'Akti terrorist në Kosovë'/ Spahiu: Qëndrimi i Edi Ramës ishte si i një aleati të Serbisë!

'Akti terrorist në Kosovë'/ Spahiu: Qëndrimi i Edi Ramës ishte si i një aleati të Serbisë!

11:02, 25/09/2023
A+ Aa A-

Analisti politik Nexhmedin Spahiu e konsideroi qëndrimin e mbajtur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndaj sulmeve të fundit terroriste në Kosovë si qëndrim i një aleati të Serbisë. “Fatkeqësisht, ky ishte qëndrimi i kryeministrit shqiptar”, u shpreh ai në studion e SYRI TV sot gjatë një interviste nga Mitrovica.

“Z. Spahiu, do të doja të dija qëndrimin tuaj lidhur me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, që më shumë ngjante si të ishte kryeministër i vendeve skandinave, - e pyeti gazetarja e SYRI TV. -  A do të duhej të ishte një tjetër qëndrim në këtë rast, ndoshta për ta pasur menjëherë një ngrirje të marrëdhënieve me Serbinë dhe  të kërkonte një izolim nga ana e ndërkombëtarëve,  të menjëhershëm, për Serbinë?”

“Jo, nuk ishte si një qëndrim i vendeve skandinave, - u përgjigj Spahiu. -  Qëndrimi i Edi Ramës ishte si i një aleati të Serbisë! Domethënë, si një vend aleat i Serbisë. Ky ishte qëndrimi i kryeministrit shqiptar, fatkeqësisht! Shqipëria në rastin më të keq... do të duhej të mbante një kurs amerikan. Domethënë, Kryeministri nuk do të duhej të shkonte poshtë fjalëve të ambasadorit amerikan për ngjarjen. Mora shembull ambasadorin amerikan meqenëse ishte ai i pari që u deklarua për sulmin terrorist. Nëse nuk do të ishte më i ashpër ndaj Serbisë në favor të Kosovës, të paktën do të duhej të qëndronte aty te qëndrimi i ambasadorit amerikan.

Fatkeqësisht, pak kishte dallim me qëndrimin që mbajti Presidenti Vuçiç. Kjo është për të lënë shumë për të dëshiruar, por fatkeqësisht ky është realiteti i sotëm shqiptar.

Desha të them dhe diçka për mediat këtu në Kosovë dhe në Shqipëri. Unë u detyrova që dje në mëngjes të bëj një reagim në Fb për faktin se të gjitha mediet shqipfolëse, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, nuk po e emërtonin ngjarjen me emrin e vërtetë: Akt terrorist si agresion i Serbisë në Kosovë, por po e quanin me terma të zbutur sikur ishte një ngjarje e zakonshme, sikur një polic është vrarë aty nga disa keqbërës etj. etj. Më pas filluan që të përdornin emërtimin e duhur si sulm terrorist, si agresion i Serbisë në Kosovë.

Do të duhej që gazetarët dhe redaktorët të kenë një sens më të thjeshtë politik dhe një qasje më patriotike ndaj asaj se çfarë ndodh sepse të huajt përcjellin mediet tona dhe në momentin kur shohin që reagimi është ai që është, edhe ata krijojnë një qëndrim politik që mund të jetë, si të themi, i ftohtë ose që nuk ngjan me realitetin.” /ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë me z. Nexhmedin Spahiu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco