‘Koncensionet dhe PPP-të’/ PS rrëzon paketën ‘anti-korrupsion’ të Tabakut të depozituar 1 vit më parë

‘Koncensionet dhe PPP-të’/ PS rrëzon paketën ‘anti-korrupsion’ të Tabakut të depozituar 1 vit më parë

16:58, 30/10/2023
A+ Aa A-

Komisioni i Ekonomisë rrëzoi të hënën dy nisma ligjore të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për ndryshime në ligjet “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” dhe “Për Prokurimin Publik”, edhe pse shumica ra dakord me këto propozime.

Propozimet synonin më shumë transparencë në sektorin e koncesioneve dhe PPP-ve dhe për ndalimin e një grupi kompanish të përfshira në korrupsion, pastrim parash, apo financim të terrorizmit, etj., që të fitonin kontrata publike.

Deputetët socialistë e argumentuan votën kundër me faktin se Këshilli i Ministrave po përgatiste disa ndryshime të ngjashme në dy ligjet, edhe pse në tërësi vlerësuan propozimet e Tabakut. “Jemi në kushtet kur ka filluar nga ana e Këshillit të Ministrave, rishikimi rrënjësor i legjislacionit për Partneritetin Publik-Privat dhe kjo nismë nuk mund të kalojë e veçuar…,” tha relatorja e PS-së, Enslemvera Zake, duke iu referuar qëndrimit të mbajtur në komisionet e tjera.

Sipas Zakes, FMN ka një vit që po asiston Ministrinë e Financave për rishikimin e ligjit për koncensionet dhe ka dhënë një sërë rekomandimesh që po shihen nga grupet e punës që janë ngritur. Para se të votohej, disa deputetë socialistë e quajtën “të pakuptimtë” kërkesën për ta votuar kundër, ndërkohë që propozimet pranoheshin si të drejta.

“Nuk ka sens kjo, ne i shikojmë si të vlefshme disa nga pikat dhe ndërkohë ia rrëzojmë,” tha Erjon Braçe. Edhe deputeti Frrok Gjini e quajti “cinike” votën kundër, ndërkohë që relatorët i vlerësuan propozimet. Por sipas kryetarit të komisionit, Eduart Shalsi, nismat do të rrëzoheshin në tërësi, ndërsa, -“për pikat që ka konsensus të sugjerohet për t’u marrë në konsideratë nga grupi i punës që po përgatit draftin”.

Tabaku tha se ishte humbur kohë për të përmirësuar këto ligje, pasi propozimet e saj ishin depozituar 1 vit më parë. “Një mundësi për të shpëtuar buxhetin e shtetit nga abuzimet dhe klientelizmi,” e cilësoi ajo paketën e propozimeve të saj.

Tabaku këmbënguli se këto ndryshime rregullonin problematikat kryesore që kanë sot prokurimet publike dhe koncesionet. “Janë një grup operatorësh, të cilët janë duke marrë të gjitha kontratat e koncesioneve dhe PPP-ve dhe kompani pa kapital, pa asete financiare dhe me pronarë të panjohur; kompani të cilat marrin koncesione dhe më pas e shesin të drejtën për të ushtruar këtë kontratë koncesionare por problematika që lidhen dhe me pastrimin e parave”- tha ajo.

Propozimet ligjore që vijnë nga deputetët e opozitës në shumicën e rasteve rrëzohen nga mazhoranca ose futen në kalendat e Kuvendit, duke mos u futur në kalendarin e punimeve në një kohë të arsyeshme pas depozitimit të tyre në Kuvend./ Birn/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco