Andi Bushati: Rama dënoi më shumë Albin Kurtin dhe Kosovën sesa Serbinë

Andi Bushati: Rama dënoi më shumë Albin Kurtin dhe Kosovën sesa Serbinë

20:50, 12/10/2023
A+ Aa A-

Analisti Andi Bushati, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku foli për rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që dënon sulmin në veri të Kosovës.

Bushati that se rezoluta e miratuar me dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës është një lajm pozitiv, pasi Parlamenti nuk u përça për një çështje të rëndësishsme, por kompromisin e arritur, duke hequr dorë nga fajësimi direkt i Serbisë dhe duke përdorur rezolutën e Parlamentit të Kosovës për ta dënuar indirekt atë, e konsideroi “qesharake”.

“Rezoluta në versionin final është deri diku korrekte. Por, për të arritur këtu është interesante të shihet procesi, se si u arrit. Kishim dy palë që u zunë ashpër për një pikë. PD dhe opozita kërkonte që rezoluta të dënonte sulmin kriminal nga Serbia. PS kishte një draft tjetër rezolutë që kërkonte të dënohej sulmi kriminal i organizuar nga nuk dihet se kush. Pra socialistët refuzonin të tregonin më gisht Serbinë. Retorika e opozitës ishte, ne nuk mund të jemi mbrapa Kosovës, sepse Kosova e ka treguar me gisht Serbinë.

Këtu u arrit kompromisi "kinez", siç thoni ju, pra në rezolutën e Parlamentit të Shqipërisë, të mos dënohej në mënyrë eksplicite Serbia si organizatore, u gjet një truk dhe në nenin e parë u tha biem dakord me Kosovën, se Kosova e dënon sulmin e Serbisë. Pra në njëfarë mënyrë u kënaqën edhe këta të Rilindjes, që nuk duan ti prishin qejfin Vuçiçit, u kënaq edhe opozita sepse gjeti alibinë, që i referohemi Kosovës, që ka treguar me gisht Serbinë.

Është lajm i mirë që Parlamenti gjeti konsensus dhe nuk u përça për çështjen e Kosovës, por truku që u përdor është pak qesharak”, deklaroi Bushati.

Ndërkohë, fjalimin e acaruar të kryeministrit Rama, Bushati e konsideron “alla Fidel Kastro” për nga kohëzgjatja dhe nënvizon tre momente kyçe se si ai e përdori për të goditur më shumë Kosovën dhe Albin Kurtin sesa Serbinë që është agresori.

“Më bënë përshtypje tre gjëra nga fjala e Ramës. E para, kishim një Parlament që ishte mbledhur për të nxjerrë një rezolutë, për të dënuar Serbinë. Në fjalimin e Ramës u dënua Kosova dhe Albin Kurti dhe kritikët e tij në Kosovës. Pra edhe në një Parlament që mblidhet për të goditur Serbinë, Rama e shfrytëzon për të goditur qeverinë e Kosovës dhe kritikës e tij në Kosovë. I kushtoi në fjalimin alla Fidel Kastro, 1/3 e kohës, njerëzve që e shajnë nëpër rrjetet sociale. Një njeri që kontrollon thuajse gjithçka në Shqipëri, do të kontrollojë edhe facebook-un e atyre në Kosovë. Deri këtu arrin mania.

E dyta, është ideja që Rama e mbrojti gjatë, se përse duhet KFOR në veri? Tha shumë argumenta, që KFOR është çlirimtari, etj. Nuk dha përgjigje, nëse është kaq i mirë KFOR për Kosovën, atëherë pse e do edhe Serbia në Kosovë? Rama po kërkon fiks të njëjtën gjë që do presidenti serb. Ose duhet të pranojnë që Rama e ka gabim, ose që Vuçiç do të mirën e Kosovës.

E treta, bëri paralelizëm, që është injorant historikisht, duke krahasuar Kosovën me Palestinën dhe që është i padrejtë moralisht. Tregoi atë fabulën që tregon, se kur ishte Klintoni më tha 'po nuk e bëtë si Arafati do të përfundoni si Palestina'. E para, Kosova nuk është si Palestina sepse është shtet. E dyta, po të shohësh dëshmitë e marrëveshjes së munguar të Klinton midis Barak dhe Arafat, këshilltarët e Klinton e thonë vetë se faji nuk ka qenë vetëm i palestinezëve. Mos arritja e marrëveshjes, ishte edhe i izraelitëve. Pra, nuk është aq e thjeshtë sa e bën Rama.

Rama përsërit idenë se asosacioni është themelor, pikërisht tani pas Banjskës, kur edhe komuniteti ndërkombëtar kanë filluar të shtohen zërat, që a ka kuptim të bëjmë asosacion për t’ja dhuruar tipave si Radojçiç?”, tha ndër të tjera Bushati.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco