Refugjatët do i marrim se i prishën Melonit pushimet!

Refugjatët do i marrim se i prishën Melonit pushimet!

15:25, 07/11/2023
A+ Aa A-

Një nga tiparet kryesore të autokracive është se duhet të presësh gjithmonë me zemër të ngrirë se ku do shpërthejë marrëzia korruptive e radhës.

Kështu ndodhi edhe dje, kur shqiptarët mësuan live se vendi i tyre do kthehet në një Guantanamo të re, një Lampeduzë shumë më e frikshme dhe më e rrezikshme se ajo në Itali.

Kryeministri Edi Rama as nuk u kujdes fare të manipulonte mesazhin.

Ua tha troç shqiptarëve se refugjatët do i marrim sepse i kishin prishur pushimet kryeministres italiane.

"Pikërisht kur kryeministrja Giorgia Meloni mendonte se do të bënte pushimet domethënë të gjitha arritjet, ose të gjitha flukset që kapën ose prekën Italinë, nuk e lanë të lirë që të shijonte pushimet e saj. Jam i hapur nëse ka pyetje apo jo, por jam i hapur pastaj nëse s’ka, të firmosim," tha Rama në konferencën nga pallati 'Chigi'.

Por nëse marrëzia e fjalëve është një gjë, marrëzia e asaj që na pret është një gjë shumë e rëndë me pasoja katastrofike.

Dhe ky është një term që po e përdor politika dhe media italiane.

Sigurisht në një vend si Italia, ku sundon ligji, shqetësimi i parë është legal. Se si do vendosë parlamenti, se si do përkthehet marrëveshja në terma ligjorë, se si do zbatohet ajo dhe mbi të gjitha a do respektohen ligjet e brendshme dhe ndërkombëtare.

Po në Shqipëri, ku Rama është vetë parlamenti, vetë drejtësia e vetë ligji, shqetësimet janë më të thella.

Aktori Gentian Zenelaj është i shokuar për atë se çfarë do ndodhë me Shëngjinin dhe Lezhën e tij turistike.

Tek e fundit, brenda pak kohësh, numri i refugjatëve do e tejkalojë me disa herë numrin e banorëve të Shëngjinit e Lezhës. 

Mos harroni se para pak javësh, Edi Rama dhe Pjerin Ndreu i tij zhgarravisnin plane betonizimi duke premtuar se 'do e bënin Lezhën si Spanja'.

Marrëveshja thotë se në Shqipëri do vijnë vetëm burrat, duke aplikuar një politikë tronditëse që nuk është parë veçse në kohërat e errëta të planetit, kur familjet ndahen.

Ndërkohë këto kampe refugjatësh do ruhen dhe do mbikëqyren nga policia shqiptare, më e korruptuara dhe më e kriminalizuara në Europë. Me ministrin e Rendit më të korruptuar dhe kriminalizuar në Europë. Kjo do të thotë se dyert e kampeve do jenë të shqyera.

Dhe mos harroni se krimi shqiptar ka potencialin më të fuqishëm në kontinent e më gjerë. Çka do të thotë para, logjistikë dhe lidhjet e duhura.

Ata mijëra refugjatë, që mund të bëhen qindra-mijëra në pak vjet, janë 'hambari' më i madh i rekrutimit për nevoja të krimit shqiptar dhe ndërkombëtar.

Mirëpo krimin e organizuar dhe terrorizmin e ndan një vijë e hollë, sidomos në këto kohëra të trazuara për botën.

Po t'i shtosh kësaj faktin se Shqipëria e Edi Ramës, e cila nuk u siguron nevojat minimale 70 përqind të popullsisë së saj, tani do marrë mijëra njerëz të dëshpëruar pa asnjë ndihmë financiare, panorama bëhet e frikshme.

Po kjo nuk ka rëndësi për Edi Ramën. Rëndësi ka që nuk lejoi që Melonit t'i prishen pushimet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco