Duçka tregon ‘McGonigal’/ A është Edi Rama nën hetimin e SPAK?

Duçka tregon ‘McGonigal’/ A është Edi Rama nën hetimin e SPAK?

13:34, 30/10/2023
A+ Aa A-

Pas katër orëve që u mor në pyetje në zyrat e SPAK, Dorian Duçka u buzëqeshi gazetarëve që e prisnin në dalje. Thuajse i kënaqur nga vëmëndja që po i kushtonin reporterët e kronikës u tha pak fjalë “Mund të pyesni Departamentin e Drejtësisë në Amerikë…” ndërsa largohej me nxitim për në mjetin e tij.

Këto pak fjalë mjaftojnë për të konfirmuar nisjen e hetimit të SPAK mbi aferën “McGonigal në Shqipëri”. Dihet se drejtësia amerikane u tregua e aftë të zbulonte vizitat e jashtëligjshme të Charles McGonigal në Shqipëri, arriti ta hetojë atë mbi marrëdhënien me oligarkun rus Oleg Deripaska dhe ta detyrojë të pranojë fajësinë për të dyja çështjet. Ndërkohë në Shqipëri “faji mbeti kopil”.

Edhe kryeministri Edi Rama në një intervistë në Shkurt të këtij viti tha se asnjë hetim nuk ekzistonte dhe se askush nuk e kishte kontaktuar në lidhje me këtë çështje.

Por paraqitja e Dorian Duçkës në SPAK dhe marrja e tij në pyetje për 4 orë tregon se diçka ka lëvizur në aferën ku Edi Rama përmendet 14 herë dhe ku tregohet se si ai ndërtoi një marrëdhënie okulte me ish-shefin e FBI së New York-ut me qëllim shkatërrimin e opozitës.

Image

Roli i Duçkës në hetimin e Bashës

Dorian Duçka pati rol kyç në raportin mes Ramës dhe McGonigal. Që nga prezantimi, tek takimet në Tiranë apo nisja e hetimit të FBI-së mbi Lulzim Bashën, i cili atëherë ishte në krye të opozitës dhe kandidat për kryeministër.

Duhet kujtuar se para zgjedhjeve të vitit 2017, Lulzim Basha zhvilloi një vizitë në SHBA, ku takoi edhe presidentin Donald Trump. Me pagesën e mbi 600 mijë dollarëve siguroi një foto me Trump, disa takime me kongresmenë dhe disa intervista në mediat pranë Partisë Republikane. Paratë që pagoi për lobimin nuk arriti t’i justifikojë asnjëherë. Vizita në SHBA iu kthye në boomerang në vitet që pasuan.

Në akt-akuzën kundër “McGonigal”, Dorian Duçka emërtohet si “Personi B”, ai është këshilltar i kryeministrit Rama dhe përfaqësues i një konglomerati kinez. Bashkë me biznesmenin Agron Neza ngjizi një marrëdhënie “ëin-ëin” mes kryeministrit të Shqipërisë dhe ish-shefit të FBI-së.

“Shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Personi B shërbente si një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare” ishte prezantimi i parë, që i bëhet në dosjen e prokurorëve amerikanë Dorian Duçkës.

Shtator  2017. Takimi i parë Rama-McGonigal në kryeministri. McGonigal i kërkoi Ramës një favor për licensat e naftës. Më vonë, Rama e mohoi prezencën e Duçkës në takim, por dosja e prokurorëve amerikanë ishte e qartë. Duçka ishte prezent në takim.

“Në 9 Shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal u takua me Personin B (Dorian Duçka) dhe kryeministrin e Shqipërisë. Me kërkesë të Personit A (Agron Nezës), i pandehuri McGonigal e paralajmëroi kryeministrin e Shqipërisë të shmangte dhënien e licencave të naftës në Shqipëri për kompanitë ruse. Personi A dhe Personi B kishin interes në vendimmarrjen e qeverisë shqiptare për dhënien e licensave të naftës. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit të Shqipërisë një kapele në prezencë të personit B, si shenjë e vlerësimit të tij” thuhej në akt-akuzën, për të cilën McGonigal ka pranuar fajësinë.

Pasi mbaroi punë në Tiranë, ish-shefi i FBI-së u kthye në ShBA. Disa ditë më vonë, Agron Neza i jep 225 mijë dollarë. Në nëntor të po atij viti, lobisti Nick Muzin deklaroi në SHBA paratë me të cilat Lulzim Basha e kishte paguar për lobimin.

Informacioni është publik. Qindra mijëra dollarë nuk ishin deklaruar nga Lulzim Basha në KQZ. Origjina e tyre është mister. Rama kontakton me McGonigal. Nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë vihen në dispozicion të FBI-së dokumentat e nevojshëm për nisjen e një hetimi. Dorian Duçkës i ngarkohet një detyrë tjetër, akoma më specifike.

Prokurorët amerikanë kanë zbuluar se Dorian Duçka i serviri McGonigal dëshmitarë mbi paratë që kishte paguar Lulzim Basha për lobimin në SHBA. Këshilltari i kryeministrit, Dorian Duçka pagoi shpenzimet e udhëtimit të tyre jashtë vendit.

“Personi B më vonë ndihmoi për organizimin e një takimi mes zyrës së FBI në New York dhe dëshmitarëve në Europë dhe -mes të tjerash- ai pagoi shpenzimet e udhëtimit të dëshmitarëve” thuhet në paragrafin 42 të akt-akuzës.

Se kush janë dëshmitarët që Duçka i çoi FBI-së, kjo mbetet mister. Por mister ka mbetur edhe arsyeja se përse Duçka u përfshi në hetimin e financimit të lobimit të Lulzim Bashës në SHBA.

Afërmendsh, ai ka kryer një detyrë që iu ngarkua si këshilltar i kryeministrit. Këtu vijmë tek roli i Ramës.

Image

Roli i Ramës në hetimin e Duçkës

Askush nuk mendon se këshilltari i kryeministrit i hyri me kokën e tij ndërmarrjes për të goditur partinë kundërshtare në opozitë. Logjika e do që në këtë skemë e futi shefi i tij.

E vërteta është se Dorian Duçka ka qenë dëshmitar edhe në takime të tjera mes Edi Ramës dhe Charles McGonigal në Tiranë. Ja çfarë shkruajti New York Times në lidhje me të, pasi afera McGonigal doli në dritë:

“Në nëntor, pasi z. McGonigal u takua përsëri me kryeministrin dhe z. Duçka në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror që e kishte marrë me vete në Austri (për llogari të Tom Doshit-shënimi i Lapsi.al), për të nisur një hetim të mundshëm ndaj një lobisti, që kundërshtari politik i zotit Rama kishte punësuar për të pasur akses dhe mbështetje tek Presidenti Donald J. Trump”.

Për nga detyra që iu ngarkua, kuptohet se Dorian Duçka është një ndër njerëzit më të besuar të Edi Ramës. Që në vitin 2015, kur Rama hapte ekspozita në shtete të ndryshme, rezulton se konglomerati kinez për të cilin punon Duçka, financoi ekspozitën e Ramës në Hong Kong.

Marrëdhënia e tyre ka vazhduar deri vonë, kur Duçka u shfaq si një ndër shoqëruesit e Ramës në udhëtimin me tren që ky bëri në Ukrainë në fillimet e luftës.

Por çuditërisht, pas skandalit “McGonigal” Rama foli për Duçkën si për një zyrtar të rëndomtë.

“Përsa i përket personit tjetër ka qenë zv/ministër i energjetikës në koalicionin e 2013 dhe më pas ka punuar pranë meje, pa pagesë’, tha Rama, kur u pyet për herë të parë mbi këtë çështje.

Edhe gjatë një interviste tek “Të Paekspozuarit” kur u pyet për Dorian Duçkën u shmang nga një përgjigje shteruese, duke bërë sikur nuk dinte gjë se ai i çonte dëshmitarët kundër Bashës ish shefit të FBI-së.

“Z.Duçka ka qenë këshilltar i im i jashtëm. Person privat. Puna e tij ç’ka paguar e ç’nuk ka paguar e për kë ka paguar, por ai nuk është nën akuzë dhe këto janë situata që…”.

Image

Roli i Gaz Bardhit në hetimin e Ramës

Hetimin e Edi Ramës për koruptimin e Charles McGonigal e kërkoi fillimisht Gazment Bardhi. Në janar të vitit 2023, kreu i grupit parlamentar të PD-së depozitoi një kallëzim në SPAK me pretendimin se Rama kishte korruptuar Charles McGonigal dhe duhej hetuar për këtë.

Në fund të shtatorit, pasi McGonigal pranoi fajësinë në gjykatat amerikane, Gazment Bardhi kërkoi informacion mbi hetimet dhe në letrën drejtuar Altin Dumanit kujtonte se: “Rezulton se gjatë dëshmisë për pranimin e fajësisë Charles F. McGonigal ka shpjeguar se marrëdhënien me Edi Ramën e krijoi për efekt të biznesit”.

Çfarë ka bërë deri tani kreu i SPAK, Altin Dumani? Çfarë përgjigje i ka kthyer ai Gazment Bardhit në lidhje me hetimet?

Kur u pyet për këtë çështje nga gazetarja Elona Meço, Bardhi foli me tone optimiste, përgëzoi Dumanin për punën që kishte kryer dhe e ftoi të shkojë më tej.

“E kam një përgjigje. Pasi McGonigal pranoi fajësinë, iu drejtova me një memo drejtuesit të SPAK. Kam marrë një përgjigje. Dua ta përgëzoj drejtuesin e Prokurorisë për përgjigjen korrekte që më ka kthyer. Për fat të keq, po themi, tuajin si gazetare që doni të bëni lajm në këtë rast, mua më është vendosur detyrimi për të mos bërë publik informacionin që kam marrë nga SPAK dhe unë dua ta respektoj atë detyrim, që më kanë vendosur në përcjelljen e informacionit mbi çështjen konkrete. Dua ta nxis SPAK-un të vazhdojë në rrugën që ka nisur. Kaq mund të them për këtë çështje. Nuk mund të konfirmoj asgjë tjtër për sa kohë më është vendosur një detyrim ligjor për të mos publikuar informacionin që në përputhje me ligjin, SPAK më ka përcjellë” ka thënë Bardhi.

Hapat që ka ndërmarrë SPAK për hetimin e aferës McGonigal në vendin tonë nuk dihen. Thirrja e Dorian Duçkës tregon se një përpjekje sapo ka nisur për të zbardhur të vërtetën. Sigurisht, që ajo do të mbetet gjysmake, nëse nuk shkohet tek Edi Rama./Lapsi.al/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco