KAFE SHQETO/ Koncesioni 100 mln euro për firmën dixhitale, Akil Kraja: Sërish me procedura sekrete

KAFE SHQETO/ Koncesioni 100 mln euro për firmën dixhitale, Akil Kraja: Sërish me procedura sekrete

10:23, 28/09/2023
A+ Aa A-

Kur vetë sistemi juridik në Shqipëri nuk është ende në gjendje për të pranuar në mënyrë krejt automatike e të shpejtë nënshkrimin elektronik,  ne shkojmë në një koncesion për t’ia përcjellë privatit". 

"Kemi frikën se do të përfundojë si koncesioni i Sterilizimit, si vjedhja e TIMS apo e Kadastrës. Çështja është serioze, meriton shumë më shumë vëmendje".

Në një kohë kur Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka nisur procedurat për një koncesion të ri në Shqipëri, atë për çertifikimin dhe nënshkrimin dixhital të qytetarëve shqiptarë me vlerë prej 100 milionë, ekspertët e informatikës dhe ata të ekonomisë po japin alarmin për koston e fryrë të këtij koncesioni dhe problemet e sigurisë.

Pas denoncimit të kësaj afere të re korruptive nga Gent Progni, i specializuar në informatikë, politikani Akil Kraja, një ekspert i ekonomisë, ka ngritur pikëpyetjen se Agjencia në fjalë, e njohur për një rekord tenderësh sekretë, në vend që të shkojë  drejt Evropës, kompanive që mbrojnë të dhënat evropiane, hyn përsëri në procedura sekrete dhe me taksë të fshehur, jo për buxhetin e shtetit, por për koncensionarin!

Z. Kraja e shpjegoi qartë arsyen e këtij shqetësimi publik që meriton shumë vëmendje, në një intervistë sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.

“Unë nuk jam ekspert i fushës, - tha Kraja që në krye për informatikën, - kështu që do të më duhet të shprehem si ekonomist. E nëse më lejoni të bëjmë edhe pak debat, është një shërbim që faktikisht përtej çdo gjëje është i kohës.

Në 2008-ën, në 2010-ën në mos gaboj, janë ligjet që e kanë futur nënshkrimin elektronik dhe çertifikim elektronik; pra, është një transformim i dixhitalizimit të vendit,  është i nevojshëm, është i mirëpritur. Dixhitalizimi i dokumenteve, i firmës elektronike, nënkupton mundësinë për bizneset, administratën, që dokumentet të gjurmohen më thjesht, të ulen kostot e prodhimit, të ketë më shumë shpejtësi transaksionale, por edhe ndërkufitare.

Jemi në rrafshin e integrimit evropian, dokumentet kalojnë më shpejt në mënyrë dixhitale, është i mirëpritur si shërbim. Sektori privat, në veçanti sektori bankar e ka atë interes për nënshkrimin dixhital.

Këtu po flasim për dy momente: është ai i çertifikimit të fiskalizimit që ka filluar para 2-3 vjetësh dhe që ka një kosto bashkë më nënshkrimin elektronik, janë rreth 80 euro në vit.

Nëse qëndrojmë te 80 euro në vit, ideja është që për momentin një portofol prej 10 milionë eurosh në vit mblidhet nga AKSHI dhe AKSHI kërkon t’ia kalojë, ashtu si te Sterilizimi apo Inceneratori, një koncensionari dhe gjithë procedura për momentin, me sa kemi informacion, është deri diku e fshehur.  Ne nuk e dimë cilat janë kompanitë që janë thirrur për t’u konsultuar, ne nuk e dimë cilat janë termat dhe problematika.

Dimë që janë pesë kompani, por nuk është se gjithçka është e hapur dhe këtu fillojmë në problematikat që janë edhe ekonomike.

AKSHI ka pasur një rekord tenderësh sekretë, të cilët, kanë rezultuar në një mbi-kostim të taksapaguesve shqiptarë dhe nëse kujtojmë rastin e Inceneratorit dhe të skandalit të koncesionit të Sterilizimit, kanë shkuar në terma konkretë vjedhjesh dhjetëra qindra miliona eurosh.

Shqetësimi i qytetarëve është pikërisht ky, që një shërbim që është i mirëpritur, i cili është në hapin e kohës, madje dhe në detyrimin e kuadrit evropian, po bëhet në mënyrë krejt arbitrare.

Nëse ecim me këtë logjikë, ne kishim një shërbim të një kompanie evropiane, ALEAT-it, i cili kishte siguri. Nuk rrodhën të dhënat e ALEAT-it. Rrodhën të dhënat e e-ALBANIA apo të Kadastrës apo të TIMS-it dhe ALEAT-i, një kompani e huaj, evropiane, e çertifikuar, u largua këtë verë dhe u zëvendësua me një infrastrukturë krejtësisht shqiptare për prodhimin e pasaportave.  Ju kujtojmë “pasaportat e arta”, pra nuk janë gjëra rastësore.Edhe një kompani të huaj që kishim, ne e larguam.

Dhe nëse kthehemi tek tematika e sotme, Bashkimi Europian është aktualisht në një fazë detyruese për vendet anëtare, që do të thotë edhe për Shqipërinë në kuadrin e negociatave, për futjen e kartës dixhitale, të vulës dixhitale dhe zarfit dixhital; nënshkrimit dixital po e po, kanalizimin e transportimit të dokumenteve, pra një seri normash evropiane dixhitale.

Ne çfarë bëjmë?! - Në vend që ta hapim këtë garë me një tender ndërkombëtar, evropian, në mënyrë që të thërrasim kompaninë më të mira evropiane për të siguruar kosto më të ulëta për sipërmarrësin shqiptar, qytetarin shqiptar ... (dhe po ju jap një lajm, që së shpejti ky shërbim do të paguhet edhe nga qytetarët shqiptarë. Nuk është vetëm për sipërmarrjen, do të jetë edhe për qytetarët shqiptarë, që të firmosin një dokument e kështu me radhë ), pra, në vend që ne të shkojmë drejt Europës, drejt kompanive që sigurojnë mbrojnë të dhënat evropiane, shkojmë përsëri në procedura sekrete me kosto të fryra që në vend që të gjenerojnë efiçensa të reja për biznesin, për ekonominë e vendit, ato rrisin kostot dhe duken si një taksë e fshehur, por taksë jo për buxhetin e shtetit, por për koncensionarin! Nëse ne themi “për koncensionarin”, do të thotë për një xhep privat të fshehur diku.

E fundit,  kemi dhe një problematikë që është brenda për brenda si shqiptarë për nënshkrimin elektronike.

Gjykatat në Republikën e Shqipërisë ende nuk e pranojnë nënshkrimin elektrik edhe pse ligji ka mbi 10-12 vjet që është në fuqi dhe pse është e detyrueshme për çdo biznes të ketë një nënshkrim elektronik. Vetë Shqipëria, sistemi juridik, reforma në drejtësi, gjyqësori, nuk është ende në gjendje për të pranuar në mënyrë krejt automatike e të shpejtë nënshkrimin elektrik dhe ne shkojmë në një koncesion për t’ia përcjellë privatit, një fond që në dhjetë vjet kap shifrën prej 100 milionë eurosh.

Shqetësimi është real. Është një shërbim i mirëpritur, por që sërish, fatkeqësisht, nuk është në duar profesionale. Të paktën për momentin kemi frikën se do të përfundojë si koncesioni i Sterilizimit, kemi frikë se do të përfundojë si vjedhja e TIMS apo e Kadastrës. Çështja është serioze, meriton shumë më shumë vëmendje,” theksoi z. Akil Kraja. /ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco