Berisha: Cila e drejtë kushtetuese iu ishte mohuar deputetëve të Vetëvendosjes?! Kjo që ndodh sot këtu është aksion i detyruar

Berisha: Cila e drejtë kushtetuese iu ishte mohuar deputetëve të Vetëvendosjes?! Kjo që ndodh sot këtu është aksion i detyruar

13:55, 03/11/2023
A+ Aa A-

Një pyetje interesante iu bë Kryetarit të PD-së, Sali Berishës, në fund të konferencës së tij për shtyp. Një gazetar i solli në vëmendje, liderit të opozitës shqiptare, qëndrimin e rreptë që kishte mbajtur ndaj protestës së Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë vite më parë, kur deputetët e saj kishin lëshuar bomba me gaz lotsjellës në parlamentin e tyre. Gazetari i kërkoi të dinte në shihte ndonjë ndryshim me këtë që po bënte vetë sot së bashku me Grupin parlamentar të PD-së në parlamentin e Shqipërisë.

Ndiqni në vijim pyetjen dhe përgjigjen e z. Berisha.

Pyetje: Më 3 dhjetor të vitit 2015 ka pasur zhvillime në Kosovë. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bënin trazira përfshirë edhe gazin lotsjellës. Ju, z. Berisha, keni deklaruar dhe po citoj... “më thoni mua, në cilin parlament të botës, hidhen bomba me gaz?! Në cilin parlament?! Në cilin parlament kryhen veprime guerile?! Nëse do të bësh guerilasin, dil në mal, jo në sallën e parlamentit!” – Çfarë është duke bërë Sali Berisha dhe deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë?

Sali Berisha: Dakord, por a mund të më thuash pak, cila e drejtë kushtetuese iu ishte mohuar deputetëve të Vetëvendosjes dhe unë do them këtë, në rast se deputetëve të Vetëvendosjes nuk iu lejohej krijimi i komisioneve hetimore parlamentare.

Të drejtat kushtetuese janë një grup i vogël, të sanksionuar në 4-5 nene të Kushtetutës, maksimumi 6. - Cila e drejtë kushtetuese iu ishte mohuar deputetëve të Vetëvendosjes?!  Iu ishte mohuar atyre e drejta e krijimit të komisioneve hetimore parlamentare?! Iu ishte paralizuar atyre e drejta e iniciativës ligjvënëse?! Iu caktonte atyre, kryeministri i vendit, përfaqësuesin në reformë zgjedhore dhe komisione të tjera, që donte ai dhe jo që e emërojnë deputetët?!

Në rast se këto në atë kohë kanë ndodhur, Sali Berisha publikisht duhet t’i kërkojë të falur Vetëvendosjes për ato fjalë që ka thënë, në rast se këto kanë ndodhur. 

Në dijeninë time këto nuk kanë ndodhur.

Kjo që ndodh sot, është një aksion i detyruar për të mos bojkotuar parlamentin. Është një betejë për të rikthyer normalitetin dhe kushtetutshmërinë në parlament. Pra, prapa protestës së deputetëve në opozitë, duhet të shikosh shëmtinë e pafund të qeverisë që iu mohon atyre të drejtat kushtetuese në sallë.

Në çdo moment, pra kjo protestë ka vetëm një qëllim: garantimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve dhe të qytetarëve. Se këta deputetë nuk janë në parlament për të përfaqësuar qeverinë, janë në parlament për të përfaqësuar popullin opozitar, për të bërë kontrolle qeverisë.

Asnjë komision parlamentar nuk është bërë aty me qëllim vetëm Edi Ramën ta zëmë. Vërtet është vënë ‘Ismaili’ me 22 milionë, po kontrollo të gjithë udhëtimet e Sali Berishës po deshe! Asnjë kufizim. Vërtet është vënë konflikti i interesit për Edi Ramën, po kontrollo konfliktin e interesit për Sali Berishën në çdo aspekt. Po unë besoj se qytetarët kanë të drejtë se ç’ndodh me këto gjëra se nuk është se nuk qëndrojnë.

Ideja se duan t’i krahasojnë me qëndrimet që kam mbajtur ndaj Vetëvendosjes në atë kohë, nuk qëndron. Megjithatë, ai që më thotë mua shkaqet, nëse ka qenë në kushtet e shkeljes së Kushtetutës, unë i tërheq fjalët e mia!"

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco