VOA/ Gjykata e Posaçme kërkesë SPAK: Beqaj të hetohet dhe për 'falsifikim'

VOA/ Gjykata e Posaçme kërkesë SPAK: Beqaj të hetohet dhe për 'falsifikim'

23:04, 24/11/2023
A+ Aa A-

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme vlerëson se hetimi i ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, vetëm nën dyshimet për “Shpërdorim detyre”, nuk është i plotë, dhe nga faktet penale të sjella nga prokuroria për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak “ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim Ilir Beqaj ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”.

Kjo është hera e dytë që Gjykata e Posaçme ndërhyn në hetimin e procedurave të koncensionit të sterilizimit të pajisjeve kirugjikale. Kur në muajin gusht u arrestua sipërmarrësi Ilir Rrapaj dhe ish zëvendës ministri Klodian Rrjepaj, Gjykata bëri një vlerësim të detajuar të dosjes së paraqitur nga prokurorët e çështjes, ku zoti Beqaj nuk rezultonte i përfshirë. Gjykata vuri në dukje se “pavarësisht qëndrimit të prokurorisë, nga analiza e provave të administruara dhe të para në unitetin e tyre, në to evidentohen shkelje të akteve ligjore e nënligjore, të cilat ngrihen në nivelin e përgjegjësive penale për ish ministrin e Shëndetësisë Beqaj dhe ish ministrin e Financave Cani, si dhe për katër komisionerë të prokurimit publik”.

Në vendimin e tij për vlerësimin e masës së sigurisë, atë të detyrimit për paraqitje dhe ndalimit të lëvizjes jashtë vendit, ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, gjykatësi Erjon Bani vë në dukje se “në “Formularin e publikimit të njoftimit të Kontratës së nënshkruar” datë 10.12.2015 nga ana e personit nën hetim Ilir Beqaj, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor janë pasqyruar të dhëna të rreme lidhur me llojin e procedurës së ndjekur duke cituar “Procedurë e hapur”, duke fshehur faktin që është ndjekur në fakt “Procedura me negocim kontrate” sikurse parashikohet në dokumentat standarte të koncensionit. Pas hetimeve shtesë të bëra nga prokuroria dhe më konkretisht administrimit të akteve të ekspertimit të telefonave të personave në hetim, Gjykata krijon bindjen se personi nën hetim Ilir Beqaj, ka qenë në dijeni të të gjitha procedurave dhe dokumentacionit që ka administruar Komisioni i Dhënies me Konçesion. Pra, nuk ka qenë në kushtet e mirëbesimit, përkundrazi për rolin e tij ekziston dyshimi i arsyeshëm se ai ka cilësinë e organizatorit në këtë veprimtari kriminale të paramenduar për dhënien e koncesionit të sterilizimit fituesit të paracaktuar”, thuhet në vendimin e gjykatësit.

Në dokument, gjykatësi shpjegon dhe rolin e tij kur shprehet se “gjyqtari i hetimit paraprak është i pavarur në vlerësimin e faktit dhe mund të bëjë një cilësim juridik të ndryshëm të faktit penal nga ai i prokurorisë për të vlerësuar rëndësin e faktit penal dhe të dënimit që mund të caktohet ndaj të dyshuarit në përfundim të gjykimit. Këtë vlerësim, gjykata e bën në mënyrë të pavarur pavarësisht faktit nëse prokurori ka bërë ndryshimin e cilësimit juridik sipas nenit 287 i K.Pr.Penale, pasi gjykata nuk është e detyruar të mbaj parasysh qëndrimin e prokurorisë lidhur me cilësimin juridik të faktit”.

Aktualisht Prokuroria po e heton zotin Beqaj për “shpërdorim detyre”. Sipas vendimit të Gjykatës “ka lejuar që të pasqyrohen në studimin e fizibilitetit të dhëna të rreme lidhur me kostot e projektit. Nëse do të ishte ndjekur e gjithë procedura ligjore për marrjen dhe administrimin e dokumentacionit ligjor që përcakton nevojat dhe kostot e projektit në asnjë rast nuk mund të konkludohej se procedura e koncesionit ishte procedurë ekonomikisht më e favorshme se procedura e prokurimit publik”.

Ashtu si dhe në vendimin e muajit gusht, sërish gjykatësi Bani, vlerëson se hetimet duhet të përfshijnë dhe ish ministrin e Financave Shkëlqim Cani. “Gjykata çmon të theksojë se nëse nga ana e Ministrit të Financave dhe personave në varësi të tij (për të cilët duhet një heti I thellyar ër të nxjerrë roin e secilit) do të ishin ushtruar kompetencat në përputhje me aktet ligjore e nënligjore, në rastin konkret nuk do të nuk do të ishte shkaktuar dëmi ekonomik i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Gjykata çmon të theksojë ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se ish Ministrin e Financave z.Sh. C. në rastin konkret ka vepruar me dashje, pasi nuk ka asnjë arsye objektive e të përligjura që për të njëjtin studim fizibiliteti brenda një harku kohor prej 1 muaj e 15 ditë, të ketë dy përgjigje diametralisht të kundërta” shprehet gjyqtari Bani.

Zoti Beqaj ka shprehur rezerva ndaj vendimit të gjykatës, ndërsa ka theksuar se sistemi shëndetësor dhe pacientët që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, kanë përfituar një shërbim cilësor që ka sjellë reduktimin e ditëqëndrimeve në spital dhe uljen e ndjeshme të infeksioneve post-operatore. Sipas vendimit të gjykatës, ai duhet të paraqitet të premten e çdo jave pranë një oficeri të policisë gjyqësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco