Liderët evropianë të përbashkët: Kosova ta bëjë Asociacionin, Serbia njohjen de-facto

Liderët evropianë të përbashkët: Kosova ta bëjë Asociacionin, Serbia njohjen de-facto

19:26, 27/10/2023
A+ Aa A-

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga pesëshja perëndimore më 21 tetor dhe që Serbia realizojë njohjen de-facto.

Në letrën publike të tre liderëve evropianë të lëshuar të premten thuhet:

“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”.

Në letrën e publikuar në uebfaqen e Kancelarisë gjermane, liderët evropianë kanë thënë se mirëpresin angazhimin “e të dyja palëve” për themelimin e Asociacionit.

 “Kemi marrë parasysh komentet e bëra nga të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë për statutin evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për zbatim. Draftstatuti që kemi prezantuar dhe e shtyjmë përpara plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për ta trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”, thuhet tutje në letër.

Ndryshe, fund të takimit dyditor të mbajtur në Bruksel, krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian e kanë dënuar “ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës”, që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

Presidentët dhe kryeministrat evropianë kanë shprehur keqardhje për mungesën e zbatimit të Marrëveshjes së arritur në shkurt mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pritën të enjten në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco