A po afrohen përsëri Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj dhe roli i Erion Veliajt

A po afrohen përsëri Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj dhe roli i Erion Veliajt

18:24, 07/11/2023
A+ Aa A-

Marrë nga Lapsi.al

Ish ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeministri Edi Rama duket se po e tejkalojnë një konflikt të ngrirë mes tyre dhe po gjejnë rrugën e pajtimit. Burime të Lapsi.al nga mazhoranca, thanë se ky afrim mes tyre ka në sfond disa ndryshime në kodin penal, për të cilat kryeministri ka nevojë për mbështetjen e Xhafajt, njeriut që pati drejtuar dikur komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi.

Sipas të njëjtave burime, bëhet fjalë për heqjen e veprës penale ‘shpërdorim detyre’ dhe disa ndryshime të tjera, që kanë si qëllim të kufizojnë ndjekjen penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe punonjësve të administratës.

Madje për këtë iniciativë thuhet se është referuar edhe shembulli i Italisë, e cila e paska hequr ‘shpërdorimin e detyrës’ nga kodi penal. Ata që po merren me këto ndërhyrje në kod, argumentojnë se akuza e shpërdorimit të detyrës, është shumë evazive dhe krijon mundësi abuzimi të prokurorëve për të vënë përpara përgjegjësi ligjore, cilindo zyrtar shtetëror. Të njëjtët mendojnë se vetëm rastet e provuara të korrupsionit duhet të përbëjnë casus për ndëshkimin e zyrtarëve.

Ndonëse deri tani ky është ende një projekt për ligjvënësit e mazhorancës, kryeministri Rama ka patur nevojë për shërbimet e ish ministrit të tij të Brendshëm, i dorëhequr nga posti për shkak të dënimit të vëllait të tij në Itali, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Fatmir Xhafaj, i cilësuar shpesh edhe si ‘babai i reformës në drejtësi’, njihet për ndikimin e tij të fortë në strukturat e drejtësisë së re dhe raportet e afërta me agjencitë ndërkombëtare të monitorimit të kësaj reforme. Nëse Xhafaj do të mbështeste ndryshimet e përfolura në kodin penal, apo në rastin më të mirë të bëhej promotor i tyre, atëherë kjo do të amortizonte ndonjë kundërshtim si të prokurorëve të veçantë ashtu edhe të ekspertëve ndërkombëtarë.

‘Rehabilitimi’ i Fatmir Xhafajt nga Rama, sipas burimeve nga mazhoranca lidhet kryesisht me këtë plan të kryeministrit por edhe nga ana e ish ministrit ka arsye për t’u rikthyer në kupolën nga ku e larguan disa vjet më parë. Edi Rama e ‘ndëshkoi’ publikisht Fatmir Xhafën në zgjedhjet e kaluara parlamentare, duke e vendosur emrin e tij shumë poshtë listës fituese në Tiranë. Megjithatë, në pranverën e vitit 2021, ish ministri shprehej i sigurtë se do të arrinte të mblidhte aq vota, sa të thyente herësin dhe të merrte mandatin e deputetit, pavarësisht vullnetit të kryeministrit.

Besimi i Xhafajt vinte sigurisht nga fakti se drejtues i qarkut të Tiranës për PS, ishte Erjon Veliaj. Aleanca e tij politike, dhe më tepër se kaq, me kryetarin e Bashkisë ishte e njohur dhe, të dy ata, kishin patur një rol kyç në gjithë procesin e ngritjes së strukturave të reja të drejtësisë. Siç dihet, angazhimi personal i Velisë dhe stafit të tij të ngushtë në Bashki, ia dolën të fusin Fatmir Xhafën në Kuvendin e Shqipërisë, me një numër rekord votash.

I çliruar nga detyrimi ndaj Ramës për mandatin e tij, Xhafaj u shfaq si i vetmi deputet ‘rebel’ i mazhorancës, duke bërë kritika të forta dhe thelbësore si ndaj qeverisë ashtu edhe ndaj projekt ligjeve të caktuara që vendoseshin dhe dhunën e kartonëve.

Në korridoret e PS, flitej gjithnjë e më shumë për një ndarje klanesh brenda shumicës, ku Xhafaj atashohej si pjesë e rëndësishme pranë Erjon Velisë. E rëndësishme për shkak të jetëgjatësisë në PS por edhe ndikimit në sistemin e drejtësisë, që kishte filluar të luante një rol në jetën politike të vendit.

Mirëpo, ideja e luftës së klaneve në PS, më shumë duket si një dëshirë e kundërshtarëve se sa një realitet, përsa kohë që i gjithë pushteti është në duart e Edi Ramës. Sipas të njëjtave burime, shkesi në afrimin e Xhafajt me Ramën, duket se është Erjon Veliaj. Njeriu që i dha mandatin e deputetit ish ministrit, duket se tani do t’i japi fund edhe rebelimit të tij. Kjo mblesëri e re, mund të ketë disa shpjegime.

Së pari, tentativa për të hequr ‘shpërdorimin e detyrës’ nga kodi penal është një projekt që i shkon për shtat edhe kryetarit të Bashkisë. Jo sepse Rama dhe Veliaj ndihen të kërcënuar personalisht, por sepse ‘ushtarët’ e tyre që janë të gatshëm të firmosin çdo letër e çdo tender po pakësohen. Çdo ditë flitet për drejtues të rëndësishëm që duan të japin dorëheqje, për shkak se përfitimet shkojnë në xhepin e dikujt tjetër, ndërsa ata rrezikojnë të përfundojnë si kontingjent për SPAK. Heqja e ‘shpërdorimit të detyrës’, mund të jetë një lubrifikant që të vajisë mekanizmin e korrupsionit.

Së dyti, sado ndikim të kenë Veliaj dhe Xhafa mbi prokurorë të caktuar të SPAK, ai as që mund të krahasohet me kontrollin e një kryeministri si Rama mbi të njëjtën strukturë. Mënyra si ka vepruar me ish të besuarit e tij, nga Ahmetaj tek Vangjush Dako, sugjeron që aleanca me Ramën është kurdoherë më e vlefshme se matja e forcave me të. Ngjarja që mund të ketë ndikuar për t’u kthjelluar në këtë drejtim, me shumë gjasë është ajo që denoncoi Belind Këlliçi, disa ditë më parë, por që e ka zanafillën më të hershme.

Bëhet fjalë për një leje ndërtimi, për kompaninë ‘Arlis’ të biznesmenit Armand Lilo tek ish Uzina Mekanike në rrugën e Kavajës. Disa prona shtetërore në hapësirën ku dha lejen e ndërtimin Erjon Velija, kanë qenë në pronësi të ministrisë së Brendshme kur ajo drejtohej nga Fatmir Xhafaj.

Ky i fundit, i propozoi qeverisë që këto prona t’i kalonin Bashkisë së Tiranës dhe kështu me datë 21.05.2018, me vendimin e qeverisë Rama, 13 parcela dhe ndërtesat mbi to u bënë pronë e Bashkisë. Pesë muaj më vonë, me vendim të Këshillit Bashkiak, këto prona iu kaluan Armand Lilos, i cili mori përsipër në këmbim ndërtimin e një godine 5 katëshe në favor të Bashkisë Tiranë.

Duke ditur afërsinë familjare të biznesmenit Lilo me ish ministrin Xhafaj, por dhe favoret që ai kishte marrë nga kryetari i Bashkisë, si leja e ndërtimit në fjalë apo depozitimi i dherave pa pagesë në landfillin e Sharrës, Edi Rama bëri sikur u habit kur zbuloi se në zemër të Tiranës qënkan ngritur 7 kate shtesë pa leje.

Bëhej fjalë për kullën ‘Syri i Tiranës’, pikërisht në pronësi të ndërtuesit Armand Lilo. Ky sulm i kryeministrit ishte një sinjal i qartë pë ata që mendohej se qëndronin pas tij. Tani që çështja e procedurave të kalimit të pronës shtetërore në favor të Lilos tek ish Uzina, është depozituar në SPAK nga PD, ndërmjetësimi i mundshëm i Veliajt për afrimin mes Xhafës dhe Ramës merr më shumë kuptim.

Qëndrimet e mëtejshme të Xhafës në Kuvend dhe roli i tij i hamendësuar në projektin e përfolur të ndryshimeve në kodin penal, do të jenë prova nëse dy vëllezërit armiq kanë arritur një pakt mes tyre. Dhe sigurisht, nëse SPAK do të hapë hetime ose jo, për rastin e ndërtimeve tek ish Uzina Mekanike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco