Berisha: Qiratë, çmimet dhe tarifat po e bëjnë universitetin 'mollë të ndaluar'

Berisha: Qiratë, çmimet dhe tarifat po e bëjnë universitetin 'mollë të ndaluar'

12:15, 02/10/2023
A+ Aa A-

"Dita e parë e hapjes së dyerve të universiteteve të vendit nuk është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët" deklaroi sot para mediave Kryetari i PD-së, Sali Berisha dhe renditi vështirësitë me të cilat ndeshet sot, brezi i ri i vendit.

"Nuk është një ditë e mirë, sepse këtë vit hyjnë në universitetet e vendit 15 përqind më pak studentë se një vit më parë, - theksoi ai, - dhe, hyjnë në bankat e vendit, pothuajse gjysma e atyre që hyjnë në universitete në vitin 2012-2013.

Pra, ka një rënie dramatike të numrit të studentëve në një kohë kur Shqipëria ka nevojë jetike për kapërcimin e prapambetjes së tmerrshme që trashëgoi nga e shkuara, për një numër në rritje të qytetarëve të saj të diplomuar në universitete.

Por nuk është vetëm ulja e numrit të studentëve një problem madhor për vendin dhe arsimin e lartë universitar. Një problem tjetër shumë i madh është situata ekonomike e studentëve në Shqipëri.

Studentët në Tiranë, nisin vitin e tyre universitar në qytetin e tretë me qira më të larta në Europë. Më të shtrenjta! Ndërkohë, qeveria shqiptare nuk ka parashikuar qoftë dhe një qindarkë kompensimi për rritjen stratosferike të qirave të banimit. Nuk ka parashikuar një qindarkë të vetme kompensim për rritjen stratosferike të ushqimeve dhe shërbimeve në qytetin e Tiranës. Kështu, studentët përballen këtë vit njësoj si qytetarët me çmime 7-10 përqind më të shtrenjta për ushqimet se në vendet anëtare të BE.

Por, absurde dhe ndëshkuese janë për studentët, tarifat që duhet të paguajnë për regjistrimin në universitetet e vendit.

Këto tarifa janë disa herë më të larta në proporcion me rrogat se në të gjitha vendet e tjera të Europës.

Këto tarifat janë dhe nominalisht disa herë më të larta se në Gjermani, Austri, Francë, Greqi, Slloveni, Itali dhe vende të tjera.

Këto tarifa de facto bëjnë të papërballueshëm shkollimin e fëmijës së dytë apo të tretë për më shumë se 60 përqind të familjeve shqiptare.

Këto tarifa, së bashku me qiratë e larta dhe çmimet e ushqimeve, shndërrojnë universitetin në një mollë të ndaluar."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco