Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët/ Opozita italiane: E paligjshme në nivel kombëtar e ndërkombëtar dhe joefektive

Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët/ Opozita italiane: E paligjshme në nivel kombëtar e ndërkombëtar dhe joefektive

22:46, 07/11/2023
A+ Aa A-

Një dokument prej 9 faqesh, gjithsej 14 nene, i cili do të qëndrojë në fuqi ‘për 5 vjet’, i rinovueshëm edhe për 5 vite të tjera ‘nëse njëra nga palët nuk njofton brenda 6 muajve nga skadimi’ qëllimin për të mos e rinovuar.

Është marrëveshja Itali-Shqipëri për menaxhimin e emigrantëve të nënshkruar dje (6 nëntor 2023) nga kryeministrja Giorgia Meloni me kryeministrin shqiptar Edi Rama që ‘ANSA’ mund ta shikonte. Italia merr përsipër të kthejë ‘zonat’ e dedikuara për qendrat e emigrantëve pas përfundimit të marrëveshjes.

Në qendrat për emigrantët të parashikuara nga marrëveshja Itali-Shqipëri, e drejta e mbrojtjes sigurohet duke lejuar akses të strukturave të avokatëve dhe asistentëve, organizatave ndërkombëtare dhe agjencive të BE-së që ofrojnë këshilla dhe asistencë aplikantëve për mbrojtje ndërkombëtare, brenda kufijve të legjislacionit italian, europian dhe shqiptar. Kështu shkruhet në marrëveshje, ku parashikohet që emigrantët të mund të qëndrojnë jo më shumë se periudha maksimale e lejuar nga legjislacioni aktual italian. Sipas marrëveshjes, në përfundim të procedurave autoritetet e Romës do të sigurojnë largimin me kosto në ngarkim të Italisë.

Në qendrat e parashikuara nga marrëveshja Itali-Shqipëri, nuk mund të jenë të pranishëm më shumë se 3000 emigrantë në të njëjtën kohë. Siç shkruhet në marrëveshje, strukturat menaxhohen nga Italia sipas legjislacionit përkatës italian dhe europian dhe çdo mosmarrëveshje me emigrantët i nënshtrohet ekskluzivisht juridiksionit italian. Kur e drejta e qëndrimit në struktura pushon ‘për çfarëdo arsye’, Italia menjëherë transferon emigrantët jashtë territorit shqiptar. Në rast lindjeje ose vdekjeje, specifikon marrëveshja, emigrantët i nënshtrohen ligjit italian. Në rast vdekjeje, Shqipëria vë në dispozicion të Italisë morgun për ta transferuar trupin brenda 15 ditëve nga vdekja.

Opozita shqiptare e qendrës së djathtë është kundër kryeministrit Edi Rama për nënshkrimin e marrëveshjes për emigrantët, firmosur në Romë sëbashku me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Pavarësisht ‘mirënjohjes ndaj Italisë, për atë që është bërë në mbështetjen tonë gjatë 33 viteve të fundit, ne ende nuk jemi gati për të ndërmarrë një hap të tillë’, ka shkruar nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, deputet i Partisë Demokratike (PD) në Facebook: ‘Qeveria Meloni është nën presion të madh për menaxhimin e krizës’ së emigrantëve dhe ‘qeveria Rama nuk duhet ta transferojë këtë krizë në Shqipëri’.

Një strukturë e emigrantëve në portin e Shëngjinit, paralajmëron Gjekmarkaj, do të ‘zbehte gjithashtu ëndrrën e kësaj zone të rëndësishme bregdetare në veri të vendit për të zhvilluar turizmin’. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, drejtoi gishtin tek mungesa e transparencës nga ana e kryeministrit, i cili ‘nuk ka mandat të negociojë me asnjë vend: Italia është aleati dhe partneri ynë, një vend mik, por këtu bëhet fjalë për interesa kombëtare’, shtoi ai, duke akuzuar Ramën si përgjegjës për ikjen e vetë shqiptarëve jashtë vendit, ‘ndërsa ai vendos të sjellë këtu emigrantë të paligjshëm. Është e papranueshme’.

Rama ka nënshkruar marrëveshjen ‘i shtyrë vetëm nga interesat e tij të errëta’, ka denoncuar ish-kryeministri i qendrës së djathtë Sali Berisha, ndërsa nga Partia e Lirisë (PL) e ish-presidentit të Republikës Ilir Meta kryeministri shqiptar akuzohet se ‘Po përdorë vendin si të ishte pronë e tij private. Një tregtar i gatshëm të bëjë biznes me interesat e Shqipërisë, në këmbim të mbështetjeve të pandershme dhe trafikimit të interesave’, shkruan deputeti i PL, Petrit Vasili. Mediat shqiptare nënvizuan edhe polemikat politike që ka ngjallur marrëveshja në Itali, duke kujtuar nga ana tjetër një deklaratë të Ramës të nëntorit 2021, ku premtoi se ‘Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend ku vendet e tjera më të pasura mund të ngrenë kampe për refugjatët e tyre’.

Marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët e shpallur dje mund të bëhet ‘model bashkëpunimi mes vendeve të BE-së dhe vendeve jo-BE për menaxhimin e flukseve migratore’, ka deklaruar kryeministrja Giorgia Meloni sot në një intervistë për ‘Il Messaggero’.

Është një marrëveshje ‘e cila forcon partneritetin strategjik midis Italisë dhe Shqipërisë dhe në thelb ka tre objektiva: të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore, të parandalojë flukset e parregullta migratore dhe të mirëpresë në Europë vetëm ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare’, ka shtuar Meloni.
Për drejtuesen e të majtës italiane (PD) Elly Schlein marrëveshja ‘duket se është në kundërshtim të hapur me rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës europiane’. Schlein është shprehur se kjo marrëveshje duhet parë mirë dhe me shumë kujdes. ‘Giorgia Meloni’, shtoi Schlein, ‘ duhet më tepër të bindë aleatët e saj nacionalistë europianë që të ndajnë përgjegjësitë në pritjen e emigrantëve dhe të mos e lënë Italinë vetëm’.

Marrëveshja me Shqipërinë është ‘e paligjshme në nivel kombëtar e ndërkombëtar dhe joefektive’ për emigracionin e paligjshëm, ‘e parëndësishme për pritjen e emigrantëve: ndryshimi i vetëm është se do të kushtojë shumë më tepër para’. Kështu ka deklaruar ish-zëvendësministri i Brendshëm i Partisë Demokratike, partisë më të madhe të së majtës italiane, Matteo Mauri duke nënvizuar se ‘së pari qeveria duhet ta bëjë publik tekstin nëse ekziston’ dhe se ‘ato rregulla duhet të kalojnë në parlamentin italian’, sepse ‘nuk është absolutisht e vërtetë’ se mjaftojnë dy traktate ndërkombëtare bashkëpunimi të nënshkruara edhe në të shkuarën me Tiranën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco