Një rrënjë molle qe ajo ...Investigimi i gazetarit të SYRI TV që zbuloi zhvatjen e milionave të IPARD, shkrimi më i mirë për vitin 2023 Gazetari Julian Hoxhaj i SYRI TV, në momentin kur i dorëzohet çmimi

Një rrënjë molle qe ajo ...Investigimi i gazetarit të SYRI TV që zbuloi zhvatjen e milionave të IPARD, shkrimi më i mirë për vitin 2023

14:30, 10/11/2023
A+ Aa A-

Gazetari Julian Hoxhaj i SYRI TV është vlerësuar sot me çmimin “Vangjush Gambeta” për shkrimin më të mirë ekonomik në Shqipëri të vitit 2023.

Shkrimi për të cilin Hoxhaj u nderua, i titulluar “Fondet e bujqësisë, si u kthye mbështetja për grumbulluesit në një skemë oligarkie”,  është në fakt një hulumtim që u nxit nga rasti i një fermeri të thjeshtë në Maliq, i cili e sharroi të gjithë pemishten e tij me mollë për shkak të talljes dhe abuzimit me mundin e tij nga grumbulluesit.

Por, Hoxhaj, ashtu si një gjahtar i vjetër edhe me përvojë, e ndoqi gjurmën me durim derisa zbuloi një skemë gjigante shtetërore zhvatjeje dhe varfërimi të fermerëve shqiptarë, që kalonte nëpër hallkat e Ministrisë së Bujqësisë, ku miliona euro subvencione për bujqësinë po derdheshin në drejtime të tjera, por kurrsesi jo tek ai fermeri, jo tek  ai "mollaxhiu" i Maliqit.

Julian Hoxhaj arriti të zgjonte vëmendjen deri edhe të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë me investigimin e tij, që u detyrua t'i përgjigjej se “kriteret e përgjithshme të përshtatshmërisë për përfituesit IPARD janë pjesë e programit IPARD, të hartuar nga autoritetet shqiptare dhe të miratuar nga BE-ja”.

Dhe mundi i gazetarit nuk shkoi kot, për shkak të korrupsionit deri në nivele të larta, Bashkimi Europian ia pezulloi fondet Shqipërisë për bujqësinë. Më shumë për këtë mund të kuptojmë në njoftimin që Julian Hoxhaj ka publikuar sot në rrjetet sociale.

Julian Hoxhaj shkruan: “I lumtur të ndaj me ju vlerësimin e jurisë së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, që këtë të premte më dha çmimin "Vangjush Gambeta" "për shkrimin më të mirë ekonomik për shtypin e shkruar dhe online në Shqipëri për vitin 2023".

Sot u vlerësua investigimi im i disa muajve më parë "si skema e subvencioneve me grante të IPARD, u kthye në skemë oligarkie për bujqësinë", i botuar dhe mbështetur nga Investigative Network Albania.

Ky investigim i parapriu vendimit të OLAF ( Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit Financiar) të pezullojë pikërisht fondet IPARD për Shqipërinë për shkak të abuzimeve të mëdha!

Faleminderit!”

Në një rast si ky, çfarë tjetër mund t'i urohet Julian Hoxhajt?! Faleminderit gazetar dhe sa më shumë të tjerë në hapat e tua!/ar.sh/SYRI.NET 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco