‘Dhe unë nga fisi Begeja jam, më vonë na quajtën Bolino’- IRIQI bisedon me Carlo Bolinon

‘Dhe unë nga fisi Begeja jam, më vonë na quajtën Bolino’- IRIQI bisedon me Carlo Bolinon

13:37, 24/11/2023
A+ Aa A-

Iriqi:- Vërtet e ke ngritur TV mbi truallin për shkollë, dhuruar nga familjet e vjetra tiranase?

Bolino:- Përralla. Ajo tokë është e të parëve të mi, e trashëguar nga ata.

Iriqi:- Po flasim për në Tiranë e jo për në Itali, zoti Carlo!

Bolino:- Edhe unë për këtë po flas. Televizionin e kam ngritur në tokën e stërgjyshit tim. Se askush nuk e di që unë jam pinjoll i fisit Begeja.

Iriqi:- Si e dëshmon këtë?

Bolino:- E dëshmoj me plot gojëdhana.

Iriqi:- Ku gjenden, na i thuaj t’i lexojmë?

Bolino:- Gjenden brenda në kokën time. Nuk kam besim t’i dorëzoj askund se m’i vjedhin.

Iriqi:- Na i sqaro neve pra!

Bolino:- Fisi im, Begeja pra, ashtu si zoti Malltezi kishte plot toka e pasuri në Tiranë. As Jamarbëri nuk e di që unë e ai kemi të njëjtin gjak. Stërgjyshi im qe puro Begejs.

Iriqi:- Po pse tani quhesh Bolino?

Bolino:- Se stërgjyshi im qe pak i mefshtë, ose shqip qe leshko mes vëllezërve. Ndaj ata e tallnin dhe i thoshin –ole -ole, por me b para. Kështu që ai u mërzit e një ditë i hipi anijes dhe u arratis në Bari të Italisë. Aty u rehatua se nuk e qeshte kush. Dhe kur u tha italianëve që llagapin e kishte -ole me b para,ata nuk e zbërthenin dot kuptimin se nuk dinin shqipen e nga që stërgjyshi po e shpjegonte duke qeshur ata ia miratuan dhe me përkëdheli e thirrën prej asaj dite, o caro Bolino, o caro Bolino!

Iriqi:- Me këtë shpjegim pandeh ti se do të marrësh prona në Shqipëri?

Bolino:- Do të marr prona dhe kam marrë prona. Vërtet nuk m’i njeh kadastra si fillim, ama m’i njeh Rama. E po tha ai po, s’ka kadastër që nuk më jep certifikatën e pronësisë. Kështu, tani janë të mijat televizioni te ish-kompleksi “Partizani”, plot prona andej nga Uzina Traktori, muzeu poshtë Ministrisë së Brendshme, restorante, shtëpi, pallate. Se ne Begejat kemi qenë fis i pasur shumë. Na rrëmbeu pronat partia e Enverit, ama mua m’i ktheu partia e Edverit.

Iriqi:- Po farefisi i vërtetë Begeja a do të marrë ndonjë gjë nga të vetat?

Bolino:- Nuk di ç’të them. Se unë ngjaj shumë me stërgjyshin. Jam pak -ole me b para, ama mendoj që të rrëmbej çdo ditë pasuri.

Iriqi:- Po e përsëris pyetjen, fisi Begeja a do të marrë diçka nga pasuria e tyre?

Bolino:- Të marrë, si të mos marrë. Sa të duan e sa të ngopen.

Iriqi:- Po si?

Bolino:- Po ja, të m’i blenë mua pasuritë e tyre. Kjo është rruga e vetme. Dhe të nxitojnë se çmimet po rriten, inflacioni po kap qiellin dhe vonesa do bëjë që ata si deri tani të mbajnë në dorë tapitë, e unë të gëzoj pasuritë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco