Akademia ka dalë në shitje!

Akademia ka dalë në shitje!

12:26, 21/10/2023 Nga Luçiano Boçi
A+ Aa A-

Po po Akademia ka dale në shitje!

Qëllimisht në krye është rivendosur një “shkencëtar” politik, i cili shpiku i pari tregun e shitjes së partive politike.

Eunukët e ish sigurimsit në Shqipëri marrin gjithmonë 98% të votave.

E jo vota kot, dosido por vota “shkencëtarësh”.

Pas PSD-së nuk ka pse Gjinushi alias Sasha i dashur i baba Pilos së ri, të mbajë në xhep akoma dhe Akademinë.

Dhe Akademia jonë nuk është dosido.

Me gllabërimin e Albanalogjisë pronat e saj janë shtuar shumë dhe vendet janë  më të lakmuarat e Tiranës, me të cilat mund të bësh një thes me para.

E tek e fundit për të dhe për Ramën ç’na duhet Akademia, përderisa aty sipas Ramës mblidhen njerëz që thjesht s’duan të dalin në pension e “hanë bukën” kot?!

Ç’na duhet aq më tepër Akademia kur në krye të qeverisë kemi një “shkencëtar” tjetër që ka patentën unike të shpikjes së korrupsionit me anë të ligjit?!

Të cilit kur i duhen ca para, fap e ap i fut një koncesion inceneratorësh, check up-i, sterilizimi, tendera sekretë. E lloj lloj marifeti.

Të cilit i duhet një tokë me vlerë, fap i fut një ligj për investime strategjike.

Të cilit i duhen ca kulla me teatër dhe pa teatër fap i fut një ligj special, ose e paraqet si dëshirë turistike.

E ç’na duhen historianët, gjuhëtarët, antropologët, arkeologët, kur “Gjithologu” Kryeministër vendos me laps kufijtë e Kosovës dhe cakton tokë e kujt është territori i saj (tokë e askujt)?!

Ç’na duhet kur ky na nxorri dhe vëllezër të hershëm me serbët?!

Po mendimi mjekësor shkencor ç’na duhet?!

Ne kemi tanket dhe ushtrinë që e nxjerr në sheshe vetë Rama për të luftuar pandemitë. 

Po biologët, apo shkencëtarët e tokës çfarë vlere kanë kur vetë Kryeministri vendos që kultura me prodhimtare, më e mirë, pse jo më e bukur është hashashi e që mbjellja e tij është kulm shkence “farmaceutike”?!

Po teoritë politike shkencore për demokracinë e sistemet politike ç’na duhen?!

Madje janë kaq qesharake para industrisë së kriminalizimit dhe blerjes së votës që ka shpikur Rama, sa nuk ia vlen as me i çuar nëpër mend.
E.t.j…e.t.j

Madje shitja ka kohë që ka filluar nga Akademia e Gjinush-askushit. Tregu është hapur.

Pa arritur tek pronat e paluajtshme po shitet prona kombëtare, interesi kombëtar.

Blerësi dihet: tregu serb e më gjërë ai sllav!

Asnjë rresht nuk deklaron apo shkruan Gjinushi me shkencëtarë për etnosin shqiptar, territorin e rrëmbyer shqiptar, për Kosovën, historinë e veriut e integritetin historik të saj. Asgjë. Mungojnë deklaratat, studimet, konferencat, projektet në këtë drejtim. Dhe ata që flisnin u asimiluan dhe ju mbyll goja dhe u futën në gjirin e Gjinushit me urdhër të kryeshkencëtarit global.

Shitja vazhdon…

Akademia ka dalë në shitje!

Jo vetëm.

Po shitet nderi, karakteri, krenaria, historia, trashëgimia, shpirti (Shpirtin nuk e shes-thërriste dikur personazhi i Kongolit), vetëm e vetëm për hir të pushtetit politik të një njeriu, i cili për këtë nuk kursen as miqtë e shokët e dikurshëm.

Po shitet gjithçka, sepse njeriu që ka shitur atë qëshkruhet e atë që nuk shkruhet, por që populli e thotë saktë, pra ka shitur atë gjënë e fundit, nuk ka turp e masë të shesë gjithçka.

Zoti dhe revolta e njerëzve na shpëtoftë nga tregëtarët e pashpirt të interesave kombëtare dhe institucioneve kombëtare!

Amen!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco