Llakaj: Profesionistët e humorit shqiptar më shumë 'në qiell' se në tokë, tani u bashkohet edhe Zef Deda! ë

Llakaj: Profesionistët e humorit shqiptar më shumë 'në qiell' se në tokë, tani u bashkohet edhe Zef Deda!

11:16, 25/11/2023
A+ Aa A-

Artisti i mirënjohur i humorit, Agron Llakaj, i ka dhënë lamtumirën e fundit, kolegut dhe mikut të tij Zef Deda, në homazhet që u zhvilluan në hollin e Teatrit Migjeni në Shkodër.

Llakaj shprehu një dhimbje të dyfishtë për humbjen: së pari, për mikun e tij që u nda para kohe nga jeta dhe së dyti, për artin shqiptar që humbi një emër shumë të madh.

Në këtë pikë, Agron Llakaj kërkoi vëmendjen e institucioneve që të kthejnë më shumë sytë nga brezi i ri i humoristëve që ata të kuptojnë dhe të mësojnë se cili është arti i vërtetë,  arti që i mbijetori edhe diktaturës dhe nuk e kurseu kritikën për mungesën e ndjeshme të talenteve të humorit në skenat tona: “Në kuptimin tim vizual, - tha ai, -  siç e shikoj, më duket sikur trupa profesioniste e humorit shqiptar më shumë është “në qiell” se në tokë.”

“Ikja e Zefit është e parakohshme, - u shpreh Llakaj para mediave. -  Se ne themi edhe kur vete në një moshë, dhimbja është e madhe, por gjithsesi, artistët me emrin e Zefit janë të tillë që në momentin e parë të shkaktojnë dhimbje, por ai me veprën, me artin e tij, ka lënë të qeshurën mbrapa , dashurinë e një publiku që e ka dashur dhe mbështetur gjatë gjithë kohës.

Mendoj që ndoshta duhet një punë,  s’mund ta them që është e Ministrisë së Kulturës, por mendoj e institucioneve për t’iu rikthyer në një farë mënyre brezit të ri, për të kuptuar se kush ka qenë arti i vërtetë dhe çfarë do të thotë të jesh një artist humori që ka jetuar dhe ka arritur t’i mbijetojë asaj kohe...

Në kuptimin tim vizual siç e shikoj më duket sikur trupa profesioniste e humorit shqiptar më shumë është “në qiell”, sesa në tokë. Aty janë emra të mëdhenj dhe sot i bashkohet edhe Zef Deda, ndryshe e quanim “Çaplini shqiptar”.

Unë shpresoj që dy fëmijët e vet, dy çunat e ​vet që janë artistë, Juli sidomos, të jetë i zoti të trashëgojë diçka nga geni i Zefit.

Dhimbja nuk është vetëm për publikun e Shkodrës, por besoj kushdo që e ka ndjekur dhe e ka përcjellë artin e Zefit, është një dhimbje e madje ne, unë, Xhefri... që kemi ardhur, jemi në atë që e quajmë veten “Të fundit e Moikanëve” , po gjithsesi vijmë me përkuljen e thellë dhe nderimin se duke qenë se ishte e parakohshme, dhimbja është më e madhe.”/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco