Beqaj mbron aferën 100 mln euro të sterilizimit/ Ish-ministri refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të gjyqtarit

Beqaj mbron aferën 100 mln euro të sterilizimit/ Ish-ministri refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të gjyqtarit

13:42, 20/11/2023
A+ Aa A-

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Beqaj u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme së bashku me avokatin mbrojtës Ermal Yzeiraj, ku u mor në pyetje sa i përket koncesionit të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.

Megjithatë, ish-ministri refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gjyqtarit Erjon Bani, duke theksuar se do të flasë në një moment tjetër. Në një prononcim për mediet në përfundim të seancës, ish-ministri tha se është në dispozicion të drejtësisë dhe përtej rezervave që ka ndaj çështjes, nuk do ta kundërshtonte vendimin e GJKKO.

Beqaj u prononcua për mediat pas seancës duke rishprehur qëndrimin për të mos kundërshtuar vendimin e drejtësisë, që po ashtu i ka ndalur daljet jashtë vendit, pavarësisht rezervave që ka ndaj procesit hetimor.

“Kam vetëm dy mesazhe për të përcjellë. Së pari siç e kamë bërë publike edhe pardje, unë jam në dispozicion të këtij procesi hetimor dhe kam vendosur përtej opinionit që mund të kem apo rezervave të avokatëve të mi, të mos e kundërshtojë atë vendim”, tha Beqaj.

Më tej ish-ministri mbrojti koncesionin e sterilizimit të pajisjeve shëndetësore, duke thënë se çdo ditë i kursen shtetit shqiptar 2.4 ditë qëndrimi në spital të pacienteve.

“Së dyti unë vazhdoj të besoj se çfarë kemi bërë në shëndetësi ka qenë një gjë e mirë dhe ka sjellë ndryshim rrënjësor për shërbimin shëndetësor të shqiptarëve. Për çështjen në fjalë, në janar bëhen 8 vjet që hetohet. Në këto 8 vjet, çdo ditë në të gjitha sallat kirurgjikale të Shqipërisë, 400 kirurgë operojnë në kushte bashkëkohore, sterile. Çdo vit rreth 60 mijë shqiptarë operohen dhe në çdo operacion financave të shtetit shqiptar i kursehen çdo ditë 2.4 ditë qëndrimi në spital”, u shpreh Beqaj.

Deri më tani, nga hetimi i Prokurorisë se Posaçme, Ilir Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, ndërsa pak muaj më parë në pranga për këtë çështje janë vënë biznesmeni, Ilir Rrapaj dhe zëvendësi i tij në ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco