Qeveria Rama jep para shtesë mbi tenderin, rruga Korçë-Ersekë ‘gllabëron’ 5 mln euro të tjera

Qeveria Rama jep para shtesë mbi tenderin, rruga Korçë-Ersekë ‘gllabëron’ 5 mln euro të tjera

14:50, 03/11/2023
A+ Aa A-

Edhe pse është prokuruar përmes mënyrës klasike të tenderit, rruga Korçë-Ersekë në fakt po shndërrohet mirëfilltazi në një koncesion, që merr para çdo vit.

Qeveria shqiptare do të japë edhe 5 milionë euro të tjera shtesë përmes modifikimit të kontratës për të përfunduar lotin e dytë të rrugës Korçë Ersekë. Shifra është buxhetuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

E filluar në vitin 2011 nga qeveria e Partisë Demokratike, rruga Korçë-Ersekë vazhdon të marrë para edhe 13 vite më pas. Tashmë kostoja e saj ka kapur majat dhe diferencat mes loteve janë disa fish.

Rruga

Rruga Korçë Ersekë ka një gjatësi totale prej 35 kilometrash dhe është e ndarë në dy lote. Loti i parë me gjatësi 18 kilometra u tenderua nga ish qeveria e Partisë Demokratike për një kosto totale prej 15 milionë eurosh. Ndërsa loti i dytë me gjatësi 17 kilometra u tenderua nga qeveria aktuale me një vlerë prej 5 miliardë lekësh ose gati 48 milionë euro.

Qeveria e tenderoi lotin e dytë të rrugës Korçë-Ersekë në vitin 2020 duke e ndarë atë në dy pjesë. Pjesa e parë me gjatësi 4.15 kilometër tenderua tek kompania A.N.K e zotëruar nga familja e ish deputetit socialist Ndue Kola, me vlerën 2.352 miliardë lekë ose 22.4 milionë euro me kursin aktual.

Pjesa e dytë me gjatësi prej 12.85 kilometra u fitua sërish nga e njëjta kompani me vlerë me vlerë 20.6 milionë lekë ose sa 99.9 për qind e fondit limit të përcaktuar.

Me këto dy tendera loti i dytë dhe rrjedhimisht edhe e gjitha rruga duhet të kishte përfunduar. Por vitin tjetër qeveria do ta shtojë kontratën për pjesën e dytë edhe me 5 milionë euro të tjera përmes procedurës së modifikimit të kontratës. Për pasojë kostoja e rrugës me gjatësi totale 35 kilometra tashmë arrin në gati 65 milionë euro.

A.N.K është kompania e cila u përzgjodh fituese për koncesionin 265 milionë euro të rrugës Milot Balldrenë. Por ky koncesion nuk u realizua për shkak se sipas zërave edhe nga brenda maxhorancës kompania nuk arriti të gjejë paratë për të financuar ndërtimin e rrugës.

Koncesioni Milot-Balldrenë mbeti në kalendat greke. Por me sa duket qeveria e kompesoi kompaninë me rrugën Korçë-Ersekë, çdo lot i së cilës fitohet nga A.N.K dhe paratë nga buxheti vazhdojnë lumë edhe pas 13 vjetësh nga fillimi i ndërtimit të rrugës./Kapitali/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco