'Ky, krimi i një mendjeje të sëmurë me çakmak në pyjet me pisha: Darzeza e Fierit'

'Ky, krimi i një mendjeje të sëmurë me çakmak në pyjet me pisha: Darzeza e Fierit'

08:47, 27/09/2023
A+ Aa A-

Nga Abdulla Diku, pedagog, natyralist.

Këto pisha të djegura para pak ditësh - ishin pjesë e ekositemit tonë bregdetar, ruajtur me mund e sakrifica për çdo ditë të ekzistencë së tyre. Derisa një i çmendur i vuri flakën dhe e zhbëri të gjithën.

Sipas bashkisë Fier u dogjën 280 hektarë, ose 2.8 milion m2 me pyje.

Sa shumë janë 280 hektarë pyje në Shqipëri?!

Ja ta themi tani;

1. Nëse duam të mbjellim 280 hektarë, me çmimet e tenderave të publikuara së fundmi, kostoja do të ishte 4,800,000 euro. Kësaj vlere i duhet shtuar edhe ajo e lëndës drusore (rreth 28,000 m3) e qe vlen 1,200,000 euro, afërsisht.

2. I shtojmë edhe vlerën e shërbimit në ekosistem (përthithja e CO2) e që shkon afro 550,000 euro në vit. Nëse do e konvertojmë në vitet e jetës që kishte pylli që u dogj atëherë kjo vlerë vete në rreth 32,000,000 euro (me çmimin e sotëm të blerjes së 1 ton CO2).

3. Sipërfaqja prej 280 hektarë pyje të djegura në Fier është 10 herë më shumë se sipërfaqja që mbillet në Shqipëri në vit. Pra na duhet të mbjellim 10 vjet për të kompensuar pyllin që u shkrumbua së fundmi në Darzezë të Fierit. Kaq është vlera e dëmit aty.

4. Nuk po llogarisim këtu vlerën e mbrojtjes së tokës nga erozioni bregdetar, efektin zbutës ndaj ndryshimeve klimatike etj.etj.

Nëse i mbledhim të gjitha, vlera e dëmit vete = 38 milion euro. Ky është dëmi i një mendje të sëmurë dhe i një çakmaku në dorën e tij.

Tani, sa i çmendur duhet të jetë një njeri që shkakton një katastrofë të tillë mjedisore?!

Me gjithë këtë teknologji që është në qarkullim, si ka mundësi që nuk gjendet keqbërësi?!

Si mundet që një pasuri e tillë e jashtëzakonshme natyrore të zhduket kaq shpejt e pa asnjë pasojë për zjarrvënësin?!

Ka 30 vjet që flitet se do forcohen ligjet e do ashpërsohen ato por e vetmja gjë që është ashpërsuar është vetë fjala "ashpërsim". Asgjë tjetër. Duhej të ishte ngritur shteti në këmbë për të gjetur e ndëshkuar në mënyrë shembullore keqbërësin por si gjithnjë vetëm ai nuk gjendet.

Kemi propozuar ndalimin me ligj të diegies së tokave bujqësore si hapi i parë dhe serioz për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret por deri më sot ligji po fle në Ministrinë e Bujqësisë.

Ndërkohë që kudo shohim vatra zjarresh ku gjithkush djeg ku e si të dojë. Për çdo vit raportohe me dhjetra ngjarje të njëjta ‘…i vuri zjarrin mbeturinave por dogji ullinjtë…’. E vetmja gjë që ndryshon është vlera e dëmit që shumëfishihet, për çdo vit!

Bashkë me prof. Fran Gjoka nga Universiteti Bujqësor i Tiranës kemi llogaritur vlerën e dëmit që shkaktohet nga zjarri (prej humbjes së lëndëve ushqyese që zjarri djeg) e cila shkon në mbi 1500 euro/ha.

Pra çdo fermer që djeg tokën e tij, do ti duhet të bleje plehra kimike me vlerë 1500 euro për të kompensuar lëndët ushqyese që janë djegur nga zjarri. Pra përveçse kosto të madhe ekologjike, ka dhe kosto mjaft të madhe financiare për fermerët zjarri.

Edhe sa duhet pritur që kjo sjellie arkaike me mjedisin dhe tokën të marrë fund?!

Në cilin vend të Evropës ndodh që gjithkush djeg "mbeturinat" ku dhe kur t'i teket piromanit?! Është gjëja më e lehtë për t’u kontrolluar ndalimi i diegies së tokave a "mbeturinave", por kur nuk do, nuk do…

Me sa duket do vazhdojmë të bëjmë gjithnjë e më shumë postime të tilla të trishta. Po humbim të gjithë sot e po ju lëmë veç tokë të shkretë fëmijëve…

Sa keq!

Image

Image

Image

Image

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco