Hetimet shumë të cunguara, ja kush është prokurori që po bën qesharak SPAK-un

Hetimet shumë të cunguara, ja kush është prokurori që po bën qesharak SPAK-un

14:16, 24/11/2023
A+ Aa A-

Që në ditën e parë kur u publikua lajmi se SPAK kishte mbyllur hetimet për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe nuk kishte kërkuar ndalimin e tij për aferën e sterilizimit, CNA pati një reagim të fortë në lidhje me prokurorin Edvin Kondili.

Kondili njihet si një militant politik i Rilindjes, një prokuror që me standardin e reformës në drejtësi, më shumë sesa i kaluar nga vettingu është i kaluar nga qokat politike të mazhorancës, të pushtetit, për të pasur kontroll në segmente të caktuara të institucioneve të drejtësisë.

Edvin Kondili po kthehet në prokurorin, i cili në fakt po e bën qesharak SPAK-un. Mjafton të lexosh të dyja kërkesat drejtuar gjykatës për të kuptuar se Kondili është kthyer jo në një prokuror, jo në një njeri që duhet të hetonte dhe të zbardhte të vërtetën e aferës së sterilizimit, por në një avokat mbrojtës për të mos dërguar pas prangave Ilir Beqajn.

 Prokurori Edvin Kondili

Askush nuk duhet të shkojë padrejtësisht në burg, më mirë 100 fajtorë jashtë sesa një i pafajshëm brenda. Por, në rastin e Kondilit, shumë gjëra nuk shkojnë.

Në kërkesën e parë nuk e përfshiu fare zotin Beqaj, e la të lirë, por pasi e ktheu gjyqtari Erion Bani në datën 17 gusht ai çoi një masë tjetër sigurie, por këtë herë detyrim paraqitje dhe i mori pasaportën Ilir Beqajt, që në fakt u gradua në detyrë nga kryeministri Edi Rama pas çuarjes së dosjes herën e parë në GJKKO.

Edvin Kondili është prokurori që po e kthen SPAK-un në qesharak me avokatinë që po i bën Ilir Beqajt, po konfirmon atë që ne kemi thënë, po shkatërron atë që kërkohet nga të gjithë, standardin e SPAK-ut.

Nuk e dërgon fare për masë sigurie Ilir Beqajn, më pas e dërgon për masë sigurie të lehtë. Ndërkohë, burime nga SPAK i thanë CNA-së se ka pasur një debat të fortë në këtë strukturë në lidhje me masën që duhej kërkuar në gjykatë ndaj Ilir Beqajt.

Ka pasur një debat të ashpër ndërmjet drejtuesve të SPAK-ut dhe Edvin Kondilit, por ai është i pavarur në vendimet e tij dhe është gjetur një rrugë e mesme.

Zgjidhja? SPAK-u bëhet qesharak.

 Një person në detyrë, i cili mund të zhdukë provat, lihet i lirë, ndrësa të tjerë persona që nuk kanë çfarë të bëjnë fare, siç ishte rasti i Jamarbër Malltezit, u arrestua. Një standard tjetër i vendosur nga kolegët e Kondilit.

Vangjush Dako në Durrës. Pallati ishte atje, ato 4 kate pa leje nuk mund t’i zhdukte kush dhe prapë është në burg. Një standard i prokurorëve, kolegëve të Kondilit.

Ndërsa Ilir Beqaj për 100 milionë euro nuk dërgohet në burg, lihet i lirë, edhe pse ishte drejtues i lartë i shtetit, të tjerët pas prangave.

Dërgohet në masë arrest me burg Arben Ahmetaj, nuk iu gjetën dokumente për inceneratorët, por iu hetua pasuria, banjat, kuzhina, kostot, faturat. Ish-zv.kryeministri është në arrati, një tjetër standard ky i hetimit të SPAK-ut.

Ndërsa Edvin Kondili e lë të lirë Ilir Beqajn dhe e kthen SPAK-un në një strukturë për të qeshur, në një strukturë, ku individë të tillë, institucionin e një reforme në drejtësi më shumë sesa e nderojnë e turpërojnë dhe e kthejnë në një institucion të përfolur, të akuzuar me të drejtë jo vetëm nga gazetarë dhe media, por edhe nga qytetarë për mungesën e standardit dhe faktin se individë si Edvin Kondili me mendjen e tyre mund ta përdorin ligjin si Maliq dhe ky është fiks rasti ku Edvin Kondili është kthyer në një Maliq që kërkon ta bëjë SPAK-un qesharak.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco