SYRI TV/ Artan Gaçi merret në pyetje në SPAK, akuzohet për falsifikim dokumentash

19:09, 06/10/2023
A+ Aa A-

Artan Gaçi bashkëshorti i Olta Xhaçkës që është shpallur investitor strategjik është paraqitur të premten në SPAK. Ai është marrë për më shumë se 3 orë në pyetje, ndërsa nuk preferoi të bënte komente për mediat. Thirrja e tij në SPAK erdhi një ditë pasi dëshmoi kryebashkiaku në detyrë i Himarës Jorgo Goro. Bashkë me ish-ministren e Jashtme Olta Xhaçkën, treshja janë kallëzuar në SPAK nga Fredi Beleri, teksa ky i fundit i akuzon për falsifikim dokumentash për pronat në Himarë.

SYRI TV

Investitori strategjik, njëherësh bashkëshorti i Olta Xhaçkës, Artan Gaçi ka dhënë deklarime për më shumë se 3 orë të premten në SPAK. Në përfundim të deklarimeve, ish-deputeti socialist u largua pa dhënë komente për mediat, teksa burimet bëjnë me dije se ai është marrë në pyetje për tjetërsimin e pronave me dokumente të falsifikuara në zonën e Himarës. Artan Gaçi dhe e shoqja, ish Ministre Olta Xhacka, aktualisht deputete e Partisë Socialiste janë paditur për çështjen e resortit në Himarë, për të cilin Gaçi ka marrë edhe statusin e investitorit strategjik. Një gjë e tillë shkaktoi skandal politik në vend. Gjithashtu Jorgo Goro është paditur nga pasardhësi i tij, Fredi Beleri për aferën e investimit strategjik të çiftit Gaçi-Xhaçka. Beleri ka depozituar një kallëzimin në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj treshes në fjalë duke vënë në lëvizje organin e akuzës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që shumë shpejt në SPAK të rikthehet sërish Olta Xhaçka, këtë herë për çështjen e pronave. Beleri hartoi një kallëzim në gusht të këtij viti me të dhëna që ia ka vënë në dispozicion SPAK-ut dhe sipas tij, përbëjnë skandal me shfrytëzimin e tokave në mënyrë të paligjshme në Bashkinë e Himarës, me firmë e aprovim të paraardhësit të tij të cilin e ka kallëzuar. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli, tokë e cila ka kaluar tek çifti Gaçi-Xhaçka. “Komisioni i Tokës në Fshat në kohë, nuk mund të dispononte kurrsesi mbi një sipërfaqe toke truall, sikundër nga ana tjetër, kjo sipërfaqe kur është regjistruar Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi në fjalë në vitin 1994, momenti që gjoja është ndarë me AMTP, kjo parcelë nuk ka qenë kurrë tokë truall”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin e Belerit. Më tej, Beleri pretendon se trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorin strategjik Artan Gaçi.

 

 

 

 

 

  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco