SYRI TV/ Drejtori Ilir Dinellari merr nga ‘Piranjat’ një tjetër çmim ‘Guiness’ për abuzimin 70 mln lekë me asfaltin

12:26, 14/10/2023
A+ Aa A-

Një tjetër çmim ‘Guiness’ i është dhënë në mënyrë ironike nga ‘Piranjat’, drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Korçës, Ilirian Dinellari. Pasi theu rekord duke harxhuar mbi 30 mln lekë benzinë në vetëm një vit e gjysmë, KLSH nxori në pah të tjera shkelje të këtij drejtori. Një abuzim mbi 70 mln lekë është kryer kësaj here prej tij me shpërdorimin e asfaltit. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Korçë Sotiraq Filo, mbyll sytë para këtyre shkeljeve, duke mos marrë asnjë masë

SYRI TV

Përpara një muaji emisioni investigativ ‘Piranjat’ i dha një çmim Guinnes drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Korçës, Ilirian Dinellari, pasi kishte thyer rekord duke harxhuar mbi 30 mln lekë benzinë pasi përshkoi 219 mijë e 200 km në vetëm një vit e gjysmë, që u konstatua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Por duket se thyerja e rregullave është një ‘sport i preferuar’ për Dinellarin. Këtë herë ‘Piranjat’ kanë vënë re se shkeljet e tij referuar KLSH-së janë dhe më të thella.

Kontrolli i Lartë i Shtetit nga auditimi mbi zbatimin e kontratës me objekt ‘Asfalto beton, viti 2020’, rezulton se jo në çdo rast sasia e mallit të blerë dhe bërë hyrje, është e dokumentuar me përdorimin e tij. KLSH konstaton se nuk ka asnjë dokument, si procesverbal të hartuar nga specialisti i fushës për nevojën e punimeve që do kryhen në objekte, foto fillestare të objektit ku do kryhet shërbimi apo foto gjatë kryerjes së shërbimit. Po ashtu, vihet re se për çdo vit kryhen investime në të njëjtat segmente për dëmtim të rrugëve, duke mos nxjerrë përgjegjësitë mbi shërbimin e kryer si nga Drejtuesi i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Ilirian Dinellari, po ashtu dhe nga vetë kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Po ashtu KLSH bën me dije se në një sasi asfalti, e bërë hyrje në magazinë, nuk janë respektuar kushtet teknike ku afati i përdorimit është 2 orë nga momenti i daljes së materialit nga prodhimi, duke treguar se veprimet e kryera nga NSHP janë fiktive dhe me pasoja negative në buxhetin e kësaj drejtorie dhe vetë bashkisë.

Nga të dhënat e tabelës, rezulton se gjatë muajt korrik 2021 në data 29 dhe 30.7.2021 është bërë hyrje sasia 894.98 ton asfalto beton me vlerë 7,045,282 lekë, e cila është bërë dalje me mbi 8 ditë vonesë, kur kushti teknologjik është vetëm 2 orë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e gjen në shkelje drejtorin Dinellari dhe ka nxjerrë urdhër të zhdëmtimit të mallit me vlerë mbi 70 mln lekë lekë. KLSH urdhëron Kryetarin e Bashkisë Korçë në bashkëpunim me Drejtorinë Juridike të ndjekë të gjitha rrugët administrative e ligjore në mënyrë që shuma e munguar të kthehet në buxhetin e bashkisë.

Piranja Kamila Xhakaj e mori në telefon zotin Dinellari, duke qenë se nuk e gjeti në zyrë, për ta vënë në dijeni se ka fituar një tjetër çmim ‘Guinness’. Ky i fundit nuk e mirëpriti vlerësimin dhe mbylli menjëherë telefonin.

‘Piranjat’ u përballën me kryetarin e Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, i cili u përpoq t’i shmanget pyetjeve dhe përgjegjësisë. Pavarësisht shkeljeve të vazhdueshme të drejtorit Dinellari, kryebashkiaku Filo nuk ka marrë asnjë masë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco