Hetimet e SPAK/ Porosia e re e Edi Ramës për Altin Dumanin

Hetimet e SPAK/ Porosia e re e Edi Ramës për Altin Dumanin

18:19, 15/11/2023
A+ Aa A-

Nga Lapsi.al

Rreth dy vite më parë, me një arrogancë gati kërcënuese kryeministri Edi Rama e orientoi SPAK-un të godiste kundërshtarët e tij politikë. Ankesat sipas Ramës, në fjalën që mbajti në Kongresin e Partisë Socialiste në Prill të vitit 2022 ishte se ‘sharra e SPAK po ha vetëm nga ne’.

Me këtë logjikë, hetimet duhet të kishin balancë politike, pasi në anën tjetër të opozitës nuk kishte pasur probleme.

‘Më thonë ‘Pse po ha nga ju, do me thënë nga ne, sharra e SPAK-ut. Këtu nuk di çtë them për sharrën e tyre, po di ç’të them për sharrën tonë. Sepse ne nuk e kemi kapur drejtësinë e as nuk kam bërë shaka kur thashë duam një drejtësi të drejtë në këtë vend’-shprehej kryeministri.

‘Akoma nuk është vënë në lëvizje nga deklarata më e rëndë që është bërë zyrtarisht më 30 vite nga aleati më i madh i Shqipërisë, jo për një njeri po për krejt Shqipërisë, sepse ai ka drejtuar Shqipërinë, SPAK ka detyrim qe e tejkalon shtetasin e ndaluar familjarisht që të hyjë në SHBA, se ajo deklaratë nuk mund të rrijë aty, ose ka bazë ose jo. (…) Nuk dënohet kush i vrau protestuesit e pafajshëm në bulevard, drejtësia e re ende po vonon, ose po ngurron, nuk e di, që të hyjë në kraterin e vullkanit të padrejtësive, ndërkohë që dënon një zyrtare për një arke peshk në këmbim të një punësimi të pakryer’-tha Rama në Kongresin e PS në Prill të vitit 2022.

Kur Rama bënte këtë deklaratë, peshorja e kokave të prera rëndonte vërtetë nga Partia Socialiste. Ish-ministri Saimir Tahiri ishte ende në burg. Ishte arrestuar ish-ministri Lefter Koka. Ishte arrestuar edhe deputeti Alqi Bllako. Ndërsa për Arben Ahmetajn dhe Vangjush Dakon përflitej se arrestimi i tyre ishte çështje kohe.

Prandaj një muaj më pas e përsëriti kërkesën në Asamblenë e Partisë Socialiste. SPAK, tha Rama po përdorte vetëm një lloj grepi dhe për vetëm një lloj peshku.

‘Kjo është tallje shumë e madhe, që SPAK deri tani përdor vetëm një lloj grepi dhe për vetëm një lloj peshku madje pa e pasur problem që të gjuaj dhe cironka me dinamik, por nuk ka as vullnet që ta përdor dinamitit për peshkaqenët që i bëjnë leksione SHBA, Europës, dhe zgjohen dhe ngrysen duke nxjerrë llum nga goja. Durimi ynë po soset, i imi po’ -shprehej kryeministri në Maj të vitit 2022.

Sot kryeministri nuk flet me të njëjtën gjuhë. I ka harruar metaforat me sharra dhe me grepa që kapin vetëm një lloj peshku. Në intervistën që dha në emisionin Repolitix iu drejtua SPAK-ut me një mesazh tjetër.

Porosia për kreun e SPAK, Altin Dumanin, që sapo është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte se ai nuk duhej të ndjehej i pakontrolluar nga askush dhe të mos merrte përsipër misionin e pastrimit të politikës shqiptare, por të kishte qëllim thjesht të bënte drejtësi.

‘Jo se hajde pastroni politikën, por hajde bëni drejtësi. Kush të jetë. Unë nuk hyj të ato që thonë të gjithë politikanët janë njësoj, të gjithë janë hajdutë, të gjithë janë kriminelë, se kjo është e pavërtetë, e pavërtetë. Prandaj qëllimi dhe misioni është të bëhet drejtësi, nuk ka rëndësi ‘kush’ ‘si’ ‘ktej’ ‘andej’, ‘sa’.

Nuk ka rëndësi, të bëhet drejtësi. Të bëhet drejtësi. Jo të bëhen balanca politike, jo të bëjnë politikë se shiko të kapim një këtej, një andej. Ti je aty për të qenë agnostik, raporti i secilit me ligjin. Po të them s’ka rëndësi se janë në dyert e SPAK-ut edhe të majtë edhe të djathtë. Dhe mos bihet as në atë ndjesinë e pushtetit të pakontrolluar se këtu tani jemi ne. Se kjo do ishte një padrejtësi akoma më e madhe, pra jo një pushtet me vetëdije që ne nuk ka kontrollon askush.’ u shpreh kryeministri.

Përse ka ndryshuar gjuha e tij? Përse nuk po kërkon Rama të ketë një peshore politike, me të cilën i bënte dje llogaritë e drejtësisë?

Për të kuptuar këtë duhet kujtuar se në javët e fundit peshorja po rëndon në anën e opozitës. Me masën e sigurisë për Berishën dhe thirrjen në SPAK të Ilir Metës, SPAK ka prekur liderët e opozitës.

Nuk janë goditur ish-ministra apo ish-deputetë, siç ka ndodhur në anën e mazhorancës, por janë prekur ata që deri dje i emëronin ministrat dhe deputetët.

Mjafton të kuptohet fakti që me këtë panoramë politike që kemi sot, në zgjedhjet e 2025, opozita do të hyjë me dy liderët e saj të hetuar nga SPAK. Ndërsa në anën tjetër, Edi Rama lideri i socialistëve, që ka 10 vjet në pushtet nuk ka asnjë gjemb në këmbë.

Prandaj dhe ai nuk po përdor të njëjtën gjuhë. Sepse nëse do të përdorej e njëjta logjikë me të cilën foli nga Kongresi i Partisë Socialiste, atëherë është radha e tij për t’u paraqitur në dyert e Prokurorisë Speciale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco