Firma e njohur ligjore amerikane: Ahmetaj u shënjestrua nga SPAK sepse nuk është më aleat i Ramës, por cilësohet ‘peshk i madh’

Firma e njohur ligjore amerikane: Ahmetaj u shënjestrua nga SPAK sepse nuk është më aleat i Ramës, por cilësohet ‘peshk i madh’

11:38, 23/11/2023
A+ Aa A-

Firma e njohur ligjore amerikane, Nixon Peabody, e cilësuar si një nga kompanitë më të mëdha dhe më të rëndësishme jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën, ka përgatitur një raport të hollësishëm ligjor për çështjen e ngritur nga SPAK ndaj ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.

Në konkluzion të një hetimi të hollësishëm, ekspertët e kësaj kompanie arrijnë në përfundimin se hetimi ndaj Arben Ahmetajt është i motivuar politikisht.

“Bazuar në shqyrtimin tonë, ne kemi arsye të besojmë se akuzat e ngritura nga SPAK ndaj zotit Ahmetaj janë, tërësisht ose pjesërisht, të motivuara nga animusi politik.

Ne e kuptojmë se SPAK ka qenë nën presion, si nga burime të jashtme, ashtu edhe nga qytetarët, për të goditur korrupsionin. Ndonëse ky është një synim fisnik dhe duket se ka dhënë fryte në formën e ndjekjeve penale legjitime dhe të mbështetura në mënyrë provuese ndaj individëve si zoti Lefter Koka, ndjekjet penale të bazuara në akuza të rreme dhe të pambështetura, nuk mund të lejohen të qëndrojnë.

Ne e kuptojmë se zoti Ahmetaj ka të ngjarë të jetë në shënjestër sepse ai (a) nuk konsiderohet më si aleat i kryeministrit Rama, por (b) konsiderohet ende si një ‘peshk i madh’ për qëllime politike për shkak të rolit të mëparshëm si zëvendëskryeministër.

Siç vuri në dukje raporti i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara: “Edhe pse Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte politikisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”.

Departamenti i Shtetit vuri në dukje më tej se ‘u raportuan raste të korrupsionit gjyqësor, joefikasitetit, frikësimit dhe ndërhyrjeve politike’. Zoti Ahmetaj fatkeqësisht rezulton të jetë viktimë e një prej këtyre rasteve,” thuhet në raport.

Ndër të tjera, në raportin e Nixon Peabody theksohet se SPAK nuk ka identifikuar asnjë akt ligjor që zoti Ahmetaj të ketë ndërmarrë për të mbështetur projektet e inceneratorëve.

Raporti thotë se SPAK nuk ka identifikuar asnjë provë të ligjshme se zoti Ahmetaj ka përfituar nga kjo skemë.

Për më tepër, raporti i SPAK nuk përcakton ndonjë element korrupsioni në akuzë dhe nuk e lidh zotin Ahmetaj me ndonjë shkelje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco