Edi Rama, me 36 mijë të huaj, na futen në shtëpi pa na pyetur

Edi Rama, me 36 mijë të huaj, na futen në shtëpi pa na pyetur

11:10, 08/11/2023
A+ Aa A-

Nga Marsel Lela

Pas instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri, terma si “shtëpia ime” u transformuan në “shtëpia jonë”. Më shumë se diçka që shpreh dashamirësinë e shqiptarit për ta ndarë shtëpinë e tij me mikun, apo kalimtarin që e kishte zënë nata rrugës, kjo terminologji shprehte diktatin e pushtetit për t’ia marrë shtëpinë pronarit të ligjshëm dhe për ta ndarë atë me njerëz të tjerë.

Edhe pse ti mund të kishe shtëpinë tënde të trashëguar brez pas brezi nga të parët, shteti e konsideronte atë pronë të veten dhe i jepte të drejtë vetes për të të sjellë aty familje të tjera për banim. Kështu, ti ishte i detyruar të ndaje me njerëz të panjohur, jo vetëm korridorin, dhomat, oborrin, por edhe banjon e vetme. Veprimet ishin arbitrare dhe për marrjen e tyre nuk pyetej askush. Të njëjtën gjë po bën sot kryeministri Edi Rama.

Pasi dështoi për ta kthyer Shqipërinë në depo armësh kimike, Rama po tenton ta kthejë atë në një burg masiv refugjatësh, pa marrë parasysh mendimin e askujt, veç atyre që ia servirin këtë marrëveshje në tavolinë. Nënshkrimi i marrëveshjes mes tij dhe kryeministres italiane, Georgia Meloni, për të sjellë 36 mijë emigrantë në vit nga Afrika dhe vendet e Lindjes, është një lajm i keq për vendin tonë.

Kujtojmë se mbajtja e këtyre refugjatëve është refuzuar nga vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria, edhe përkundrejt masave penalizuese që Komisioni Europian ka paralajmëruar kundër tyre. Së bashku me Hungarinë dhe Poloninë, Republika Çeke ka refuzuar të marrë pjesë në skemën e BE-së për zhvendosjen në vendet e tyre të refugjatëve nga Greqia dhe Italia.

Refuzimi i refugjatëve nga këto vende është bërë sepse, nga njëra anë, qëndrimi i tyre mund të jetë afatgjatë dhe kjo do të krijonte probleme të mëdha në shtetet pritëse, nga ana tjetër në mesin e refugjatëve mund të ketë elementë që kanë qenë pjesë e aktiviteteve terroriste.

Duket qartë se kryeministri Rama nuk ka marrë parasysh asnjë nga këta faktorë, ndërkohë që Shqipëria nuk ka as kapacitete dhe as forca policore për të ruajtur sigurinë. Mjaftuan njëzet minuta shi për të paralizuar gjithë vendin, jo më vala e panjohur e pasigurisë së emigrantëve që Rama kërkon të sjellë në brigjet e Shëngjinit dhe fushat e Gjadrit, të cilin ai zotohet ta kontrollojë me një trupë policore kryesisht të korruptuar.

Në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Rama e nënshkroi marrëveshjen pa pyetur askënd, duke e trajtuar këtë vend si të ishte baçja personale. Megjithëse marrëveshja e beftë Rama-Meloni u nënshkrua dje, ajo është është bërë që në muajin gusht.

“Nëse Italia thërret, Shqipëria do të përgjigjet”, tha Rama si një dalëzotës i halleve të Perëndimit, por që nuk ngre dot as brekët e vendit të tij që hiqen zhag rrugëve të Europës.

Ç’siguri mund të japë një kryeministër, nënshtetasit e të cilit çajnë ferrën çdo ditë nga mungesa e shpresës? Ç’siguri mund të japë një kryeministër që ndalon opozitën të hyjë në parlament dhe mbledh qeverinë në Skype, për të pasur dorë sa më të lirë në nënshkrimin e vendimeve dhe projektligjeve antikombëtare që çojnë ujë vetëm në burimin e tij? Ç’siguri mund të japë kryeministri i një shoqërie që intimidohet nën kërcënimin e heqjes së kafshatës? Ç’siguri mund të japë një kryeministër që mban peng diplomat e studentëve, të cilët kanë vetëm një ëndërr pas diplomimit: të ikin nga sytë këmbët? Ç’siguri mund të japë një kryeministër që shpopullon vendin e tij dhe e ripopullon atë me refugjatë?

Vetëm pak ditë më parë katër emigrantë shqiptarë vdiqën në Gjermani, pasi ranë nga skela e një ndërtese ku po punonin. Me siguri, ndonjë nga ministret e Ramës mund të thotë se “këto bëhen edhe filma”, por kjo është në të vërtetë drama e përditshme e një populli që i kanë vrarë shpresën. Rama dhe qeveria e tij kanë treguar, në gjithë këto vite pushteti, një paaftësi kronike për t’u siguruar nënshtetasve të tyre kushtet më bazike për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre./POLITIKO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco