‘Tre anëtarë të familjes u pushkatuan, dy u mbytën në hetuesi/ Historia tronditëse e familjes Ndregjoni që strehoi 7 hebrenj

‘Tre anëtarë të familjes u pushkatuan, dy u mbytën në hetuesi/ Historia tronditëse e familjes Ndregjoni që strehoi 7 hebrenj

15:32, 13/11/2023
A+ Aa A-

Historia e panjohur të familjes së Imer Ibrahim Ndregjoni dhe Llan Destan Ndregjoni nga Lukani i Dibrës, ka të bëjë me stregimin për të shpëtuar familjet izraelite të Emanuel Ruben-it me bashkëshorten Lea dhe katër vajza: Rashela, Rifka, Bertya e Matilda si dhe kunatin e tyre Isak.

Në fund të vitit 1943 dhe në fillimin e vitit 1944, familja e Isuf Zenunit i mori dhe i dërgoi ata në shtëpinë e Xhemal Herrit; majorit të njohur zogist dhe nga shtëpia e këtij të fundit, Imer Ndregjoni, i mori në dorëzim nga Abdullah Mëniku dhe i strehoi në shtëpinë e Llan Destan Ndregjonit. Hebrenjve nuk u mungoi asgjë tek Ndregjonët. Jeta ishte e vështirë për të gjithë dhe kishin shumë mungesa. Por atyre nuk u mungoi kurrë dashuria e këtyre malësorëve të ndershëm dhe krenarë.

Në përfundim të Luftës, Ramadan Biba i përcolli në Tiranë. E gjithë historia e familjes fisnike dibrane vjen në një libër nga studiuesi dhe shkrimtari Xhafer Martini, i cili prej disa dekadash në krijimtarinë e tij ka lëvruar me shumë sukses temën historike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, mendohet të kenë hyrë rreth 3000 hebrenj, që përndiqeshin për të zhdukur nga nazizmi gjerman.

Para dy vitesh “Memorie.al” shkruante se populli shqiptar i priti me bujari dhe ndau me ta kafshatën e bukës dhe dashurinë njerëzore. Por kjo nuk qe e gjitha, populli shqiptar mbrojti hebrenjtë. Dukuria e marrjes së hebrenjve në mbrojtje nga populli shqiptar ka shumë aspekte dhe këtu nuk është vendi për t’i trajtuar të gjitha. Fakt është që antisemitizmi ka qenë krejt i huaj për popullin shqiptar. Natyrisht, duke qenë një qeveri nën pushtimin nazist gjerman, nuk mund të bënte gjë pa marrëveshje me gjermanët. “…midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Reich-hut nazist dhe Gestapos është diskutuar për qëndrimin që duhej të mbanin autoritet ushtarake e civile pushtuese ndaj hebrenjve në Shqipëri, Kroaci, në pjesën franceze ku gjithashtu kjo ushtri ka zënë vendin e asaj fashiste dhe në vendet e tjera. Palët pajtoheshin që në të gjitha territoret e sipërpërmëndura të zbatohet.

Në shkallë të përafërta, intensiteti, doktrina hitleriane “final solution” -zhdukja përfundimtare-, përveç Shqipërisë, ku, si përfundojnë bashkëbiseduesit, kjo doktrinë nuk mund të zbatohet”. Qeveria shqiptare trupave gjermane u kishte dhënë statusin e “ushtrisë kalimtare”, ata nuk konsideroheshin trupa pushtuese. Ky status atyre iu dha me kusht që të mos ndërhynin në qeverisjen e brendshme të Shqipërisë. Studiuesi hebre-amerikan, H. Sarnes, në librin “Hebrenjtë në Shqipëri- të shpëtuar një qind për qind”, midis të tjerash pohon: “Regjenca shqiptare me kryeministrin Mehdi Frashëri veproi në përputhje me marrëveshjen me nazistët, e cila e lejonte lëvizjen e këtyre të fundit në të gjithë territorin e vendit. Si shpërblim ndaj kësaj, nazistët nuk do të ndërhynin në punët e brendshme të qeverisë”, mori një rëndësi të posaçme për fatin e hebrenjve, kur komanda naziste i kërkoi regjencës që të dorzonte listat e tyre në tërë Shqipërinë”.

Me gjithë këtë, kjo marrëveshje nuk qe përfundimtare; ajo i përket fazës së parë të qëndrimit të trupave gjermane në vendin tonë. Nga ana e gjermanëve nuk përjashtohej mundësia, që në një të ardhme, me ndryshimin e situatës në Shqipëri, të ndryshonte edhe qëndrimi i tyre ndaj hebrenjve, çka do të thoshte përndjekje dhe shfarosje si në çdo vend tjetër ku kishte trupa pushtuese gjermane. Nuk kaluan as gjashtë muaj dhe statusi i trupave gjermane “si ushtri kalimtare”, në Shqipëri mori fund.

Ushtria Nacionalçlirimtare e partizanëve shqiptarë të Enver Hoxhës nuk i ngacmoi hebrenjtë, madje i mori në mbrojtje (kjo veçanërisht duhet thënë për komandantin e Brigadës së Parë Sulmuese, Mehmet Shehun, i cili i ndihmoi ata edhe me ushqime), por duke sulmuar gjermanët, ajo bëri që këta të fundit të ndërmerrnin Operacionin e Dimrit dhe të ndryshonin qëndrimin edhe ndaj hebrenjve që ndodheshin në Shqipëri. Dhe në fakt, Nazistët kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, por edhe grumbullimin e të gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi”.

Me gjithë këtë, listat e hebrenjve nuk ia dhanë gjermanëve dhe as grumbullimi i tyre nuk u bë. Dhe këtë e bëri Xhaferr Deva, i cili “ia doli që të bindte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve”, duke bërë kështu të mundur që “…sedra nacionale…”, të dalë më e fortë se “antisemitizmi i tij i njohur”. Ky qëndrim nuk ishte vetëm i një personi, por i tërë klasës politike shqiptare që ishte në përbërje të qeverisë së Mehdi Frashërit. Natyrisht që marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe institucioneve gjermane, është bërë me kërkesën dhe këmbënguljen e qeverisë shqiptare dhe nuk ka qenë aspak një dëshirë e gjermanëve. Ajo është arritur me një kompromis të madh nga ana e gjermanëve. Nazistët, siç dihet mirë, i gjuanin hebrenjtë kudo ku kishin mundësinë. Nuk kishin arsye që të vepronin ndryshe në Shqipëri, nëse një gjë të tillë nuk do të kishte kërkuar në mënyrë të vendosur nga qeveria shqiptare.

Qëndrimi ndaj hebrenjve i bën nder kombit tonë. Por duhet thënë se qeveria shqiptare i kishte listat e hebrenjve. Hebrenjtë vetë ndodheshin në popull, në vatrat familjare shqiptare. Populli nuk kishte dijeni për marrëveshjen e lidhur midis dy qeverive. Marrëveshja ishte e fshehtë. Atë edhe nga qeveritarët e dinin pak vetë. Madje qeveria kishte vetëm listat e atyre hebrenjve që kishin marrë kombësinë shqiptare, por ishin me qindra të tjerë që vinin në Shqipëri nga përndjekjet e tmerrshme që u bëheshin në vise të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës. Dukuria e pranimit dhe e mbrojtjes që populli u shqiptar u bëri hebrenjve ka lidhje me konstitucionin shpirtëror të shqiptarit.

Që pasqyrohet në kujdesin dhe nderimin për mikun në kuptimin e gjerë të kësaj fjale. Miku për shqiptarin e asaj kohe nuk ishte vetëm ai i derës, me të cilin kishte lidhur miqësi dhe kishte përzier gjakun, por edhe i largëti, i panjohuri, tjetri, i ndryshmi në zakone, në traditë, në kulturë, në gjuhë, në racë, në kombësi etj. Për shqiptarin cilido që të trokiste në derë quhej mik. Evidentimi i familjeve shqiptare që kanë strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka një vlerë të madhe. Një nga ato familje është dhe ajo Ndregjoni më Katër Grykë të Dibrës. Ndregjonët si një fis i madh nacionalist, bujar, me dyert për herë të hapura për mikun dhe shtegtarin, gjatë Luftës së Dytë Botërore u dha strehë dhe mbrojtje gjashtë hebrenjve. U strehuan në familjen e Llan Destan Ndregjonit dhe të Imer Ibrahim Ndregjonit, por për hebrenjtë qenë të hapura të gjitha dyert e Ndregjonëve të tjerë. Dhe vërtetë ata shkonin dhe hynin në çdo vatër Ndregjone.

Në shkrimin: “Ndregjonët dhe hebrenjtë”, midis të tjerash thuhet: “Imer Ibrahim Ndregjoni dhe Llan Destan Ndregjoni nga Lukani i Dibrës, kanë strehuar dhe shpëtuar familjet izraelite të Emanuel Rubenit me bashkëshorten Lea dhe katër vajza: Rashela, Rifka, Bertya dhe Matilda si dhe kunatin e tyre Isak. Në fund të vitit 1943 dhe në fillimin e vitit 1944, familja e Isuf Zenunit i mori dhe i dërgoi ata në shtëpinë e Xhemal Herrit; majorit të njohur zogist, dhe nga shtëpia e këtij të fundit, Imer Ndregjoni, i mori në dorzim nga Abdullah Mëniku dhe i strehoi në shtëpinë e Llan Destan Ndregjonit. Në përfundim të Luftës, Ramadan Biba i përcolli në Tiranë…”! Llan Destan Ndregjoni ishte burrë i thjeshtë, i pashkolluar, i cili nuk dinte gjë për Holokaustin dhe egërsinë raciste të asaj kohe.

Po ai dinte atë më kryesoren; hebrenjtë ishin njerëz, krijesa të Zotit, në nevojë, të presdizpozuar për t’u zhdukur fizikisht. Llan Destani nuk dinte shumë nga teoritë humane, por ai dinte se jetën çdo njeriu ia jep Zoti dhe vetëm ai ka të drejtë t’ia marrë. Ai dinte se historia e njerzimit është historia e luftës në mes së mirës dhe së keqes. E keqja shumë herë ka dalë fitimtare, por në fund ajo është mundur nga e mira. Llan Destan Ndregjoni nuk i përgjigjet urrejtjes me urrejtje, ai kishte në shpirt vetëm dritë. Jeta ishte e vështirë për të gjithë dhe kishin shumë mungesa. Por atyre nuk u mungoi kurrë vetëm një gjë, dashuria e këtyre malësorëve të ndershëm dhe krenarë. Në korrik të vitit 1944, u mor vesh që një batalion gjerman do të kalonte nëpër Lukan për të dalë në Mat.

Ndregjonët morën masa që miqve hebrenj të mos u ndodhte asgjë e keqe. Për t’u siguruar, i ngjitën në male, i strehuan në një kasolle, i çuan ushqime, veshmbathje, rroba për fjetje, dhe u rrinin natë e ditë roje me pushke në dorë. Vetëm kur kaloi rreziku i zbritën në fshat”. Pasardhësi I fisit të Ndregjonëve, Besim Ndregjoni shprehet: “Unë vij nga një familje fisnike, që u persekutua egërsisht nga regjimi komunist; ai regjim më pushkatoi tre pjesëtarë të familjes dhe dy të tjerë m’i mbyti në hetuesi. Pra, gjithsej 5 anëtarë. Babai e tim, Imer Ndregjoni, u dënua me 17 vjet burg politik dhe persekutimi vazhdoi edhe jashtë familjes, ku nga torturat u çmend në hetuesi edhe kunati (1982). Sa për informacion, gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai im luftoi me armë në dorë bashkë me Abaz Kupin kundër fashizmit, në prill të 1939-s.

Ai ishte një nacionalist, antikomunist dhe humanist, i cili gjatë periudhës 1943-1945 shpëtoi një familje hebrenjsh nga gjenocidi nazist. Me ardhjen e sistemit pluralist, për kontributet e dhëna në shërbim të kombit, babai im është shpallur “Qytetar Nderi” i Dibrës (2003). Presidenti i Republikës, Alfred Mosiu, e ka dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” si luftëtar antifashist dhe antikomunist (2004), me nr. dekreti 4307. Këshilli Bashkiak i Tiranës, me rastin e 60-vjetorit të gjenocidit nazist mbi hebrenjtë, ka emërtuar një rrugë në Tiranë, “Imer Ndregjoni”, me motivacionin për shpëtimin që u bëri hebrenjve gjatë okupacionit nazist, vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë, nr. 68, datë 10.11.2006.

Gjatë kohës së atij regjimi, personalisht m’u privuan të drejtat dhe liritë themelore. Ndër to, e drejta e arsimimit, e punësimit. Gjatë atij regjimi u caktua, në bazë të një vendimi të pushtetit diktatorial, të punoja në hapje tunelesh dhe në vende të tjera, që sot konsiderohen si relikte të diktaturës së komunizmit në vend, me detyrimin që të mos lëvizja gjetiu pa urdhër të pushtetit qendror”.

******

AIDSSH: Nregjoni nuk ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit

Autoriteti për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi kërkesën që kreu i ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Z.Besim Ndregjoni i ka kërkuar Autoritetit për informim mbi dokumentet e ishSigurimit të Shtetit për publikimin e dosjes së tij për të informuar publikun mbi pastërtinë morale të figurës së tij si aktivist i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe president i Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

Autoriteti për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi kërkesën që kreu i ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Z.Besim Ndregjoni i ka kërkuar Autoritetit për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për publikimin e dosjes së tij për të informuar publikun mbi pastërtinë morale të figurës së tij si aktivist i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe president i Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

Zoti Ndregjoni vjen nga një familje fisnike shqiptare, e cila ka përballuar tri diktatura në Shqipëri, diktaturën fashiste, me 7 prill 1939 babai i tij, Imer Ndregjoni, luftoi kundër pushtuesit fashist, në vitin 1944 u përndoq nga nazizmi se shpëtoi një familje hebrenjsh të Emunael Rubenit prej 7 vetash duke treguar humanizmin shqiptar, si luftëtar nacionalist u shqua për qëndresën ndaj diktaturës komuniste, ku diktatura e dënoi me 17 vite burg politik, si bashkëpunëtor i anglo-amerikanëve.

Diktatura komuniste i pushkatoi tre pjesëtarë të fisit, në moshën 18-vjeçare nipin Xhevitin, xhajën Xhetanin në moshën 24-vjeçare dhe në moshën 75- vjeçarë, gjyshi Llani vritet në përpjekje me forcat e kriminelit Shefqet Peçi. Nga torturat çnjerëzore në hetuesi, vdiqën në tortura dy pjesëtaretë familjes, kushëriri Halili dhe daja i babës Lam Bici. U dënua me 7 vite burg politik daja i tij Bajram Totrakun. Nga torturat çnjerëzore në hetuesi në vitin 1981 humb vetëdijen, burri i hallës Destan Manuka, të cilin e dërguan në spitalin spikiatrik në Elbasan. Ky është bilanci tragjik që kjo familje pësoi nga diktatura komuniste. Besim Ndregjoni i mbijetoi diktaturës dhe pse ajo e kishte etikuar armik të regjimit, duke i mohuar të drejtat dhe liritë në të gjitha fushat e jetës, falë vullnetit dhe kurajës së tij me një qëndresë e stoizëm të admirueshëm.

Ai ka një veprimtari kombëtare për tri dekada për të drejtat dhe liritë e të përndjekurve politikë shqiptarë. Ai gëzon një popullaritet dhe respekt nga të gjithë faktorët politikë-social e në veçanti nga shtresa e të përndjekurve politikë. Ka organizuar tri konventa kombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit dhe është nismëtari dhe kontribuuesi në realizimin e rezolutës për dënimin e krimeve të komunizmit në bazë të Rezolutës së A.P.K. Europës në vitin 2006, në Parlamentin shqiptar. Tri fotoekspozita kombëtare për figurat antikomuniste, që i kishte denigruar diktatura. Ai ka bërë të ditur krimin komunistë në të gjitha kancelaritë europiane, si dhe ka dokumentuar krimet e komunizmit në shtypin e përditshëm dhe ka memorizuar vendet ku janë kryer këto krime. Falë kontributit të tij, të burgosurit politikë kanë fituar dëmshpërblimin.

Misionar i ngritjes së “Murit të Kujtesës”. Në Tiranë mbi 6000 burrave dhe grave që i ka pushkatuar diktatura duke iu zhdukur kufomat dhe ata sot nuk kanë një varr. Vetëm zëri i Besim Ndregjonit nuk ka reshtur për 32 vite për të drejtat e të përndjekurve, duke mbajtur lart moralin e duke dënuar heshtjen që përdori politika shqiptare gjatë 32 viteve ndaj viktimave të komunizmit. Si kontribuues e përçues i paqes: “The American University For global peace USA, Dr. Besim Ndregjoni The Degree Of Doctor Of Intergovernmental Relations And Humanity”.

Me të drejtë, Presidenti i Republikës i ka dhënë titullin “Mjeshtër i Madh” për kontribut të rëndësishëm si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë, për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist”. Dibra, ku u lind dhe u rrit dhe u persekutua e ka nderuar “Qytetar Nderi” i Peshkopisë. Qarku i Tiranë ku punon e vepron, prej tri dekadash e ka shpallur “Nderi i Qarkut të Tiranës”! Postriba antikomuniste e ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i Postribës”. Ai ka marre titullin “Ambasador i Paqes”.

Në kuadër të verifikimit të figurës së kandidatëve që konkurrojnë për fuksione të larta shtetërore, Autoriteti për informim mori vendimin nr. 626 , 23.10 .2023 që i njeh pastërtinë e figurës zotit Besim Ndregjoni. Autoriteti bën me dije se Zoti Ndregjoni nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i ish- Sigurimit të Shtetit, apo të ketë pasur lidhje me ndonjë strukture të diktaturës. Ndregjoni kandidon për pozicionin e Avokatit të Popullit. Nga ky verifikim Besim Ndregjoni rezulton i pastër në të gjitha verifikimet e kryera në lidhje me të gjitha komponentët. Ai ka mbështetje për Avokat Populli nga i gjithë elektorati i djathtë, si dhe të shoqërisë civile dhe nga të përndjekurit politikë të Shqipërisë.

Së fundi, si përfaqësues për tri dekada i të mbijetuarve të diktaturës, ish-të përndjekur politike, ai u prit në Vatikan më 25 tetor 2023 nga Shenjtëria e tij, Papa Françesku, ku u vlerësua për kontributin e tij në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, për ish-të përndjekurit politikë, për promovimin e sakrificës së kësaj shtrese nga regjimi komunistë dhe mori mbështetjen ndërkombëtare nga Papa Françesku për kauzën e të përndjekurve politikë të Shqipërisë. I pyetur nga gazeta “Panorama” për dokumentin e marre nga Autoriteti i Dosjeve ai u përgjigj: “I madhi Dante na ka lënë: ‘Non ti curar di lor, ma guarda e passa’ (mos u merr me to, thashetheme), por ban rrugën tande”!

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco