Ndërmjetësit për dialogun Kosovë-Serbi, më 21 tetor në Prishtinë dhe Beograd

Ndërmjetësit për dialogun Kosovë-Serbi, më 21 tetor në Prishtinë dhe Beograd

14:52, 12/10/2023
A+ Aa A-

Bruksel - Delegacioni i përbërë nga emisari i BE-së dhe emisarëve të tri shteteve të Quintit do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor, konfirmuan burimet diplomatike në Bruksel. Ndalesa e parë do të jetë Prishtina e më pas Beogradi.

Zyrtarët e Brukselit bëjnë të ditur se qëllimi i vizitës është avancimi i zbatimit të marrëveshjes të së cilës janë të gjithë garantues. Në Bruksel tërhiqet vërejtja se askush nuk dëshiron që kjo marrëveshje të zhbëhet dhe e vetmja mënyrë për të stabilizuar situatën në kuptim afatgjatë, është avancimi drejt normalizimit, njofton RTK.

Në përbërjen e delegacionit do jenë emisari evropian për dialog Miroslav Lajçak, emisari amerikan për rajon Gabriel Escobar si dhe emisarët e liderëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Delegacioni në të njëjtën përbërje kishte vizituar Prishtinën dhe Beogradin në janar të këtij viti, në prag të takimeve të liderëve që çuan drejt arritjes së marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksit të zbatimit.

Kjo vizitë po zhvillohet në dritë të sulmit të 24 shtatorit. Por do jetë ky njëkohësisht takimi i parë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe emisarit evropian, Miroslav Lajçak që nga acarimi i raporteve të këtyre dyve, pas takimit të fundit të liderëve, kur shefi i qeverisë kosovare akuzoi ndërmjetësin evropian se nuk është neutral dhe ia mban anën Beogradit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco