për deputetë që përdorin  flakadanë në sallën e parlamentit. Kreu i Grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi, pranoi se këto ndryshime vijnë për shkak të  situatës në parlament,  duke thënë se mazhoranca nuk ka në plan të dëgjojë thirrjet e ndërkombëtareve për dialog. 

Nga SYRI TV

Në vend të dialogut me opozitën dhe reflektimit për t’i kthyer të drejtat  kushtetuese, mazhoranca ka vendosur t’i hedhë më shumë benzinë zjarrit, duke zgjedhur të ndryshojë Rregulloren e Kuvendit për të kufizuar dhe më shumë të drejtat e opozitës. 

PS  futi me procedurë të përshpejtuar ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, duke kërkuar përjashtim deri në 60  ditë për deputetët që  ndezin  flakadanë në seancë plenare.

Kreu i Grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi, nuk e fshehu faktin që këto  ndryshime bëhen  me urgjencë  për shkak të situatës në Kuvend. 

Përmes këtyre ndryshimeve, të futur në kalendar me urgjencë, mazhoranca kërkon përjashtim me 30 ditë nga Kuvendi në rastet kur deputeti përdor dhunë fizike ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave apo të Gardës së Republikës apo kur deputeti, përmes veprimeve të dhunshme dëmton pajisjet dhe orenditë e çdo mjet tjetër logjistik në sallën e seancave apo të mbledhjes.

Përjashtim me 60 ditë nga komisionet dhe seancat plenare për një deputet kërkohet kur  deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit apo mbledhjes së komisionit  brenda mjediseve të Kuvendit.

Mazhoranca synon t’i kalojë ndryshimet ne seancën e javës së ardhshme,  por për t’i miratuar do t’i duhen 84 vota, të cilat mund t’i gjejë vetëm nëse kthen kokën nga deputetët e Lulzim Bashës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco