SYRI TV/ Një javë në bojkot, studentët e mjekësisë nuk futen në auditore

19:07, 06/10/2023
A+ Aa A-

Auditorët e fakultetit të “Mjekësisë së Përgjithshme” kanë mbetur bosh në javën e parë të vitit të ri akademik. Studentët e mjekësisë kanë bojkotuar procesin mësimor teksa janë ngritur në protesta kundër ligjit që i detyron të qëndrojnë 5 vite në vend pas studimeve. Ata paralajmërojnë se nuk do e ndalin bojkotin deri në plotësim të kërkesave të tyre, ndërsa do të përshkallëzojnë edhe protestat.

SYRI TV

Java e parë e vitit të ri akademik u mbyll me bojkot nga studentët e mjekësisë së përgjithshme. Auditorët e fakultetit kanë mbetur bosh, pasi studentët kanë vendosur të bojkotojnë mësimin në shenjë revolte kundër ligjit që i detyron të qëndrojnë 5 vite pas studimeve në Shqipëri ose në të kundërt të paguajnë tarifën rreth 6.8 mln lekë për një vit akademik. Bojkoti i studentëve të mjekësisë do të jetë pa afat, derisa kërkesat e tyre të marrin zgjidhje.

Teksa përmendi vështirësitë e 6 viteve të studimit, një prej studenteve është përlotur gjatë protestës.

Këtë të premte në protestë janë bashkuar edhe studentët e vitit të parë, të cilët shprehën publikisht mosdakordësinë me ligjin dhe pohuan se do të jenë pjesë e protestave dhe bojkotit.

Studentët iu kundërpërgjigjën edhe deklaratës së zv.ministres së Arsimit, Albana Tole, e cila në një emision u shpreh se studentët që nuk duan të nënshkruajnë kontratën, mund të ndërpresin studimet.

Studentët kanë paralajmëruar se nga e hëna e në vazhdim protestat e tyre do të përshkallëzohen dhe nuk do të ndalen deri në anullimin e ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin “Mjekësi e Përgjithshme”.

Gaz: F.Çela, Op: A. Muka, Mont:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco