SYRI TV/ Kallëzimi ndaj Ramës për aferën McGonigal, Bardhi i kërkon informacion SPAK-ut

14:44, 25/09/2023
A+ Aa A-

Kreu i  Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ka kërkuar  informacion SPAK-ut mbi ecurinë e hetimeve për kallëzimin ndaj kryeministrit Edi Rama  lidhur me  aferën  MCgonigal. Bardhi kërkon  të vihet në dijeni për fazën e  hetimeve për këtë çështje, pasi ish-agjenti i FBI-së e pranoi fajësinë për aktivitetin e tij në Shqipëri dhe marrëdhëniet e  biznesit me kryeministrin Edi Rama. 

Nga SYRI TV

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka kërkuar informacion SPAK-ut mbi ecurinë e hetime, pas kallëzimit të tij ndaj kryeministrit Edi Rama për aferën McGonigal.

Përmes një shkrese drejtuar kreut të SPAK-ut, Altin Dumanit,  Bardhi  kërkon të dijë se në ç’fazë janë hetimet për aktivitetin dhe bashkëpunimin e kryeministrit Edi Rama me ish- zyrtarin e lartë të FBI-së, i cili  disa ditë më parë pranoi  fajësinë për aktivitetin e tij në Shqipëri, ku akuzohej për  marrjen e një pagese me qëllim lobimin kundër opozitës dhe favorizimin e miqëve të tij, në koncesionin e naftës. 

Gaz Bardhi: “Përveç pagesës në të zezë për të nisur një hetim të rremë kundër kundërshtarëve politik të kryeministrit, çka përbën qartësisht korrupsion aktiv të zyrtarëve të huaj, rezulton se gjatë dëshmisë për pranimin e fajësisë, Charles McGonigal ka shpjeguar se marrëdhënien me Edi Ramën e krijoi për efekt të biznesit. Drejtësia amerikane ka provuar dhe ish- zyrtari I FBI, ka pranuar se në takimin me Edi Ramën, në shtator 2017, ai kishte shfaqur interes për një koncesion shumë të madh në fushën e naftës. 6 muaj pas këtij takimi, në mars të 2018, Ministria e Energjisë, shpalli fitues për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse kompaninë Transoil Group Ag, të lidhur me miqtë e Mcgonigal. Në vijim të  procedurave ligjore të ndjekuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me këtë çështje, ndodhur para dyshimeve të arsyeshme për kryerjen nga shtetasi Edi Rama, të veprave penale të kallëzuara nga ana jonë, kërkojmë që të vihemi në dijeni, në lidhje me ecurinë e hetimit të kësaj çështjeje pranë Prokurorisë që ju drejtoni, duke ruajtur dhe pa cënuar sekretin hetimor. “

Më 24 janar të  këtij, vit, disa ditë pas publikimit të skandalit Mcgonigal,  kreu i Grupit të PD-së kallëzoi  në SPAK, kryeministrin Edi Rama duke paraqitur të dhëna për kryerjen e katër veprave penale: 1. Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë; 2. Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë; 3. Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale; 4. Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i strukturuar kriminal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco