Departamenti ‘Brain Gain dhe Ekselencës’/ Zeqiri: Qeveria nisi sulmin ndaj arsimit që në vitin 2015

Departamenti ‘Brain Gain dhe Ekselencës’/ Zeqiri: Qeveria nisi sulmin ndaj arsimit që në vitin 2015

18:54, 22/11/2023
A+ Aa A-

Anëtarja e Departamentit ‘Brain Gain dhe Ekselencës’, Amanda Zeqiri, ka folur në takimin e ekspertëve dhe drejtuesve, me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, për të diskutuar mbi buxhetin 2024.

Në fjalën e saj, Zeqiri theksoi se qeveria e Edi Ramës filloi sulmin ndaj arsimit që në vitin 2015.

Amanda Zeqiri: Dua të bëj analizën time në dy pjesë. Së pari sulmi dhe lufta që i ka shprehur kjo qeveri arsimit të lartë dhe në anën tjetër neglizhenca totale për arsimin para-universitar. Pse ky sulm dhe neglizhencë ndaj sistemit arsimor? 
Një masë e paedukuar është një masë lehtësisht e kontrolluar prandaj të jeni të bindur se kjo që po ndodh me sistemin arsimor në vend është tërësisht e qëllimshme dhe e mirë programuar.

A. Sulmi ndaj arsimin e lartë fillon me:

1. Miratimin e ligjit ‘Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor’ në 2015, drafti i të cilit u kundërshtua masivisht nga stafi akademik i universiteteve publike. Edhe pse programi i qeverisjes 2013-2017 premtoi rritjen e financimit në arsim në masën 5% të PBB, në realitet shpenzimet e qeverisë në arsim ishin vetëm 2%, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon.

Modeli mbi të cilin bazohet ky ligj është modeli Anglo-Sakson, i cili është formuluar pa studime paraprake dhe pa marrë në konsideratë realitetin Shqiptar. Ligji ‘Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor’ ul peshën e vendimmarrjes dhe të votës së studentëve në 10% (nga 20% që ishte më parë) për zgjedhjen e organeve drejtuese akademike edhe pse ata janë përfituesit kryesorë të shërbimeve universitare dhe pjesa me e madhe e të ardhurave në universitete përftohen tarifat e shkollimit që ata paguajnë. Ky ligj gjithashtu dështoi në krijimin e mekanizmave të qëndrueshme për rritjen e financimit për kërkimin shkencor.

2. Zvarritjen e premtimit për një kampus universitar dinjitoz që nga viti 2015 e deri në mandatin e tretë. Kampusi universitar i Tiranë do ndërtohet me koncesion dhe autoriteti kontraktor është Bashkia e Tiranës, gjë që sjell një kosto dyfish më të lartë se sa me financim nga vetë buxheti i shtetit.

3. Tentativat për të shtypur protestat studentore të vitit 2018-2019, një ndër lëvizjet më të mëdha ndër vite, ku studentët kërkonin uljen e tarifave shkollore, kushte më të mira në konvikte dhe përfshirje më të madhe në vendimmarrje. Më pas tentativat për të shpërfillur protestat e stafit akademik dhe administrativ në Tetor 2022 për kushte më të mira pune dhe rritjen e financimeve për projekte shkencore.

4. Vendimi i Këshillit të Ministrave në 2021, për kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Fatmirësisht ky vendim u anulua nga Gjykata Administrative e Tiranës pas një viti e gjysmë protestash dhe Kopshti Botanik u la për administrim nga UT si ka qenë që prej vitit 1965.

5. Në 2023 projektligji për studentët e mjekësisë për bursa falas dhe bursat prej 40.000 lekësh për studentët që ndjekin degët prioritare, me kusht që të punojnë 3-5 vite në Shqipëri, tregon se politikat e bazuara ekskluzivisht në ndihma financiare nuk mjaftojnë dhe kanë dështuar.

Viti akademik 2023-2024

Programi i studimit Studentë të regjistruar

Kimi viti 1 5 nga 100 kuota

Kimi Industriale viti 1 9 nga 100 kuota

Fizikë viti 1 8 nga 100 kuota

Matematikë viti 1 19 nga 100 kuota

Biologji viti 1 47 nga 100 kuota

Master i Shkencave Matematikë viti 1 12

Master i Shkencave Fizike viti 2 4

B. Neglizhenca për arsimin parauniversitar tregohet me:

• klasat kolektive, mungesë të mjeteve didaktike/laboratorike apo mungesë në infrastrukturë.

• mungesën e politikave që zvogëlojnë hendekun midis zonave urbane dhe atyre rurale apo midis shtresave të ndryshme socialo-ekonomike.

• mungesën e një arsimi dinjitoz për fëmijët me aftësi të veçanta (mungesë infrastrukture apo stafi të kualifikuar për kërkesat e tyre të veçanta)

• mos adresimi dhe përfshirja në kurrikula e çështjeve si bullizimi (dukuria më e përhapur tek të rinjtë me pasoja fatale), diskriminimi në bazë të gjinisë, përmbysja e steriotipeve, siguria/privatësia online, kujdesi për mjedisin/planetin apo dhe shëndeti mendor.

• mungesën e një qasje më shumë drejt të nxënit praktik sesa teorik dhe një sistemi vlerësimi inovativ për nivelin parashkollor dhe fillor.

Para se t’u mësojmë nxënësve tanë për Inteligjencën Artificiale, t’u mësojmë atyre mbi Inteligjencën Emocionale. Një sistem cilësor arsimor pavarësisht background-it nënkupton heqjen e fëmijëve nga rruga (5% e krimeve për vitin 2022, kryesisht vjedhje, janë kryer nga të mitur) dhe formimin e tyre si qytetarë funksionalë të shoqërisë.

Një sistem të kalbur arsimor ne e shohim përditë, e shohim tek edukatoret që dhunojnë fëmijët në kopsht, tek anestezisti që nuk dinë dozën e duhur të narkozës dhe tek ata avokatë (detyra primare e të cilëve është mbrojtja e viktimës) që paralajmërojnë femrat të mos dalin orët e vona nëse nuk duan të dhunohen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco