Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Mal Berisha: Helmi që pashë në Siri e Liban kur kërkuam njohjen e Kosovës dhe fraza ‘Ju jeni aleatë të Izraelit!'

Mal Berisha: Helmi që pashë në Siri e Liban kur kërkuam njohjen e Kosovës dhe fraza ‘Ju jeni aleatë të Izraelit!'

10:49, 11/10/2023
A+ Aa A-

"Fjala e parë dhe e fundit që autoritetet e atyre dy vendeve na thoshin neve ishin: “Kosova është një “american baby”, atë e përkund Amerika. Amerika përkund Izraelin. Izraeli është armiku ynë.  Ne kemi  palestinezë në truallin tonë që janë vendosur nëpër geto prej shumë e shumë vitesh të cilët jetojnë në kushte të pashpjegueshme.”

Diplomati i mirënjohur Mal Berisha, ish-ambasador i Shqipërisë në disa shtete, duke komentuar sot zhvillimet e rënda ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, ka rrëfyer se çfarë ka hasur gjatë një vizite diplomatike në Siri e Liban shumë vite më parë, për ta shpjeguar atë që po ndodh sot në Lindjen e Mesme.

“Këto ditë ne i fillojmë mëngjeset me këto lajme shumë të dhimbshme, - tha z. Berisha në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV. -  Është vërtet një moment reflektimi për të gjithë njerëzimin; ne po i ndjekim lajmet minutë pas minute. Tregohen aq shumë historia tragjike, njerëz të vrarë, njerëz me koka të prera, fëmijë të rrëmbyer, pleq dhe njerëz vulnerabël të marrë peng por unë do të dëshiroja që në këtë bisedë, meqenëse të gjitha televizionet janë të mbushur plot e përplot me rrëfime dhe tregime rreth ngjarjeve që po ndodhin sot në Izrael, të kthehem pas në restrospektivë, në periudhën kur kam pasur mundësi të vizitoj vendet rreth Izraelit.

Armiqësia ndaj Izraelit nuk gjendet vetëm në Gaza apo në Bregun Perëndimor!

Në vitin 2011, kemi bërë një inkursion për njohjen e Kosovës në vendet arabe me një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilin e drejtonte znj. Edit Harxhi, në atë kohë Zv.ministre e Jashtme si dhe një diplomate e talentuar, Vera Cara. Dua t’ju përshkruaj diçka që ishte me të vërtetë impresive në atë që ne pamë atje. 

Në Damaskun e asaj kohe që ishte para luftës, para Pranverës Arabe, u takuam me Zv.ministrin e Jashtëm të shtetit sirian me emrin Al Mura, i cili, për hir të së vërtetës ishte njeri shumë i edukuar, jashtëzakonisht i përgatitur, që fliste shumë gjuhë të huaja dhe në momentin që ne i paraqitëm çështjen e Kosovës, fjala e parë që ai tha ishte: “Ju jeni aleatë të Izraelit. Siria kurrë nuk do të përkundë një djep në të cilin ka një bebe të lindur nga Amerika dhe një aleateje të Izraelit!”

Nuk dua  ta komentoj më gjatë sepse kjo flet vetë.

Prej Damaskut, ne udhëtuam për në Bejrut, në Liban. Gjëja e parë që të binte në sy në qendrën e atij qyteti shumë të bukur ishte memoriali i Refik Haririt, ish-kryeministrit dhe në fakt ndërtuesi më   madh i Libanit, i mbushur me një mal të pafund lulesh. Ishte vrarë mu në mes të qytetit me të gjithë rojet e veta nga grupet terroriste.

U takuam me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Libanit, i cili nuk dha asnjë lloj shprese se ai vend mund ta njihte ndonjëherë Kosovën. Arsyeja ishte se aty vepronte Hezbullahu, i cili ishte partner në qeveri dhe ishin një grup i madh njerëzish nga Palestina që ishin vendosur prej shumë vitesh dhe jetonin në qendra të përqendrimit aty.

Më tej u takuam me Saad Haririn, të birin e ish-kryeministrit të vrarë të Libanit. Një djalë i ri 39-vjeçar, një njeri që lëvizte me scuter nëpër   qytet, një kampion motoçiklizmi ishte bërë kryeministër! Dhe si ishte bërë?! Në momentin kur i ati ishte vrarë, një tjetër politikan libanez ishte zgjedhur në vendin e të atit, po në momentin kur u zgjodh, ai tha: “Mandatin e Kryeministrit do t’ia dorëzoj djalit  të Refik Haririt!” 

Ajo që pamë ne në Siri dhe në Liban në atë kohë që natyrisht është shumë në distancë kohore, ishte që armiqësia ose malinjiteti i jashtëzakonshëm që gjendet aty midis atyre njerëzve ishte shumë – shumë i pranishëm në çdo takim.

Dje kemi dëgjuar që disa raketa janë hedhur nga Libani. Siria kuptohet, është një vend që kaloi një luftë të gjatë civile.

A do të përfshihen edhe fqinjët e Izraelit në këtë aksion të ndërmarrë nga terroristët e Hamasit?! - Kjo mbetet për t’u parë por nuk mund të jetë dhe një gjë që nuk ndodh, që domosdoshmërisht nuk ndodh.

Frika më e madhe në fakt është se mund të ketë një konflagracion - e para. E dyta - me sa duket, aty ku besohet se ka më shumë besim dhe forcë te siguria, aty mund të këputet zinxhiri.

P.sh. kemi parë në filmimet që kanë transmetuar kanalet e mëdha televizive si BBC dhe CNN, thyerjen e gardhit të Rripit të Gazës, një nga gardhet më të fortë në botë, ndoshta shumë më i fortë se ai që patën ndërtuar amerikanët me Meksikën. Një gardh, i cili nuk është vetëm mbi tokë, por është edhe nën tokë, për shkak se Hamasi bënte penetrim në territorin e Izraelit me tunele nëntokësore dhe ata kanë bërë gardh edhe nën tokë që ata të mos mund të kalojnë dhe mbi tokë dhe në fakt i gjithë gardhi u thye në atë mënyrë që e kemi parë dhe ata penetruan brenda vendbanimeve izraelite.

Në këtë aspekt unë nuk e shoh si një konflikt që mbyllet shpejt.

Natyrisht që duhet të ketë një vetëpërmbajtje nga ana e Izraelit; nuk është mirë që të jetë disproporcionale ose e keqja e madhe që ka bërë Hamasi të zgjidhet me një të keqe tjetër shumë të madhe që mund ta bëjë shteti i Izraelit me forcën e madhe ushtarake, ekonomike dhe financiare që ka.

Ndoqa më vëmendje edhe deklaratën e një komisionereje të OKB që mban një emër të bukur, Françeska Albanese, një italiane që është komisioneve për çështjen e Palestinës e cila bëri thirrje për vetëpërmbajtje. Po ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje.

Natyrisht, emocionet janë shumë të mëdha, dëmi është shumë i madh, mënyra se si Hamasi ka vepruar kundër civilëve dhe njerëzve të pambrojtur është me të vërtetë siç u tha më përpara, i një natyre Holokausti ose pogromeve, të cilat hebrenjtë i kanë përjetuar shumë herë në historinë e tyre - por duke i thirrur ndërgjegjes së njerëzimit, vetë izraelitëve që të ketë një vetëpërmbajtje dhe një mënyrë për ta zgjidhur këtë konflikt kaq të gjatë i cili  vazhdimisht merr viktima, është një “sine qua non”, është një kërkesë eminente e ditës, e kohës, e momentit që po jeton sot kombi izraelit dhe gjithë ndërgjegjja e njerëzimit.

Nuk do të doja të bëja predikuesin negativ të saj që po ndodh atje, por ajo që unë kam parë në një udhëtim të vetëm në Lindjen e Mesme, armiqësia, helmi që ekzistonte tek njerëzit më të zgjedhur dhe më të shquar të atyre dy vendeve që unë kam parë, Siri e Liban, që në atë kohë premtonte për një armiqësi të jashtëzakonshme.  

Unë jua thashë, fjala e parë dhe e fundit që autoritetet e atyre dy vendeve na thoshin neve ishin: “Kosova është një “american baby”, atë e përkund Amerika. Amerika përkund Izraelin. Izraeli është armik ynë. Ne kemi  palestinezë në truallin tonë që janë vendosur nëpër geto prej shumë e shumë vitesh të cilët jetojnë në kushte të pashpjegueshme.”

Në këto kushte, ndoshta edhe unë uroj që të mos jetë kështu, ai lloj malinjiteti i grumbulluar në dekada mund të jetë si një furnizim i konflagracionit. Unë uroj të jem i gabuar”, e mbylli fjalën e tij diplomati Mal Berisha./ar.sh/SYRI.NET  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco