KAFE SHQETO/ Vasili: Konçesionet në Shëndetësi nga Beqaj dhe Rama, me synime të qarta korruptive!

10:16, 02/10/2023
A+ Aa A-

Ish-ministri i Shëndetësisë, socialisti Ilir Beqaj, i ka shpëtuar disa hetimeve nga SPAK, por duket se edhe komisionit hetimor që iu refuzua opozitës së fundmi në parlament për aferën korruptive të koncesioneve. Madje, Beqaj, edhe pse në monitorim nga SPAK, vazhdon të drejtojë Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik të Koordinimit të Ndihmës.

Por këto lëvizje të furishme të Kryeministrit Edi Rama brenda dhe jashtë parlamentit për të mbrojtur hartuesin e programit të tij qeverisës të ‘Rilindjes”, nuk e habisin deputetin e PL, Petrit Vasili, një ish-ministër i Shëndetësisë gjithashtu.

Në një prononcim në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në SYRI TV, Vasili tha: “Komisioni hetimor ka qenë kërkesë e të gjithë opozitës, jo vetëm e PD-së, sepse të gjitha partitë opozitare parlamentare e kanë firmosur një kërkesë të tillë, por sigurisht që nuk është më surprizë, sepse ne kemi histori të mëparshme të refuzimit të komisioneve hetimore, si të atij për Portin e Durrësit. Kjo shkelje e dhunshme, flagrante e Kushtetutës, është bërë e vazhdueshme nga ana e mazhorancës në Kuvend, për një arsye të vetme: nga frika e jashtëzakonshme e llogaridhënies!”

Flavio: Flasim pak për z. Beqaj, i cili, edhe pse është ministri i Shëndetësisë më i përfolur, më i akuzuar,  u kthye, në një kthesë të çuditshme të ngjarjeve nga Rama, në një agjenci që kësaj radhe nuk është se i ka shqetësuar shumë shqiptarët, por ndërkombëtarët.

Vasili: Në këtë rast populli përdor një shprehje shumë të mirë - “t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë”, apo jo?! Sepse është jo thjesht i përfolur por i hetuar gjerë e gjatë nga SPAK-u, ku Gjykata Speciale e shprehu mendimin e saj qartazi. Gjykata Speciale që është pjesë e një mekanizmi të madh të luftës kundër korrupsionit ka kërkuar hetimin e thelluar; marrjen nën përgjegjësi penale të Beqajt nuk e ka kërkuar thjesht opozita.

Pra, gjëja më e pakët nuk duhet të ishte kurrë - nuk duhej të emërohej, por urgjentisht duhet të shkarkohej sepse i gjithë besimi publik që i jepet një personi që drejton një agjenci shtetërore, aq më tepër këto agjenci, ka të bëjë me strategjinë e zhvillimit dhe koordinimin e ndihmës së huaj. Si mund t’i lihet, njerëzve që kanë rekorde mizerabël, në trajtimin e fondeve publike, të administrojnë fondet e ndihmës për Shqipërinë?!

Por kjo vjen për arsye të lidhjeve komprometuese, reciproke, midis Ramës dhe Beqajt të cilët sigurisht janë në vështirësi të madhe, sepse përsa i takon të vërtetës së koncesioneve, unë këtë bisedë që bëj me ju por me tone shumë më të forta, e kam bërë edhe me Edi Ramën, edhe me Ilir Beqajn, si në vitin e largët 2014 kur ne qeverisnim së bashku me ta dhe u kam shpjeguar qartë se kjo është një aventurë korruptive, se nuk ka asnjë mundësi të zbatohet për sa i takon fizibilitetit të saj; kostot janë të frikshme, disproporcionale dhe të papërballueshme  e do të fusin në borxhe e krijojnë probleme shumë të mëdha.

Por këta e kanë zbatuar këtë politikë konçesioni në Shëndetësi me ndërgjegje të plotë dhe synime të qarta korruptive”, theksoi më tej Petrit Vasili. /ar.sh/SYRI.NET

Prononcimi i plotë i z. Vasili në emisionin Kafe Shqeto.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco