SYRI TV/ Samiti i Procesit të Berlinit, Policia publikon akset që do të bllokohen më 15-16 tetor

13:53, 14/10/2023
A+ Aa A-

Policia e Shtetit ka marrë masa të rrepta sigurie në kuadër të mbarëvajtjes së Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë më 16 tetor. Drejtuesit e Policisë dhe të Gardës së Republikës bënë publike akset rrugore që do të bllokohen që nga mbrëmja e së dielës, më 15 tetor. Policia e Shtetit njoftoi se për mbarëvajtjen e samitit do të jenë të angazhuar 1604 efektivë policie dhe 400 punonjës të Gardës së Republikës .

Nga SYRI TV

Policia e Shtetit përmes një konference paraditen e së shtunës ka bërë  me dije planin e masave të sigurisë dhe rrugët që do të kufizohen në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet për herë të parë në Tiranë të hënën.

Sipas drejtuesve të lartë të policisë që prej të dielës do të nis vënia në zbatim e perimetrit të sigurisë në rrugët te të cilat do të bllokohet qarkullimi dhe parkimi.

Ky perimetër i sigurisë nis nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, ura e Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza”

Akset e bllokuara do të jenë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;

Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Rruga “Ukraina e lirë”.

Në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.

Ndërkohë të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë, ditën e hënë do të jenë të mbyllura. Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.

Ndërkohë ndalim të qarkullimit të automjeteve, më datë 16 tetor, nga ora 8:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në këto akset rrugore:

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës - rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;

Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;

E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë - Fushë Krujë – Vorë”.

Policia e shtetit njoftoi se për mbarëvajtjen e samitit do të jenë të angazhuar 1604 efektivë policie dhe 400 punonjës të Gardës së Republikës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco