Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Java e ferrit për karrierën e Erion Veliaj

'Proces i parregullt, diskriminues, i orkestruar' - Presidentja nuk e dekreton Kryeprokurorin e ri të Kosovës

'Proces i parregullt, diskriminues, i orkestruar' - Presidentja nuk e dekreton Kryeprokurorin e ri të Kosovës

11:26, 17/10/2023
A+ Aa A-

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot para mediave se nuk do ta dekretojë kandidatin Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Kosovës, pasi gjykatat e vendit dhe Presidenca kanë konstatuar se nuk janë ndjekur procedurat ligjore dhe kushtetuese në përzgjedhjen e kandidatit të propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Znj. Osmani renditi publikisht, dhjetë shkeljet e konstatuara duke vërejtur se“procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit është konsideruar i parregullt, diskriminues, i orkestruar , i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit si nga organizata vendore ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtarë.” Ajo deklaroi madje se kishte marrë edhe kërcënime për këtë çështje.

“Ju kam thirrur në këtë konferencë për t’ju njoftuar lidhur me çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit, - u tha Osmani mediave. - Sot e kam njoftuar zyrtarisht Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me vlerësimin e procedurave të ndjekura nga ky institucion në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit.

Siç jeni në dijeni, pas një periudhe të gjatë të kontestimit të këtij procesi në gjykatat e Kosovës, para pak ditësh edhe Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktgjykimin lidhur me këtë rast duke e konsideruar procesin e kontestimit si të pas-afatshëm.

Pra, është me rëndësi të  sqarohet qysh në fillim se asnjë gjykatë nuk i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtësor.

Më lejoni fillimisht të sqaroj dy elemente të rëndësishme. E para, përgjatë gjithë procesit jam kujdesur maksimalisht që në veprimet e mia si presidente ta shmang çfarëdolloj ndërhyrjeje potenciale në drejtësi, prandaj jam përmbajtur nga çdo vendimmarrje që do të cenonte proceset para gjykatave apo afatet kohore, që kanë pasur në dispozicion kundër-kandidatët.

E dyta, mosndërhyrja ime është bazuar edhe në faktin që përgjatë gjithë kësaj periudhe, Kosova ka pasur Ushtruesin e Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit pa asnjë kufizim në kompetenca konfirmon edhe me sqarimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë temë.

Pra, përkundër zgjatjes së këtij procesi si pasojë e ankesave të shumta në gjykata, kemi pasur funksionim të rregullt të institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit përmes Ushtruesit të Detyrës, veçanërisht e cek këtë element meqenëse se si garantuese e funksionit kushtetues të institucioneve për mua ka qenë tejet e rëndësishme që sistemi prokuroriat në përgjithësi, por edhe institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit në veçanti të jenë gjithnjë funksionalë.

Pikërisht duke u bazuar në këto elemente, por duke marrë për bazë edhe rëndësinë jetike të funksionimit kushtetues të institucioneve, kam bërë edhe vlerësimin e procedurave të ndjekura nga Këshilli Prokurorial i Kosovës ashtu siç edhe më obligon praktika e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Prandaj, bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga gjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore.

Siç jeni në dijeni, procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit është konsideruar i parregullt, diskriminues, i orkestruar , i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit si nga organizata vendore ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtarë.

 Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me këtë vlerësim të procedurës, i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura, më obligon që të mos bëj dekretimin e kandidatit të propozuar për Kryeprokuror sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të datës 8 prill 2022. Në të njëjtën kohë, kam ftuar Këshillin Prokurorial që të ndjekë një procedurë ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.”/ar/sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco