Lufta për një shtrat studenti/ Teliti: 'Dhuratë' nga Veliaj, ia hoqi 4 mln euro Arsimit, për t'ia dhënë inceneratorit!

14:43, 20/09/2023
A+ Aa A-

"Erion Veliaj që nga njëra anë krenohet që unë e kam bërë Tiranën, “Kryeqytetin e Rinisë” ndërkohë që rinia rri që në orën 4 të mëngjesit në radhë dhe nuk merr dot një shtrat për t’u sistemuar për vitin e ardhshëm akademik."

Demokrati Dorian Teliti, nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, shkoi vetë sot tek rezidenca studentore universitare nr.2, konviktet e Fakultetit të Mjekësisë, për të parë nga afër situatën e vështirë në të cilën janë lënë sot qindra studente vajza, të cilat prisnin të regjistroheshin në konvikt. 

Pa asnjë menaxhim, në një rrëmujë totale të krijuar qëllimisht nga menaxherët e konvikteve që varen nga bashkia e Tiranës, studentet, që nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 14:00 nuk kishin mundur të merrnin një përgjigje se në cilën dhomë do të strehoheshin.

Për këtë situatë, z. Teliti akuzoi drejtpërsëdrejti kryebashkiakun e Tiranës: 

"Pas “dhuratës” që Erion Veliaj i bëri Tiranës disa ditë më parë, kur hoqi 4.2 milionë euro nga fondet e Arsimit për t’ia dhënë inceneratorit të Tiranës, për t’i djegur ato, për t’i vjedhur ato praktikisht, sot përballemi me dhuratën e radhës, - tha Teliti.  

"Që në orën 4 të mëngjesit, me dhjetëra e qindra studentë bashkë me prindërit e tyre kanë mbajtur radhët për të zënë një vend krevati në godinën shtetërore që menaxhohet nga bashkia e Tiranës, në godinën e konviktit.

Çfarë ka ndodhur?!  Abuzim nga ata që shpërndanin fletushkat. Nuk ia jepnin atyre sipas radhës, por ia jepnin atyre që kishin rënë ata dakord me sa duket dhe kjo duket e qartë edhe në videon që qarkullon prej disa orësh tashmë.

Vajzat luteshin për të marrë një biletë, luteshin që të respektohej radha, por jo. Punonjësit e bashkisë, me sa duket, me urdhër nga lart deri nga ‘agai” i Tiranës i shpërndajnë ato sipas qejfit, si në një vend të Afrikës, ku shpërndahen ilaçet apo shishet e  ujit. Por jemi në mes të Tiranës, në vitin 2023, jemi në mandatin e tretë të Erion Veliajt dhe këto shfaqje janë të turpshme. 

I bëjmë thirrje kryetarit të bashkisë, i bëjmë thirrje drejtoreshës që menaxhon këtë godinë dhe punonjësve, që të respektojnë procedurën ligjore. Kjo që ndodhi sot ishte tërësisht e evitueshme nëse do të kishte vullnet sepse afatet ishin prej kohësh të shpallura dhe ne e dinim që sot fillonte afati i regjistrimit të vajave në konvikt.

Pas dia ditësh do të fillojë afati i regjistrimit të djemve. Erion Veliaj që nga njëra anë krenohet që unë e kam bërë Tiranën, “Kryeqytetin e Rinisë” ndërkohë që rinia rri që në orën 4 të mëngjesit në radhë dhe nuk merr dot një shtrat për t’u sistemuar për vitin e ardhshëm akademik, kjo është e papranueshme.”/ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco