VIDEO/ Berisha: Beteja në parlament ka të bëjë me sovranitetin e popullit shqiptar

18:16, 29/11/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim me kryetarët e degëve është shprehur se, beteja e nisur në parlament si asnjëherë tjetër në këto 32 vite, ka të bëjë me sovranitetin e popullit.

‘Sovraniteti i brendshëm është një dhe vetëm një, fuqia e qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre. Është fuqia që Kushtetuta e vendit, u jep qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e vet’, tha kryedemokrati, Sali Berisha.

Pjesë nga fjala e kryetarit të PD-së, Sali Berisha:

Shpreh kënaqësinë që takohemi sonte në prag të Kuvendit Kombëtar të PD, i cili ka dhe do ketë çështje themelore, veprimin, ose Opozita në Aksion, PD në Aksion!

Në ekzistencën e saj, gjatë 32-viteve, demokracia shqiptare, të drejtat e shqiptarëve, nuk kanë qenë kurrë siç janë sot, të shkelmuara nga një person që ka vendosur në Shqipëri pushtetin e tij të plotë personal. Që kontrollon sot të gjitha pushtetet, i kontrollon në mënyrën më të rreptë.

Që pas zgjedhjeve të majit, kaloi në një përpjekje të re të asgjësimit de facto të opozitës në parlament. Duke u mohuar deputetëve të opozitës, të drejtat më themelore të atyre që ata përfaqësojnë. Asnjë nga nenet kushtetuese që lidhen me deputetin në parlament, nuk kanë të bëjnë me personin. Janë të gjitha nene që garantojnë parlamentin për funksionin e tij si tempull qendror i demokracisë.

Ju jeni dëshmitarë se prej mëse një muaji, në parlament zhvillohet një betejë, të cilën nuk e ka njohur ndonjëherë parlamenti.

Zhvillohet një betejë që ka të bëjë me jetën ose vdekjen e pluralizmit parlamentar. Pra, një betejë që ka të bëjë si asnjëherë tjetër në 32 vite, me sovranitetin e popullit shqiptar.

Ju duhet ta dini, në doktrinën politike, sovraniteti ka dy anë. Ka anën e brendshme dhe anën e jashtme, marrëdhëniet me jashtë. Sovraniteti në marrëdhëniet me jashtë është fuqia e një vendi për të marrë vendime të pavarura në interes të tij, të pandikuara dhe për të mbrojtur interesin e tij.

Kurse sovraniteti i brendshëm është një dhe vetëm një, fuqia e qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre. Është fuqia që Kushtetuta e vendit, u jep qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e vet.

Ky kontroll, sipas Kushtetutës, ushtrohet para së gjithash nëpërmjet komisioneve parlamentare.

Pra, ajo e cila duket një çështje ndoshta jo dhe aq e rëndësishme, ajo në fakt është një çështje më themelore e sovranitetit të brendshëm të një vendi.

Nëse qytetarët, nuk lejohen, nuk mundet të ushtrojnë kontroll mbi qeverinë dhe qeveritarët e tyre, sovraniteti i tërë- edhe ai i brendshmi- ka kaluar në duart e një njeriu. Në një kohë kur ai i takon popullit.

Ky është një zerim i fuqisë së një populli në një vend, për të kontrolluar qeverinë e tij.

Ne aty, kemi qëndruar dhe do qëndrojmë. Ne nuk largohemi nga parlamenti, kjo të jetë e padiskutueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco